Lejla Kadriu: Vendimi për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë në 2007 nuk ishte i kundërligjshëm, u respektuan të gjitha procedurat ligjore
Komuna e Tetovës i ka respektuar të gjitha procedurat ligjore, ku ka dërguar edhe kërkesë për pëlqim nga qeveria para se ta miratojë vendimin për ndryshimin e emrave të disa rrugëve dhe sheshit. Kështu thotë për Portalb ish-sekretarja e Komunës së Tetovës Lejla Kadriu e cila ishte në këtë detyrë në vitin 2007 kur u soll ky vendim, të cilin Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi para pak ditëve me arsyetimin se nuk ka provë që komuna asokohe ka kërkuar pëlqim nga qeveria, shkruan Portalb.mk.
Kadriu ka thënë se pretendimet se vendimi për ndryshimin e emrave të rrugëve në Komunën e Tetovës ka qenë i kundërligjshëm janë juridikisht të pabazuara dhe se Komuna e Tetovës para përfundimit të procedurës, iu drejtua Qeverisë së Republikës së Maqedonisë me kërkesë për dhënien e pëlqimit, duke respektuar dispozitat e ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore. Ajo thekson se fakti që qeveria nuk u prononcua nuk mund të prodhojë pasoja juridike në dëm të komunës, e cila kishte përmbushur të gjitha detyrimet e saj procedurale.
“Vendimi i Këshillit të Komunës së Tetovës nr. 07-766/4, i miratuar më 24.04.2007 dhe i publikuar në Gazetën Zyrtare të Komunës së Tetovës nr. 25/2007, më 26.04.2007, gëzon prezumimin e ligjshmërisë, pasi është miratuar nga organi kompetent, sipas procedurës së parashikuar me legjislacionin në fuqi në atë kohë dhe është bërë pjesë e rendit juridik me publikimin e tij”, thotë Kadriu.
Ajo shton se sipas nenit 8 të Kushtetutës, sundimi i së drejtës, siguria juridike dhe vetëqeverisja lokale janë vlera themelore të rendit kushtetues.
“Nenet 114 dhe 115 të Kushtetutës garantojnë autonominë kushtetuese të njësive të vetëqeverisjes lokale dhe të drejtën e tyre për të vendosur për çështje me interes lokal në përputhje me ligjin. Në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, komunat ushtrojnë kompetencat e tyre në mënyrë të pavarur, ndërsa Qeveria e Republikës ushtron mbikëqyrjen e ligjshmërisë së punës së njësive të vetëqeverisjes lokale, në mënyrën e përcaktuar me ligj. Nëse Qeveria ose organet e tjera kompetente do të kishin vlerësuar se Vendimi nr. 07-766/4 ishte në kundërshtim me Kushtetutën ose me ligjin, ato kishin kompetencë dhe mjete juridike për të ndërmarrë procedurat përkatëse për kontestimin e tij”, sqaron më tej Kadriu.
Sipas saj, është juridikisht vendimtar fakti se, pas publikimit të Vendimit në Gazetën Zyrtare të Komunës së Tetovës, asnjë organ kompetent nuk inicioi procedurë për pezullimin, shfuqizimin ose anulimin e tij.
“Përkundrazi, vendimi mbeti në fuqi dhe prodhoi pasoja juridike për shumë vite. Ky fakt krijoi një prezumim të fortë të ligjshmërisë së aktit dhe forcoi sigurinë juridike dhe pritshmëritë legjitime të qytetarëve dhe institucioneve”, tregon Kadriu.
Si shembull ajo përmend praktikën e konsoliduar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e cila e njeh sigurinë juridike dhe pritshmëritë legjitime si elemente themelore të sundimit të së drejtës.
“Gjykata ka theksuar vazhdimisht se autoritetet shtetërore nuk mund të krijojnë pasiguri juridike duke kontestuar, pas një periudhe të gjatë kohore, akte që kanë prodhuar pasoja juridike dhe që nuk janë kundërshtuar në kohën dhe procedurat e parashikuara me ligj. Ky standard është zhvilluar, ndër të tjera, në çështjet Broniowski kundër Polonisë, Beyeler kundër Italisë dhe Moskal kundër Polonisë”, sqaron Kadriu.
