Shkup, nga 1.000 qytetarë në ditë do të mund t’i ndërrojnë dokumentet personale pa termin, MPB hapi pikë të re

Prej sot, stacioni policor Prolet në Komunën Qendër, ku banorët e Shkupit do të mund të fotografohen dhe të lënë të dhëna biometrike për të zëvendësuar dokumentet e tyre personale me emrin e ri kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pa termin paraprak, në përputhje me ndryshimet në Kushtetutë pas Marrëveshjes së Prespës, transmeton Portalb.mk.

Me atë rast, pikën e cila gjendet në sallën sportive të policisë rrugore në SP Prolet, e vizitoi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, me udhëheqësinë e MPB-së, i cili tha se janë hapur dhjetë stacione pune ku qytetarët do të mund të fotografohen për ndryshim të dokumenteve personale.

“Nga sot fillojmë zyrtarisht procesin e fotografimit për dokumente personale dhe marrjes së të dhënave biometrike të qytetarëve të Shkupit pa termin paraprak si procedurë e rregullt për të mundësuar ndryshimin e dokumenteve personale brenda afatit të përcaktuar ligjor deri në shkurt të vitit 2024, obligim i detyrueshëm pas ndryshimit të Kushtetutës. Për këtë arsye kemi instaluar dhjetë stacione pune ku qytetarët mund të fotografohen për dokumente”, tha Spasovski pas vizitës së pikës së hapur për ndryshim të dokumenteve.

Duke informuar për punën e pikës së re, e cila duhet të lehtësojë dhe shpejtojë nxjerrjen e dokumenteve të reja personale, Spasovski tha se sistemi është testuar dhe mundëson që rreth 1.000 persona të kalojnë tërë procedurën në ditë.

Orari i punës së pikës, siç informoi ministri, do të jetë nga ora 08:00 deri në 18:00, me mundësi vazhdimi deri në orën 20:00.

Si arsye për hapjen e kësaj pike Spasovski përmendi numrin e popullsisë në Shkup, si dhe faktin se një numër i madh i termineve të parapara anulohen nga qytetarët.

“Rreth 70 për qind e termineve të planifikuara që qytetarët i kanë rezervuar përmes numrit të telefonit apo elektronik, i anulojnë, pra nuk paraqiten në ato termine dhe njëkohësisht ricaktohen me termine të reja, pra vonohet procesi. Prandaj, si kryesi e Ministrisë së Punëve të Brendshme, vendosëm të takojmë qytetarët, të krijojmë mundësinë që procedura të fillojë pa termin të procedurës së rregullt, por duke u paraqitur personalisht në sallë sipas parimit – i pari vjen i pari shërbehesh. Edhe një herë dua t’u dërgoj mesazh qytetarëve që të përmbushin detyrimin e tyre me këtë sistem të përshpejtuar të ndryshimit të dokumenteve personale, duke respektuar rendin dhe disiplinën në godinë dhe sigurisht të kërkoj durim dhe mirëkuptim, që të gjithë të kenë mundësi të realizojnë të drejtën e tyre”, tha ministri i Punëve të Brendshme.

Sipas të dhënave që ai ndau sot për mediat, deri në këtë moment në nivel shtetëror janë zëvendësuar rreth një milion e pesëdhjetë mijë pasaporta, rreth 900 mijë letënjoftime dhe 480 mijë leje vozitjeje.

“Është për t’u përshëndetur që më shumë se 80 për qind e qytetarëve nga brenda vendit kanë bërë ndryshimin e dokumenteve të tyre personale”, theksoi Spasovski.

I pyetur se çfarë do të ndodhë me pikln pasi të përfundojë detyrimi për ndryshimin e dokumenteve personale, ministri i Brendshëm tha se me shumë mundësi do të pushojë së funksionuari.

“Kjo është një pikë që është e përkohshme dhe funksioni i së cilës është të mundësojë një fluks më të shpejtë në këtë moment, sepse janë vendosur 10 stacione të reja. Kur të përfundojë i gjithë procesi, atëherë do të bëhen vlerësimet dhe me shumë mundësi pika nuk do të mbetet përgjithmonë sepse kemi disa pika në Shkup – një në Radio-Televizionin e Maqedonisë, kemi në stacionin ‘Beko’, në Kisella Vodë, kemi në Gjorçe Petrov”, tha Spasovski.

Sa i përket dhënies së dokumenteve, ai tha se nuk ka ndërprerje të procesit të prodhimit dhe se të gjithë i marrin dokumentet brenda afatit ligjor, si ata që kanë aplikuar për procedurë të përshpejtuar ashtu edhe ata që kanë aplikuar për procedurë të rregullt.

I pyetur nëse i ka rinovuar personalisht dokumentet personale, ministri i Brendshëm tha se i ka mbetur vetëm letërnjoftimi për ta zëvendësuar me një të ri.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme muajin e kaluar kishte paralajmëruar që po përgatit hapësira shtesë pune për rritje të kapaciteteve për dhënie të dokumenteve personale me emrin e ri kushtetues.

Përndryshe, Marrëveshja e Prespës me Greqinë është nënshkruar më 17 qershor 2018. Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën me dokumente për përdorim ndërkombëtar dhe dokumente për përdorim të brendshëm, por që mund të përdoren jashtë vendit. Marrëveshja thekson se vlefshmëria e këtyre dokumenteve dhe materialeve do të rinovohet në përputhje me emrin dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Kjo dispozitë i referohet dokumenteve për përdorim të brendshëm, por që mund të përdoren edhe jashtë vendit dhe dokumente të tilla janë letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi.

Përndryshe, në mars të këtij viti, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.