Albi Qamili: Nuk ka dokument ku konfirmohet se është kërkuar pëlqim nga qeveria për ndryshimin e emrave, le ta nxjerrin nëse ekziston

Nuk ka dokument se Komuna e Tetovës ka kërkuar pëlqim nga Qeveria për ndryshimin e emrave të rrugëve në vitin 2007. Kështu thotë Albi Qamili nga Komuna e Tetovës, pas akuzave të BDI-së se komuna nuk i është përgjigjur Gjykatës Kushtetuese, e cila e shfuqizoi këtë vendim në mungesë të këtij dokumenti. Qamili thotë se në bazë të dokumentacionit në dispozicion i janë përgjigjur gjykatës, raporton Portalb.mk.

Qamili përmes një deklarate për shtyp i demantoi pretendimet se Komuna e Tetovës nuk është përgjigjur në kërkesat e Gjykatës Kushtetuese, ai tha se dokumentacionin e kanë kërkuar nga Arkivi Shtetëror pasi lënda është e vjetër, dhe në bazë të dokumnetacionit në dispozicion i janë përgjigjur Gjykatës Kushtetuese.

Ai tha se nuk kanë pasur përgjigje nga Arkivi Shtetëror se ekziston kërkesë për pëlqim për ndryshimin e emrave e dorëzuar në Qeveri, ashtu siç e parasheh Ligji për përcaktimin e emrave të rrugëve.

“Problemi ekziston se në vitin 2007, në vendimin e vitit 2007, këshilli komunal i atëhershëm pas siç thonë dërgimit të listës në qeveri, ashtu siç thonë ata se e kanë dërguar, sepse ne nuk kemi asnjë fakt se ajo listë është dërguar në qeveri, edhe në qoftë se kanë dërguar, ata që e kanë këtë kërkesë le të na dorëzojnë. Edhe pasi e kanë dorëzuar dhe nuk kanë pasur përgjigje, kur e kanë miratuar vendimin në këshillin komunal nuk janë thirrur në Nenin 37 të Ligjit për vetëqeverisje lokale por atë vendim e kanë marrë në bazë të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve që aty medoemos parashihet pëlqim nga qeveria”, tha Qamili.

Ai tha se komuna po punon për emërimin e rrugëve pa emra që janë me numra dhe se aty do të jenë të përfshira edhe emrat e vitit 2007 që i shfuqizoi Gjykata Kushtetuese. Për këtë, ai tha se kanë marrëveshje me VMRO-DPMNE-në. Sipas Qamilit, brenda këtyre dy muajve pritet të ketë diçka më konkrete në këtë drejtim, duke mos precizuar afate.

Më poshtë është sqarimi i plotë nga Albi Qamili.

Nga ana tjetër, Bashkimi Demorkatik për Integrim të shtunën (11 korrik) do të dalë përsëri në protestë pasi Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të Tetovës të sjella në vitin 2007.

Nga kjo parti vazhdojnë të theksojnë se përgjatë një viti, Komuna e Tetovës katër herë nuk e ka dorëzuar dokumentacionin e kërkuar nga Gjykata Kushtetuse dhe se kjo heshtje institucionale dhe ky mosveprim rezultuan me shfuqizimin e vendimit për emërimin e rrugëve dhe sheshit të Tetovës, si dhe me rikthimin e emrave të vjetër nga periudha e monizmit.

“BDI – Dega Tetovë kërkoi seancë të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal, por kjo kërkesë u hodh poshtë. Gjithashtu dy herë, përmes kërkesave për qasje të lirë në informata me karakter publik, kërkuam publikimin e dokumentacionit dhe të gjithë korrespondencës institucionale. Edhe ndaj këtyre kërkesave, Komuna e Tetovës zgjodhi heshtjen”, thonë nga BDI.

Për këtë arsye BDI – Dega Tetovë njoftoi se të shtunën do të organizojnë për herën e dytë protestë, e para u mbajt më 26 qershor.

