Tensione, protesta dhe pauza në Këshillin e Tetovës për emrat e rrugëve, seanca mbaroi në mbrëmje (Video)
Ndryshimi i emrave të rrugëve pas shfuqizimit nga Gjykata Kushtetuese të vendimit të vitit 2007 kanë shkaktuar tensione politike, protestë dhe dy herë ndërprerje të seancës së Këshillit Komunal të Tetovës. Seanca mbaroi rreth orës 20:15, shkruan Portalb.mk.
Në seancën e sotme, këshilltarët opozitarë nga AKI-ja, kërkuan që si pikë e parë e rendit të ditës të shtohet ndryshimi i emrave të disa rrugëve në qytet, propozim të cilin e dorëzuan para disa ditëve.
Kërkesa u pranua nga shumica, por u vendos si pikë e fundit e rendit të ditës, jo si pikë e parë.
Këshilltarët e opozitës nga AKI-ja dy herë kërkuan që kjo pikë të vendoset e para, madje protestuan edhe me pankarta, por kjo nuk u pranua.
Dy herë u shkua në pauzë në mënyrë që këshilltarët të merren vesh për këtë çështje, por pa rezultat.
Pasi kjo kërkesë e tyre nuk u pranua, këshilltarët e AKI-së e braktisën seancën.
Seanca mbaroi rreth orës 20:15. Propozimi i BDI-së u tërhoq nga rendi i ditës, këshilltarët e AKI-së nuk u paraqitën në seancë, ndërsa në fund të seancën është paraqitur këshilltari, Berat Murati.
Pika e rendit të ditës u tërhoq nga rendi i ditës me propozim të këshilltarit të Më Mirë Për Tetovën, Agron Arifi, dhe mbështetjen e këshilltarëve që ishin të pranishëm në sallë.
Koordinatori i këshilltarëve të AKI-së, Berat Murati theksoi se çështja e emrave të rrugëve nuk është prioritet për udhëheqësinë komunale.
“Ne si këshilltarë nuk jemi kundër zgjidhjes së çështjes së emrave të rrugëve. Përkundrazi, do të japim maksimumin dhe do të bëjmë më të mirën që rrugët e Tetovës të emërtohen në gjuhën shqipe. Njëra prej tyre do të jetë edhe Mujdin Aliu. Ne kërkuam që kjo të vendosej si pika e parë e rendit të ditës, në mënyrë që seanca të ndërpritej, Komisioni të mblidhej nesër për të marrë një vendim dhe më pas seanca të vazhdonte në një ditë tjetër. Ne nuk kemi qëllim ta çojmë Këshillin Komunal drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ne jemi për gjetjen e një zgjidhjeje, jo për shkaktimin e problemit”, tha Murati.
Në ndërkohë, këshilltari nga VLEN, Albi Qamili i cili është edhe në krye të Komisionit për riemërimin e rrugëve tha se ky komision ka seancë nesër, dhe se nëse miratohet sot propozimi i AKI-së për ndryshimin e emrave, nuk do të jetë ligjor, pasi kërkohet pëlqim paraprak nga qeveria para miratimit.
“Ne e pranuam atë iniciativë. Sipas procedurave dhe Rregullores për punën e Këshillit Komunal, pikat shtesë që propozohen gjatë miratimit të rendit të ditës zakonisht vendosen në fund të rendit të ditës. Kur e panë se ne e pranuam kërkesën e tyre dhe ishim të gatshëm të debatonim për të, ata dolën me një kërkesë që kjo pikë të vendoset e para në rendin e ditës. Kjo është absurde, ne e shtuam atë pike sipas rregullores dhe është në fund. Ajo vazhdon të jetë në rend dite. Ne u bëjmë thirrje këshilltarëve të BDI-së, që të vijnë te pika ku do të diskutohet për atë vendim. Ne jemi të gatshëm për debat dhe ta votojmë. Por duhet të kemi parasysh se me votimin e asaj pike, nuk do të ketë efekt juridik. Sepse duhet një pëlqim nga Qeveria dhe votimi i atij vendimi do ta dërgoj këshillin e Tetovës në zgjedhje të parakohshme”, tha Qamili.
Ai tha se nesër Komisioni për emërimin e rrugëve nesër ka seancë ku do fillohet me konfirmimin e emrave që do të jenë në listën e emrave që do të dërgohen në Qeveri.
