Tensione në Këshillin Komunal të Tetovës për kryqin në Kodrën e Diellit (Video)

Seanca e jashtëzakonshme e Këshillit Komunal të Tetovës për vendosjen e kryqit në Kodrën e Diellit i cili nuk ka leje nga Komuna e Tetovës, kaloi me tensione. Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së pasi dhanë mbështetje për kryqin e vendosur e braktisën sallën. Pas tyre sallën e braktisën edhe këshilltarët e BDI-së të cilët edhe e thirrën këtë seancë. Debati kaloi me tone të ashpra dhe akuza për ngritje të tensioneve fetare dhe etnike. Pasi mbaroi seanca, jashtë objektit të komunës kishte prezencë të policisë, por nga policia theksuan se prezenca e policëve ka qenë si pjesë e patrullimit të rregullt në atë zonë dhe se askush nuk ka kërkuar intervenim për shkak të seancës në Komunë, raporton Portalb.mk.

Seanca filloi me pyetjet për situatën e krijuar në Kodrën e Dellit pas vendosjes së kryqit.

Këshilltarët nga VMRODPMNE dhe LSDM shfaqën përkrahjen e tyre ndaj vendosjes së kryqit, dhe më pas braktisën sallën.

Ndërkaq në mes këshilltarëve të BDI-së dhe shefit të Inspektoratit Komunal u ngritën tonet si dhe akuzat dhe kundër akuzat edhe për tema jashtë asaj se pse ishte thirrur seanca, pati edhe ofendime.

Akuza dhe kundërakuza pati edhe midis këshilltarëve të BDI-së dhe atyre të Lëvizjes Besa.

Më pas këshilltarët e BDI-së braktisën sallën.

Seanca vijoi edhe pak minuta më pas vetëm me këshilltarët e Lëvizjes Besa dhe mbaroi.

Pas seancës, derisa këshilltarët e BDI-së jepnin deklaratë për shtyp, kryetari i Komunës së Tetovës njoftoi se jashtë objektit të komunës ka policë dhe se kjo sipas tij është skenar.

Pas kësaj këshilltarët e BDI-së lëshuan objektin, pas tyre edhe policët u larguan.

Pyetëm në Sektorin për Punë të Brendshme Tetovë se kush e thirri policinë, por nga policia na thanë askush nuk ka kërkuar intervenim të policisë dhe se prezenca e policëve ka qenë rastësore si pjesë e kontrolleve të rregullta që bëhen afër kafeneve.

Pjesë nga ajo se çfarë ndodhi në seancë, pas seance si dhe deklaratat nga këshilltarët e BDI-së dhe Komunës së Tetovës mund t’i ndiqni në videon më poshtë.

Ndërkaq seancën e plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë.

Seanca e jashtëzakonshme e Këshillit Komunal u thirr nga këshilltarët e BDI-së, pasi në Kodrën e Diellit konkretisht në oborrin e manastirit “Shën Naumi i Ohrit” është vendosur një kryq pa leje të Komunës së Tetovës dhe Parkut Kombëtar “Mali Sharr”. Komuna e Tetovës thotë se inspektorati komunal do të merr masat e parapara ligjore për rastin.