Ora dhe ruta e protestës pritet të bëhen të ditura sot gjatë ditës.

Protesta kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për emrat e rrugëeve dhe shesheve të Tetovës. Foto nga Portalb.mk
Protesta kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për emrat e rrugëeve dhe shesheve të Tetovës. Foto nga Portalb.mk

Pse e shfuqizoi Gjykata Kushtetuese vendimin?

Ja çfarë thuhet në vendim:

Gjykata, për shkak të mosdorëzimit të dokumentacionit në tërësi, në katër raste i ka kërkuar Komunës së Tetovës të dorëzojë të gjithë dokumentacionin që i ka paraprirë miratimit të vendimit të kontestuar. Por nga ana e Komunës është dorëzuar vetëm Lista e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Komunën e Tetovës, nr. 07-1820/3, e miratuar më 30.11.2006 dhe e publikuar në “Gazetën Zyrtare të Komunës së Tetovës” nr. 18/2006 më 04.12.2006.

Më tej, Gjykata Kushtetuese në tre raste i është drejtuar edhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut me kërkesë për dorëzimin e pëlqimit të kërkuar, por ai nuk është dorëzuar.

Gjithashtu, nga shqyrtimi i dokumentacionit të dorëzuar u konstatua se nuk ka dëshmi se komuna ka dorëzuar kërkesë te Qeveria për dhënien e pëlqimit të nevojshëm, as akt me të cilin Qeveria ka dhënë pëlqim për Listën, në përputhje me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, për shkak të së cilës Gjykata konstatoi se ky kusht ligjor nuk është përmbushur.

Gjykata e ka dorëzuar Aktvendimin UZ.nr.10/2025 të datës 4 mars 2026 te miratuesi i aktit dhe te Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me kërkesë që të deklarohen lidhur me pretendimet në të.

Këshilli i Komunës së Tetovës ka dorëzuar vetëm përgjigje në të cilën thekson se në fazën e procedurës paraprake për miratimin e vendimit të kontestuar i janë drejtuar Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për marrjen e pëlqimit paraprak, por brenda afatit ligjor të paraparë në nenin 73 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, Qeveria nuk ka dorëzuar përgjigje, ndërsa mosdhënia e përgjigjes nuk paraqet pengesë juridike për vazhdimin e procedurës nga organi që e zhvillon procedurën.

Por Gjykata, gjatë marrjes së Vendimit, e ka pasur parasysh dispozitën ligjore të nenit 73 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili përcakton se nëse gjatë miratimit të një akti komunal kërkohet pëlqim paraprak nga një organ tjetër, ai organ duhet ta japë atë më së voni brenda 60 ditëve nga dita e dorëzimit të propozimit të aktit, ndërsa nëse organi nuk e jep pëlqimin e kërkuar, akti konsiderohet i pranuar ashtu siç është propozuar nga komuna, për shkak të së cilës Gjykata në disa raste gjatë procedurës paraprake i është drejtuar Komunës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për dorëzimin e të gjithë dokumentacionit që i ka paraprirë miratimit të vendimit të kontestuar, por ato nuk janë dorëzuar në tërësi. Gjithashtu, Komuna edhe në përgjigjen e dorëzuar lidhur me vendimin nuk e ka dorëzuar kërkesën e paraqitur për dhënien e pëlqimit paraprak te Qeveria, për shkak të së cilës Gjykata solli këtë vendim.

Sipas gjykatës, vendimi i kontestuar është në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, dhe me një veprim të tillë shkelet sundimi i së drejtës si vlerë themelore dhe siguria juridike si pjesë përbërëse e saj nga neni 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe neni 51 i Kushtetutës.

Heshtje qeveria dhe ministria

Portalb.mk tani e disa ditë ka kërkuar sqarime shtesë edhe nga Qeveria si dhe Ministria e Transportit, nëse kanë pranuar kërkesë për pëlqim të ndryshimit të emrave në vitin 2006/2007, por nga aty nuk përgjigjen.

