Më në fund filloi rikonstruimi i rrugës te lagja e vikend shtëpizave në Kodrën e Diellit

Pas shumë viteve e lënë në harresë, më në fund kanë filluar punimet për rikonstruimin e rrugës te lagja e vikend shtëpizave në Kodrën e Diellit. Kërkesë kjo e kamotshme e banorëve, të cilët për vite me radhë ankoheshin për infrastrukturën e dobët rrugore. Rikonstruimi i rrugës bëhet nga ana e banorëve në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, transmeton Portalb.mk.

Nga vendngjarja, kreu i Komunës së Tetovës Bilall Kasami theksoi se projekti është që e gjithë rruga brenda lagjes së vikend shtëpizave të rindërtohet.

“Të riparohet, të kemi rrugë të re me të gjitha kushtet dhe standardet. Në njërën anë të rrugës do të ketë edhe trotuar”, tha Kasami.

Sipas Shoqatës së qytetarëve Kodra e Diellit rrugët janë ndërtuar në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar dhe për këtë arsye janë të gatshëm ta përkrahin këtë iniciativë dhe të japin kontribut financiar.

“Në këtë rrugë nuk ka asnjë metër katror asfalt të shëndetshëm. Në dimër kalohet me ekskavator për pastrimin e borës që peshojnë 30-40 tonë dhe dëmtojnë rrugën. Ne si bashkësi lokale e Kodrës së Diellit dhe tash si shoqatë e qytetarëve e kemi kërkuar këtë iniciativë prej kohësh. Tani kryetari i komunës është i gatshëm të bashkëpunojë me ne dhe ne jemi të interesuar të ndihmojmë dhe të marrim pjesë me fondet tona sa të mundemi dhe aq sa duhet për të zgjidhur një problem shumë të vjetër mbi 25 vjet dhe është koha për ta zgjidhur këtë problem”, tha Havzi Rizvani nga Shoqata e qytetarëve.

Kasami njoftoi se shumë shpejtë do të fillojnë edhe punimet për rrugën e re, qarkoren që do të lehtësojë qarkullimin dhe qasjen deri te qendra turistike në sezonin e dimrit kur ka frekuentim më të madh të turistëve.

“Po punojmë dhe jemi nga fundi edhe për planin urbanistik me çka përfundimisht Kodrën e Diellit do ta bëjmë një qendër turistike ku do të ketë mundësi të kemi investime në ndërtimin e hoteleve të reja, në ndërtimin e vikend shtëpizave në bazë të planit urbanistik, theksoi Kasami.

Ai mes tjerash i bëri thirrje që pushteti qendror të tregojë interes më të madh për Kodrën e Diellit.

Ndërkaq për mungesën e parkingjeve ai tha se janë dy zgjidhje.

“E para është me rrugën qarkore, e cila gjatë dimrit njëra anë e rrugës do të shfrytëzohet si parking. Ndërkaq me planin urbanistik janë të parapara disa pika ku do të ketë parkingje të hapura”, tha Kasami.

Kujtojmë që për këtë Problem dhe ankesat e banorëve të lagjes së vikend shtëpizave, Portalb.mk raportoi para tre javëve.

Nga ana tjetër, qendra turistike Kodra e Diellit ende po pret investuesin italian, kompaninë “TechnoAlpin” me të cilin Qeveria ende nuk ka nënshkruar marrëveshje. Nga Qeveria për Portalb.mk thanë se negociatat po vijojnë, por pa dhënë detaje. Detaje nuk japin as nga kompania italiane, theksuan se janë në mes të negociatave.

Përndryshe, kjo qendër turistike për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet e mëdha janë kaosi urbanistik, infrastruktura e dobët, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe të tjera.