Prandaj, ajo thotë se nga aspekti kushtetues dhe juridik, nuk mund të pranohet që një akt i miratuar nga organi kompetent, i publikuar në Gazetën Zyrtare, i zbatuar për shumë vite dhe i pakontestuar nga organet shtetërore kompetente në kohën kur kishin detyrimin dhe mundësinë ligjore për të vepruar, të shpallet më pas i paligjshëm vetëm mbi bazën e interpretimeve të mëvonshme.
“Një qasje e tillë do të binte ndesh me parimet kushtetuese të sundimit të së drejtës, sigurisë juridike, proporcionalitetit dhe mbrojtjes së pritshmërive legjitime”, përfundoi Kadriu.
Gjykata Kushtetuese më 17 qershor 2026 e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin Komuna e Tetovës i ndryshoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të qytetit. Arsyetimi i Gjykatës është se Komuna e Tetovës dhe Qeveria nuk kanë dorëzuar materiale nëse atëkohë është kërkuar pëlqim nga qeveria para se të miratohet vendimi, ashtu siç e kërkon ligji. Në mungesë të përgjigjes, gjykata ka konstatuar se nuk është përmbushur detyrimi ligjor, dhe e shfuqizoi vendimin.
“Nga shqyrtimi i dokumentacionit të dorëzuar u konstatua se nuk ka dëshmi se komuna ka dorëzuar kërkesë te Qeveria për dhënien e pëlqimit të nevojshëm, as akt me të cilin Qeveria ka dhënë pëlqim për Listën, në përputhje me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, për shkak të së cilës Gjykata konstatoi se ky kusht ligjor nuk është përmbushur”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata, gjatë marrjes së vendimit, e ka pasur parasysh dispozitën ligjore të nenit 73 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili përcakton se nëse gjatë miratimit të një akti komunal kërkohet pëlqim paraprak nga një organ tjetër, ai organ duhet ta japë atë më së voni brenda 60 ditëve nga dita e dorëzimit të propozimit të aktit, ndërsa nëse organi nuk e jep pëlqimin e kërkuar, akti konsiderohet i pranuar ashtu siç është propozuar nga komuna, për shkak të së cilës Gjykata në disa raste gjatë procedurës paraprake i është drejtuar Komunës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për dorëzimin e të gjithë dokumentacionit që i ka paraprirë miratimit të vendimit të kontestuar.
“Por ato nuk janë dorëzuar në tërësi. Gjithashtu, Komuna edhe në përgjigjen e dorëzuar lidhur me vendimin nuk e ka dorëzuar kërkesën e paraqitur për dhënien e pëlqimit paraprak te Qeveria, për shkak të së cilës Gjykata solli këtë vendim”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas gjykatës, vendimi i kontestuar është në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, dhe me një veprim të tillë shkelet sundimi i së drejtës si vlerë themelore dhe siguria juridike si pjesë përbërëse e saj nga neni 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe neni 51 i Kushtetutës.

Heshtje nga komuna dhe qeveria
Pyetja që nuk po merr përgjigje as nga pushteti lokal dhe as nga ai qendror është: A ka pasur kërkesë për pëlqim atë kohë, nëse jo, pse heshtin dhe nëse po, pse nuk ia kanë dorëzuar Gjykatës Kushtetuese.
Portalb.mk kërkoi sqarime shtesë edhe nga Komuna e Tetovës se a ka pasur dhe nëse po, pse nuk ia kanë dorëzuar Gjykatës Kushtetuese kërkesën për pëlqim e cila është dorëzuar në Qeveri atë kohë në vitin 2006/2007 dhe me çfarë date konkrete i është dorëzuar qeverisë së atëhershme ky propozim, por nuk morëm përgjigje.
As nga Qeveria dhe Ministria e Transportit nuk u përgjigjën nëse kanë pranuar kërkesë për pëlqim të ndryshimit të emrave në vitin 2006/2007.

BDI: Pse Komuna e Tetovës dhe Qeveria nuk e dorëzuan dosjen e plotë në gjykatë?
Lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili u publikua i plotë dje, 13 ditë pas sjelljes së tij, ka reaguar përsëri Bajram Rexhepi nga BDI. Ai thotë se përgjegjëse është Komuna e Tetovës, e cila nuk e dokumentoi dhe mbrojti procedurën para gjykatës.
