BDI protestoi për shfuqizimin e emrave të rrugëve në Tetovë nga Gjykata Kushtetuese (VIDEO)
BDI ka filluar protestën e paralajmëruar në Tetovë. Protestuesit kanë kundërshtuar ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë, duke e sulmuar partnerin shqiptar në Qeverinë e RMV-së, se po heshtë përballë diskriminimit të shqiptarëve, shkruan Portalb.mk.
Me mesazhin kryesor që “Historia nuk abrogohet”, “Edhe rrugët flasin shqip”, si dhe me pankarta “Sa tendera kushton historia?”, “Tito VLEN”, “Për sa na shitët?”, “Argatët e Serbisë Non Grata të Shqypnisë”, “Gjuha, pronat, balancuesi, historia…next?”, “Bota serbe jashtë Tetovës”, “Çirakët e Stoilkoviçit”, BDI e filloi protestën e sotme. Në protestë kishte pjesëmarrës edhe nga Çairi, ku me vete kishin pankarta me mbi shkrimi “Çairi s’duron poshtërimin!” dhe “Çairi për Tetovën”.
Kryetari i Degës së Tetovës të BDI-së, Bajram Rexhepi, para protestës tha se sot po mbahet protesta e dytë gjithëpopullore në Tetovë.
Ai tha se në protestë kanë një lumë njerëzish që kundërshtojnë rikthimin e emrave të vjetër të rrugëve në Tetovë. Ai tha se ajo që i ka befasuar të gjithëve është mënyra se si Komuna e Tetovës po përpiqet ta pengojë pjesëmarrjen masive të qytetarëve në këtë protestë.
“Për këtë situatë kemi njoftuar të gjithë korin diplomatik në Shkup, si dhe OSBE-në. Shumë prej tyre ndodhen këtu edhe në mision monitorimi. Protestat, sigurisht, do të vazhdojnë edhe më tutje. Por gjithçka do të varet nga reflektimi që do të tregojë Komuna e Tetovës ndaj situatës me të cilën po përballemi. Ne kemi pritur që edhe përfaqësuesit e Komunës të jenë sot të pranishëm në Sheshin e Tetovës. Nuk ma merr mendja se ka shqiptar në Tetovë që dëshiron që sheshi kryesor i qytetit të mbajë emrin Marshall Tito”, u shpreh Bajrami. Bajrami paralajmëroi padi penale ndaj atyre që kanë zhdukur dokumentacionin dhe procesverbalin për ndryshimin e emrave të rrugëve.
Bashkimi Demokratik për Integrim sot doli për herë të dytë në protestë pasi Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të Tetovës të sjella në vitin 2007. Marshi protestues filloi në ora 20:00 nga sheshi i qytetit deri te komuna.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për emërimet e rrugëve në Tetovë është ngjarja që mobilizon këtë reagim qytetar, por shqetësimi i qytetarëve është shumë më i gjerë. Për një periudhë të gjatë është krijuar bindja se po zhvillohet një proces i vazhdueshëm i dobësimit të mekanizmave që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Çdo zhvillim i veçantë ka shtuar pasigurinë; të marra së bashku, ato krijojnë një pamje që kërkon reagim qytetar”, thonë nga BDI.
BDI doli në protestë edhe më 26 qershor.
Pse u shfuqizuan emrat e rrugëve nga Gjykata Kushtetuese?
Gjykata Kushtetuese më 17 qershor 2026 e shfuqizoi vendimin e Këshillit Komunal të vitit 2007 me të cilin sheshi i qytetit dhe shtatë rrugë morën emra në gjuhën shqipe, ndërsa tre rrugë u riemëruan në maqedonisht.
Gjykata vendimin e solli pasi ka konstatuar se nuk ka dëshmi se komuna ka dorëzuar kërkesë te Qeveria për dhënien e pëlqimit të nevojshëm, as akt me të cilin Qeveria ka dhënë pëlqim për Listën, në përputhje me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, për shkak të së cilës Gjykata konstatoi se ky kusht ligjor nuk është përmbushur.
Opozita vazhdimisht ka insistuar se në kohën kur është sjellë ky vendim, është kërkuar pëlqim nga niveli qendror, por nuk është marrë përgjigje, dhe në përputhje me nenin 73 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili përcakton se nëse gjatë miratimit të një akti komunal kërkohet pëlqim paraprak nga një organ tjetër, ai organ duhet ta japë atë më së voni brenda 60 ditëve nga dita e dorëzimit të propozimit të aktit, ndërsa nëse organi nuk e jep pëlqimin e kërkuar, akti konsiderohet i pranuar ashtu siç është propozuar nga komuna.
Këtij neni i referohet edhe Gjykata Kushtetuese, por në mungesë të dokumentit ku kërkohet pëlqimi, gjykata e shfuqizoi vendimin
Nga Komuna e Tetovës kanë thënë se nuk kanë pasur përgjigje nga Arkivi Shtetëror se ekziston kërkesë për pëlqim për ndryshimin e emrave e dorëzuar në Qeveri, ashtu siç e parasheh Ligji për përcaktimin e emrave të rrugëve.
As Qeveria nuk gjeti dëshmi. Portalb.mk kërkoi nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut përmes ligjit për qasje të lirë në informatat e karakterit publik të gjitha kërkesat e pranuara nga Komuna e Tetovës në arkivin e Qeverisë në periudhën nga 01.10.2006 deri më 01.05.2007.
Nga Qeveria na njoftuan se pas kontrollit të detajuar të dokumentacionit që ruhet në depon e Qeverisë, arriti ta gjejë vetëm një kërkesë e cila nuk ka të bëjë me çështjen e emrave të rrugëve, por për dëme të shkaktuara nga reshjet në disa fshatra.
Portalb.mk tani e disa ditë ka kërkuar sqarime shtesë edhe nga Ministria e Transportit, nëse kanë pranuar kërkesë për pëlqim të ndryshimit të emrave në vitin 2006/2007, por nga aty nuk u përgjigjën.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pasi Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, parashtroi nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës me të cilin u ndryshuan emrat e rrugëve.
Nismë e re për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë që nga 2022 por pa epilog
Procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë filloi por nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021/25 dhe procesi u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale.
Grupi i punës për këtë çështje u riformua në janar të këtij viti, ndërsa gjashtë muaj më vonë ende nuk ka diçka konkrete. Sipas komunës, brenda këtyre dy muajve pritet të ketë diçka konkrete.
Nga opozita kanë kritikuar për zvarritje të procesit.
Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.