Nuk dihet kur do të fillojnë punimet e italianëve në Kodrën e Diellit, institucionet pa detaje kur do të nënshkruhet marrëveshja

Nuk dihet ende kur dhe nëse do të fillojnë punimet në terren në Kodrën e Diellit nga investitori i interesuar italian “TechnoAlpin”. Institucionet nuk japin detaje, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse sezoni i dimrit dhe i skijimit po afrohet ende nuk është nënshkruar marrëveshje mes Qeverisë  së RMV-së dhe investitorit Italian, pavarësisht se së shpejti do të bëhet një vit nga prezantimi i planit për investimin e kompanisë italiane “TechnoAlpin” në Kodrën e Diellit,.

Qeveria nuk jep detaje konkrete se kur do të nënshkruhet marrëveshja.

“Lidhur me realizimin e projektit investues strategjik për ndërtimin e Qendrës së skijimit në Kodrën e Diellit, Ju informojmë se institucionet përkatëse janë duke punuar në përgatitjen e propozim tekstin e Marrëveshjes, si dhe në projektligjin për këtë projekt strategjik”, thane për Portalb.mk nga Qeveria.

Nga Kompania italiane TechnoAlpin për Portalb.mk thonë se nuk mund të japin ndonjë parashikim për përfundimin e negociatave.

“Më vjen keq t’ju them se për momentin ne ende nuk jemi në gjendje të japim ndonjë informacion të mëtejshëm , pasi jemi ende në mes të negociatave. Për momentin, për fat të keq nuk mund të japim asnjë parashikim as për përfundimin e negociatave. Ne e kuptojmë se kjo temë është shumë e rëndësishme për ju dhe shpresojmë në mirëkuptimin tuaj”, thanë nga TechnoAlpin.

TechnoAlpin” në dhjetor 2022 e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove. Në fazën e parë prioritet pritet të ketë ndërtimi i sistemeve për borë artificiale, pasi planifikohet që sezoni të zgjasë më gjatë dhe jo të varet nga reshjet e borës. Faza e parë e cila kap vlerën prej 55 milionë eurove kap periudhën 2023-2028 ndërsa fazat e tjera (2-7) nga viti 2028 e tutje.

Kohë më parë, u formua kompania e re e cila do të menaxhojë me Kodrën e Diellit me emër “Kodra e Diellit”.

Kjo qendër turistike për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe të tjera.