“Dështoi mbrojtja juridike e vendimit të vitit 2007, vetëm sepse Komuna, edhe pse nga ajo u kërkua 4 herë brenda 1 viti, nuk paraqiti dokumentet që kishte detyrim t’i siguronte dhe t’i dorëzonte. Katër herë Komuna nuk e dorëzoi dokumentacionin. Tri herë Qeveria nuk dorëzoi përgjigje. Ky veprim apo mosveprim ngre dyshimin e arsyeshëm për një marrëveshje të fshehur VMRO–VLEN. ”, tha Rexhepi.
Ai ndër të tjera theksoi se ”heshtja e Qeverisë nuk do të duhej të ishte pengesë juridike për vendimin e Këshillit Komunal, por vetëm nëse udhëheqësia aktuale në Komunë do të ofronte dokumentacionin ekzistues se kërkesa për pëlqim paraprak ishte dorëzuar.

Kujtojmë se ishkryetari i Këshillit Komunal të Tetovës në kohën kur u soll vendimi, tani më i shfuqizuar, Resi Abdurahmani nga radhët e BDI-së, për Alsat ka deklaruar se asokohe, sipas tij kanë dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Transportit për të marrë pajtim për ndryshimin e emrave, megjithatë nuk kanë marrë përgjigje nga Ministria. Siç tha Abdurrahmani, heshtjen e Ministrisë, Komuna e ka llogaritur si përgjigje pozitive dhe për këtë këshilli e ka votuar në seancë.
Kronologjia e ngjarjes
Në opinion kanë vërshuar reagimet dhe akuzat pasi Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin Komuna e Tetovës i ndryshoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të qytetit. Por si qëndron e vërteta, si filloi gjithçka dhe pse u shfuqizuan këto emra, Portalb.mk sjell një kronologji të të gjithë procesit ndër vite.
Gjithçka nisi në 2007
Më 24.04.2007 në kohën kur Komuna e Tetovës udhëhiqej nga BDI-ja, kur kryetar ishte Hazbi Lika, Këshilli Komunal solli vendim për ndryshimin e emrit të sheshit dhe disa rrugëve nga emrat periudhës së komunizmit në emra të tjerë.
Sheshi i qytetit dhe shtatë rrugë morën emra në gjuhën shqipe, ndërsa tre rrugë u riemëruan në maqedonisht, edhe atë si vijon:
- Sheshi i qytetit “Marshall Tito” u emërua ‘Iliria’.
- Rruga ‘Marshall Tito’ u emërua ‘Iliria’.
- Rruga ‘JNA’ prej Kullës në rrugën ‘Ilindenska’ deri te udhëkryqi i rrugës ‘Bllagoja Toska’ u emërua ‘Dervish Cara’.
- Pjesa nga rruga ‘JNA’ prej udhëkryqit në rrugën ’Bllagoja Toska’ deri në fund të rrugës ‘JNA’ u emërua ‘Solunski Atentatori – Geminxhii’.
- Rruga ‘29 Nëntori’ u emërua ‘Mehmet Pashë Deralla’.
- Rruga ‘I.R.Llolla’ deri te Shkolla e Muzikës u emërua ‘Kongresi i Manastirit’..
- Pjesa nga rruga ‘I.R.Llolla’ nga Shkolla e Muzikës deri te udhëkryqi te Stadiumi i qytetit u emërua ‘Krushevska Republika’.
- Pjesa e rrugës ‘I.R.Llolla’ nga udhëkryqi te Stadiumi i qytetit deri në Poroj-Xhepçisht u emërua ‘Dëshmorët e Kombit’.
- Rruga ‘Boris Kidriç’ u emërua ‘Metodi Andonov Çento’.
- Rruga ‘R.Coniq’ u emërua në ‘Abdyl Frashëri’.
- Rruga ‘Lenin’ u emërua në ‘Sami Frashëri’.
Sipas Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, ky proces duhej të merrte pëlqim nga Qeveria.
Megjithatë ky vendim nuk mori pëlqim nga Qeveria e atëhershme e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe PDSH.