“Normalisht, nesër nuk do të përfundojë, është vetëm një fazë. Do t’i miratojmë disa emra dhe do të ketë edhe mbledhje të tjera të Komisionit. Fazë pas faze, do ta kompletojmë listën që do ta dërgojmë edhe në Qeveri. Procedurë që duhet të bëhet në mënyrë të rregullt, pastaj të mos kemi pasoja dhe pengesa, siç kemi tani me disa vendime gjysmake që na i kanë lënë udhëheqësit e kaluar. Nesër është mbledhja e Komisionit, ku do të përfundojë vetëm një fazë. Do të vazhdojmë me mbledhjet e tjera dhe, pasi t’i konfirmojmë të gjithë emrat në listë, do ta dërgojmë atë në Qeveri”, tha Qamili i cili nuk specifikoi afate kur pritet të përmbyllet ky proces.
Pse u shfuqizuan emrat e rrugëve nga Gjykata Kushtetuese?
Gjykata Kushtetuese më 17 qershor 2026 e shfuqizoi vendimin e Këshillit Komunal të vitit 2007 me të cilin sheshi i qytetit dhe shtatë rrugë morën emra në gjuhën shqipe, ndërsa tre rrugë u riemëruan në maqedonisht.
Gjykata vendimin e solli pasi ka konstatuar se nuk ka dëshmi se komuna ka dorëzuar kërkesë te Qeveria për dhënien e pëlqimit të nevojshëm, as akt me të cilin Qeveria ka dhënë pëlqim për Listën, në përputhje me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, për shkak të së cilës Gjykata konstatoi se ky kusht ligjor nuk është përmbushur.
Opozita vazhdimisht ka insistuar se në kohën kur është sjellë ky vendim, është kërkuar pëlqim nga niveli qendror, por nuk është marrë përgjigje, dhe në përputhje me nenin 73 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili përcakton se nëse gjatë miratimit të një akti komunal kërkohet pëlqim paraprak nga një organ tjetër, ai organ duhet ta japë atë më së voni brenda 60 ditëve nga dita e dorëzimit të propozimit të aktit, ndërsa nëse organi nuk e jep pëlqimin e kërkuar, akti konsiderohet i pranuar ashtu siç është propozuar nga komuna.
Këtij neni i referohet edhe Gjykata Kushtetuese, por në mungesë të dokumentit ku kërkohet pëlqimi, gjykata e shfuqizoi vendimin
Nga Komuna e Tetovës kanë thënë se nuk kanë pasur përgjigje nga Arkivi Shtetëror se ekziston kërkesë për pëlqim për ndryshimin e emrave e dorëzuar në Qeveri, ashtu siç e parasheh Ligji për përcaktimin e emrave të rrugëve.
As Qeveria nuk gjeti dëshmi. Portalb.mk kërkoi nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut përmes ligjit për qasje të lirë në informatat e karakterit publik të gjitha kërkesat e pranuara nga Komuna e Tetovës në arkivin e Qeverisë në periudhën nga 01.10.2006 deri më 01.05.2007.
Nga Qeveria na njoftuan se pas kontrollit të detajuar të dokumentacionit që ruhet në depon e Qeverisë, arriti ta gjejë vetëm një kërkesë e cila nuk ka të bëjë me çështjen e emrave të rrugëve, por për dëme të shkaktuara nga reshjet në disa fshatra.
Portalb.mk tani e disa ditë ka kërkuar sqarime shtesë edhe nga Ministria e Transportit, nëse kanë pranuar kërkesë për pëlqim të ndryshimit të emrave në vitin 2006/2007, por nga aty nuk u përgjigjën.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pasi Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, parashtroi nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës me të cilin u ndryshuan emrat e rrugëve.
Nismë e re për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë që nga 2022 por pa epilog
Procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë filloi por nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021/25 dhe procesi u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale.
Grupi i punës për këtë çështje u riformua në janar të këtij viti, ndërsa gjashtë muaj më vonë ende nuk ka diçka konkrete. Sipas komunës, brenda këtyre dy muajve pritet të ketë diçka konkrete.
Nga opozita kanë kritikuar për zvarritje të procesit.
Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.