Portalb.mk ka kërkuar nga të tre institucionet këto informata edhe përmes Ligjit për qasje në informata me karakter publik, ndërsa incitucionet detyrohen që në afatin ligjor të japin informatat e kërkuara.

Në ndërkohë, ish-sekretarja e Komunës së Tetovës Lejla Kadriu e cila ishte në këtë detyrë në vitin 2007 kur u soll ky vendim, për Portalb.mk ka thënë se Komuna e Tetovës i ka respektuar të gjitha procedurat ligjore, ku ka dërguar edhe kërkesë për pëlqim nga qeveria para se ta miratojë vendimin për ndryshimin e emrave të disa rrugëve dhe sheshit.

Edhe ishkryetari i Këshillit Komunal të Tetovës në kohën kur u soll vendimi, tani më i shfuqizuar, Resi Abdurahmani nga radhët e BDI-së, për Alsat ka deklaruar se asokohe, sipas tij kanë dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Transportit për të marrë pajtim për ndryshimin e emrave, megjithatë nuk kanë marrë përgjigje nga Ministria. Siç tha Abdurrahmani, heshtjen e ministrisë, komuna e ka llogaritur si përgjigje pozitive dhe për këtë këshilli e ka votuar në seancë.

Kronologjia e ngjarjes

Në opinion kanë vërshuar reagimet dhe akuzat pasi Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin Komuna e Tetovës i ndryshoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të qytetit. Por si qëndron e vërteta, si filloi gjithçka dhe pse u shfuqizuan këto emra, Portalb.mk sjell një kronologji të të gjithë procesit ndër vite.

Gjithçka nisi në 2007

Më 24.04.2007 në kohën kur Komuna e Tetovës udhëhiqej nga BDI-ja, kur kryetar ishte Hazbi Lika, Këshilli Komunal solli vendim për ndryshimin e emrit të sheshit dhe disa rrugëve nga emrat periudhës së komunizmit në emra të tjerë.

Sheshi i qytetit dhe shtatë rrugë morën emra në gjuhën shqipe, ndërsa tre rrugë u riemëruan në maqedonisht, edhe atë si vijon:

  • Sheshi i qytetit “Marshall Tito” u emërua ‘Iliria’.
  • Rruga ‘Marshall Tito’ u emërua ‘Iliria’.
  • Rruga ‘JNA’ prej Kullës në rrugën ‘Ilindenska’ deri te udhëkryqi i rrugës ‘Bllagoja Toska’ u emërua ‘Dervish Cara’.
  • Pjesa nga rruga ‘JNA’ prej udhëkryqit në rrugën ’Bllagoja Toska’ deri në fund të rrugës ‘JNA’ u emërua ‘Solunski Atentatori – Geminxhii’.
  • Rruga ‘29 Nëntori’ u emërua ‘Mehmet Pashë Deralla’.
  • Rruga ‘I.R.Llolla’ deri te Shkolla e Muzikës u emërua ‘Kongresi i Manastirit’..
  • Pjesa nga rruga ‘I.R.Llolla’ nga Shkolla e Muzikës deri te udhëkryqi te Stadiumi i qytetit u emërua ‘Krushevska Republika’.
  • Pjesa e rrugës ‘I.R.Llolla’ nga udhëkryqi te Stadiumi i qytetit deri në Poroj-Xhepçisht u emërua ‘Dëshmorët e Kombit’.
  • Rruga ‘Boris Kidriç’ u emërua ‘Metodi Andonov Çento’.
  • Rruga ‘R.Coniq’ u emërua në ‘Abdyl Frashëri’.
  • Rruga ‘Lenin’ u emërua në ‘Sami Frashëri’.

Sipas Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, ky proces duhej të merrte pëlqim nga Qeveria.

