Përsëri debate etnike në Tetovë, u riformua grupi punues për riemërimin e rrugëve

Këshilli i Komunës së Tetovës sot e riformoi grupin e punës për riemërimin e rrugëve në Komunën e Tetovës pasi këshilli paraprak nuk arriti ta përfundojë këtë proces për shkak të zgjedhjeve lokale, raporton Portalb.mk.

Kjo pikë e rendit të ditës e hapi debatin etnik midis këshilltarëve se kush, ku është shumicë dhe ku pakicë.

“Ne maqedonasit këtu në Tetovë jemi pakicë por edhe shqiptarët në nivel të shtetit janë pakicë, dhe këto tema janë shumë të ndjeshme sepse Tetova ka probleme tjera jetike që duhet të zgjidhen se sa kjo pikë që është shumë e ndjeshme. Prandaj, edhe jemi kundër kësaj pike”, tha këshilltari i Levicës, Boban Ilievski.

Sipas këshilltarët të AKI-së, Arlind Murtezani, shqiptarët janë shtet formues dhe nuk janë pakicë në shtet.

“Ne nuk jemi pakicë dhe jemi shtet formues. Regjistrimi i fundit tregoi se maqedonasit në Tetovë janë ndër 17 përqind kurse në nivel të shtetit jemi 30 përqind. Kërkoj që ta mbështesni këtë pikë edhe ju si këshilltarë sepse është në të mirën tuaj”, tha Murtezani.

Në ndërkohë, këshilltari i LSDM-së Zhive Aleksovski kërkoi që VMRODPMNE-ja të qartësojë këto ndryshime.

“Kërkojmë publikisht nga VMRO-DPMNE-ja që të del dhe të thotë qëndrimin e saj se a është pro ndryshimit të emrave të rrugëve, kurse në nuk do të përkrahim këtë propozim dhe nuk do të marrim pjesë në debat”, tha Aleksovski.

Këshilltari i VMRODPMNE-së, Angell Karapetrov tha se nuk do të ketë riemërime të rrugëve por vetëm emra për ato rrugë që nuk kanë numra. Ai madje u thirr në mbrojtje nga qeveria se vendimi në fund do të duhet të kalojë në seancë qeveritare.

“Pa asnjë emër dhe numër janë 250 rrugë. Për rrugët që kanë emra e kemi thënë qëndrimin, nuk pranojmë ndërrim të emrave të atyre rrugëve’, tha Karapetrov.

Reagoi edhe këshilltari Agron Arifi nga “Më mirë për Tetovën”, sipas tij, shqiptarët nuk janë pakicë në shtet ndërsa krahas shumë problemeve edhe ky është një problem i këtij qyteti dhe duhet të zgjidhet.

Me këtë grup punues do të udhëheqë këshilltari nga VLEN, Albi Qamili.

“Nuk mendoj që do ketë ndonjë problem, sepse e thash, riemërtimi i rrugëve në Tetovë pasqyroj realitetin qytetar, karakterin urban, historinë e identitetin e Tetovës dhe nuk mendoj që do kemi ndonjë mos marrëveshje. Kryesisht do jemi të fokusuar tek rrugët që nuk kanë aspak emër, por edhe emrat e rrugëve ekzistuese do kenë padyshim ndryshime”, tha Qamili.

Procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021/25 dhe procesi u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale, dhe me këtë vendim të sotëm pritet të vijojë me hapat e mëtejshëm.

Në këtë proces nuk është i përfshirë ndryshimi i emrave të shkollave dhe institucioneve publike, ashtu siç u promovua në vitin 2022 përmes nismës për ndryshimin e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike në Tetovë nga Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Art dhe Shkencë dhe Komunës së Tetovës.

Në Tetovë edhe pse disa rrugë janë emëruar në gjuhën shqipe, të njëjtat shfrytëzohen vetëm nga Komuna e Tetovës gjatë komunikimit me qytetarët kurse në dokumente zyrtare vazhdojnë të qëndrojnë emrat nga koha e ish Jugosllavisë.

Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.