Spasovski: Në të gjitha qytetet jashtë Shkupit punohet pa termine për ndërrim dokumentesh, secili do të shërbehet

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski sot gjatë realizimit të projektit Kabineti i Hapur në SPB Strumicë është pyetur për ndërrimin e dokumenteve personale, përkatësisht për mundësinë e qytetarëve që jetojnë jashtë Shkupit për të zëvendësuar dokumentet personale. Spasovski informoi se qytetarët brenda vendit e kanë tejkaluar 80% të zëvendësimit të dokumenteve personale të qytetarëve, transmeton Portalb.mk.

“Po ashtu, është lëshuar urdhër nga ndihmësministri i Departamentit për punë civile, në të gjitha qytetet jashtë Shkupit, tashmë po punohet pa termin – të gjithë ata që vijnë do të shërbehen. Për momentin nuk ka asnjë vlerësim se do të ketë ndonjë problem dhe pres që të përfundojë me sukses. Në Shkup, pika e sapohapur i kontribuon shumë dinamikës së madhe. Sipas vlerësimeve, të gjitha zëvendësimet mund të përfundojnë në muajin ose dy në vijim. Do të punojmë intensivisht dhe do t’i analizojmë gjërat çdo ditë”, tha ministri Spasovski, duke kujtuar se orari i punës së pikës së sapohapur është nga ora 08:00 deri në ora 18:00 çdo ditë pune.

Në të njëjtën kohë, Spasovski u shpreh kategorik se nuk do të ketë dënime për të gjithë personat që nuk i ndryshojnë dokumentet personale deri në afatin ligjor – shkurt.

“Asnjë qytetar nuk do të marrë dënim dhe as nuk do t’i mohohet ushtrimi i ndonjë të drejte në shtet. Të përfundojmë detyrimet tona qytetare. Nuk do të ketë pasoja për askënd”, tha ministri Spasovski.

Kujtojmë se dje MPB hapi pikë të re për ndryshimin e dokumenteve persona. Në stacionin policor Prolet në Komunën Qendër, banorët e Shkupit do të mund të fotografohen dhe të lënë të dhëna biometrike për të zëvendësuar dokumentet e tyre personale me emrin e ri kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pa termin paraprak, në përputhje me ndryshimet në Kushtetutë pas Marrëveshjes së Prespës.

Si arsye për hapjen e kësaj pike Spasovski përmendi numrin e popullsisë në Shkup, si dhe faktin se një numër i madh i termineve të parapara anulohen nga qytetarët.

Siç informoi dje Spasovski, deri në këtë moment në nivel shtetëror janë zëvendësuar rreth një milion e pesëdhjetë mijë pasaporta, rreth 900 mijë letënjoftime dhe 480 mijë leje vozitjeje.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme muajin e kaluar kishte paralajmëruar që po përgatit hapësira shtesë pune për rritje të kapaciteteve për dhënie të dokumenteve personale me emrin e ri kushtetues.

Përndryshe, Marrëveshja e Prespës me Greqinë është nënshkruar më 17 qershor 2018. Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën me dokumente për përdorim ndërkombëtar dhe dokumente për përdorim të brendshëm, por që mund të përdoren jashtë vendit. Marrëveshja thekson se vlefshmëria e këtyre dokumenteve dhe materialeve do të rinovohet në përputhje me emrin dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Kjo dispozitë i referohet dokumenteve për përdorim të brendshëm, por që mund të përdoren edhe jashtë vendit dhe dokumente të tilla janë letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi.

Përndryshe, në mars të këtij viti, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.