Megjithatë ky vendim nuk mori pëlqim nga Qeveria e atëhershme e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe PDSH.

Si rezultat, emrat e ri të rrugëve nuk figuruan në Kadastër dhe në Regjistrin Qendror, por u përdorën vetëm nga Komuna e Tetovës.

Nga institucionet qendrore vazhduan me vite të përdoren emrat e vjetër.

Por, neni 73 i Ligjit për vetëqeverisje lokalepërcakton se nëse gjatë sjelljes së dispozitës së komunës kërkohet pëlqim paraprak nga organ tjetër, organi pëlqimin e jep më së voni në afat prej 60 ditësh nga dita kur i është dorëzuar propozim dispozita. Ndërkaq, nëse pëlqimi paraprak nuk merret në afat prej 60 ditëve, dispozita konsiderohet si e pranuar ashtu siç ka qenë e propozuar nga komuna.

Në 2025 Lidhja e Luftëtarëve nga LNA-ja e kontestoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese

Më 11.02.2025, Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, parashtroi nismë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës me të cilin u ndryshuan emrat e rrugëve, gati dy dekada më vonë.

Sipas pretendimeve në iniciativë, vendimi i kontestuar është në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore.

Në mars 2026 Gjykata Kushtetuese e pranoi nismën dhe hapi lëndë

Më 04.03.2026, Gjykata Kushtetuese solli vendim me të cilin hapi lëndë për vlerësimin e kushtetutshmërisë për ndryshimin e emrave të disa rrugëve dhe sheshit në Tetovë.

Qershor 2026, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin

Më 17.06.2026, me 5 vota “për” nga gjykatësit maqedonas, dhe votim ‘kundër’ nga dy gjyqtarët shqiptarë dhe ai i turk, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin u bënë ndryshimet e emrave të disa rrugëve dhe sheshit të qytetit.

Çili është arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese?

Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit për emrat e rrugëve të vitit 2007 në Tetovë:

Gjatë procedurës, për shkak të mosdorëzimit të dokumentacionit të plotë, Gjykata në katër raste kërkoi nga Komuna e Tetovës që të dorëzonte të gjithë dokumentacionin që i kishte paraprirë miratimit të vendimit të kontestuar. Megjithatë, nga ana e Komunës nuk u dorëzua as pëlqimi dhe as kërkesa për pëlqim që ishte dërguar te Qeveria, por vetëm Lista e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Komunën e Tetovës, e miratuar më 30.11.2006.

Më tej, Gjykata Kushtetuese në tri raste kërkoi nga Qeveria që të dorëzonte pëlqimin e kërkuar, por ai nuk u dorëzua.

Si rrjedhojë, nga shqyrtimi i dokumentacionit të dorëzuar u konstatua se Komuna e Tetovës nuk kishte paraqitur kërkesë pranë Qeverisë për marrjen e pëlqimit të nevojshëm dhe as nuk ekzistonte akt me të cilin Qeveria kishte dhënë pëlqim për Listën, në përputhje me nenin 5, paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore. Për këtë arsye, Gjykata konstatoi se ky kusht ligjor nuk ishte përmbushur.

Sipas nenit 5, paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, për miratimin e vendimi për ndryshimin e emrave kërkohet pëlqimi paraprak i Qeverisë.

Me miratimin e vendimit pa pëlqimin e nevojshëm të Qeverisë, Komuna e Tetovës ka shkelur parimin e sundimit të ligjit, të përcaktuar në nenin 8, paragrafi 1, alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe nenin 5, paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore.

Nismë e re për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë që nga 2022 por pa epilog

Procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë filloi por nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021/25 dhe procesi u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale.

Grupi i punës për këtë çështje u riformua në janar të këtij viti, ndërsa gjashtë muaj më vonë ende nuk ka diçka konkrete.

Nga opozita kanë kritikuar për zvarritje të procesit.

Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.