Si rezultat, emrat e ri të rrugëve nuk figuruan në Kadastër dhe në Regjistrin Qendror, por u përdorën vetëm nga Komuna e Tetovës.
Nga institucionet qendrore vazhduan me vite të përdoren emrat e vjetër.
Por, neni 73 i Ligjit për vetëqeverisje lokale, përcakton se nëse gjatë sjelljes së dispozitës së komunës kërkohet pëlqim paraprak nga organ tjetër, organi pëlqimin e jep më së voni në afat prej 60 ditësh nga dita kur i është dorëzuar propozim dispozita. Ndërkaq, nëse pëlqimi paraprak nuk merret në afat prej 60 ditëve, dispozita konsiderohet si e pranuar ashtu siç ka qenë e propozuar nga komuna.
Në 2025 Lidhja e Luftëtarëve nga LNA-ja e kontestoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese
Më 11.02.2025, Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, parashtroi nismë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës me të cilin u ndryshuan emrat e rrugëve, gati dy dekada më vonë.
Sipas pretendimeve në iniciativë, vendimi i kontestuar është në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore.
Në mars 2026 Gjykata Kushtetuese e pranoi nismën dhe hapi lëndë
Më 04.03.2026, Gjykata Kushtetuese solli vendim me të cilin hapi lëndë për vlerësimin e kushtetutshmërisë për ndryshimin e emrave të disa rrugëve dhe sheshit në Tetovë.
Qershor 2026, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin
Më 17.06.2026, me 5 vota “për” nga gjykatësit maqedonas, dhe votim ‘kundër’ nga dy gjyqtarët shqiptarë dhe ai i turk, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin u bënë ndryshimet e emrave të disa rrugëve dhe sheshit të qytetit.
Çili është arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese?
Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit për emrat e rrugëve të vitit 2007 në Tetovë:
Gjatë procedurës, për shkak të mosdorëzimit të dokumentacionit të plotë, Gjykata në katër raste kërkoi nga Komuna e Tetovës që të dorëzonte të gjithë dokumentacionin që i kishte paraprirë miratimit të vendimit të kontestuar. Megjithatë, nga ana e Komunës nuk u dorëzua as pëlqimi dhe as kërkesa për pëlqim që ishte dërguar te Qeveria, por vetëm Lista e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Komunën e Tetovës, e miratuar më 30.11.2006.
Më tej, Gjykata Kushtetuese në tri raste kërkoi nga Qeveria që të dorëzonte pëlqimin e kërkuar, por ai nuk u dorëzua.
Si rrjedhojë, nga shqyrtimi i dokumentacionit të dorëzuar u konstatua se Komuna e Tetovës nuk kishte paraqitur kërkesë pranë Qeverisë për marrjen e pëlqimit të nevojshëm dhe as nuk ekzistonte akt me të cilin Qeveria kishte dhënë pëlqim për Listën, në përputhje me nenin 5, paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore. Për këtë arsye, Gjykata konstatoi se ky kusht ligjor nuk ishte përmbushur.
Sipas nenit 5, paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, për miratimin e vendimi për ndryshimin e emrave kërkohet pëlqimi paraprak i Qeverisë.
Me miratimin e vendimit pa pëlqimin e nevojshëm të Qeverisë, Komuna e Tetovës ka shkelur parimin e sundimit të ligjit, të përcaktuar në nenin 8, paragrafi 1, alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe nenin 5, paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore.
Nismë e re për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë që nga 2022 por pa epilog
Procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë filloi por nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021/25 dhe procesi u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale.
Grupi i punës për këtë çështje u riformua në janar të këtij viti, ndërsa gjashtë muaj më vonë ende nuk ka diçka konkrete.
Albi Qamili, i cili është kryetar i këtij grupi punues tha se po punohet intenzivisht dhe se procesi është në fazën finale, ku janë pranuar 600 propozime për riemërimn e rrugëve.
Ai tha se me procesin për riemërimin e rrugëve, këto emra si që kanë qenë në vendimin e vitit 2007 do të barten në vendimin e ri, pra, do të mbeten.
“Nuk mund të jap afate, ajo që jam i sigurt është se brenda këtij viti do përfundojë si proces”, tha Qamili.
Nga opozita kanë kritikuar për zvarritje të procesit.
Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.