Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Matematikës në Shkup tashmë ka ndriçim rrugor dhe roje (VIDEO)

Asambleja Studentore  e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodij’  dhe dekani i fakultetit të Shkencave Natyrore, Davorin Trpevski, të martën (14 nëntor)  informuan studentët e Shkencave Natyrore dhe Matematikës se do të ketë roje në fakultet, ushtrimet nuk do të mbahen pas orës 16:00 dhe se do të rritet siguria e lokacionit. Për t’i vërtetuar të gjitha këto gazetarë të Portalb.mk dhe Meta.mk, dje pasdite vizituan fakultetin dhe vërejtëm se kishte të vendosur ndriçim rrugor dhe roje i cili ruante të gjithë hapësirën në afërsi të kampusit, studentët pohuan se të gjitha këto ndryshime kanë ndodhur këto tre ditët e fundit, raporton Portalb.mk.

Studentët e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematikës javën e kaluar janë ankuar se duke shkuar dhe duke u kthyer nga fakulteti, ata sulmohen nga persona të panjohur dhe u vidhen gjësendet personale. Pas alarmimit të Portalb.mk, Asambleja Studentore e Universitetit publikoi një lajmërim se kërkesat e studentëve do të përmbushen, pak kohë më vonë edhe dekani i lajmëroi studentët për të njëjtën duke thënë se derisa të gjejnë një agjenci për siguri të pronës në kampus do të ketë roje që do të shoqërojë studentët deri në shkallë edhe turbe. Ai gjithashtu lajmëroi se do të ketë edhe patrulla policore dhe se të gjitha aktivitetet e fakultetit do të mbarojnë deri në ora 17:00, ndërsa aktivitetet brenda vikendit nuk do të mbahen më.

Gazetarë të Portalb.mk dhe Meta.mk, dje në orët e vona të pasdites, ishin në teren në fakultet për të parë se me çka përballen studentët çdo ditë për në ligjërata dhe nëse në fakt janë siguruar masat e paralajmëruara.

Shkallët të cilat dërgojnë në fakultet ishin të ndriçuara, mirëpo në disa pjesë të rrugës përsëri ishte errësirë ashtu sikur parkingu i fakultetit i cili ndodhet në afërsi të objektit të fakultetit.

Një student i vitit të parë për Portalb.mk tha se që të martën në fakultet ka roje i cili ruan të gjithë hapësirën e fakultetit dhe se janë vendosur drita që deri tani nuk kanë ndriçuar.

I pyetur nga gazetarët në qoftë se ende kanë aktivitete pas orës 17:00 dhe nëse kanë aktivitete gjatë vikendit, studenti theksoi se në orët e vona të pasdites, ai nuk ka aktivitete mirëpo këtë të shtunë edhe tjetrin vikend ai ka të caktuar kolokuium . Edhe pse universiteti lajmëroi se nuk do të ketë aktivitete për vikend.

Një tjetër studente e ciklit të tretë, që po ndjek studimet në këtë fakultet që prej vitit 2011 tha se që kur ajo mban mend gjërat kanë qenë kështu në fakultet, studentët janë sulmuar, u janë vjedhur gjësendet personale.

Ajo gjithashtu pohoi se drita ka pasur edhe më parë, por pretendon se ato dëmtohen nga banorët që jetojnë në afërsi të fakultetit.

“Drita ka pasur edhe më parë, por shpesh ndodh që banorët që jetojnë në afërsi të fakulteti i thyejnë dhe i dëmtojnë. Nuk e di për çfarë arsyeje, mirëpo ne përsëri mbesim në errësirë meqenëse ato duhet të ndryshohen dhe kjo merr kohë.”  tha studentja.

Përveç problemit të hajdutëve dhe personave të papërgjegjshëm, studentja deklaroi se kanë problem me qentë endacak dhe me qentë që banorët i kanë për luftë dhe që i lëshojnë të lirë.

“Probleme tjera me të cilat përballemi ne janë edhe qentë endacak, por edhe qentë që përdoren për luftë. Banorët shqiptarë që jetojnë në afërsi të Fakulteti ruajnë qen të mëdhenj të racës “Kangall” dhe i lëshojnë ata të lirë. Ndonjëherë qentë mblidhen përpara objektit të fakultetit dhe as edhe roja s’mund të dalë jashtë, s’kemi çka të ju bëjmë”, deklaroi studentja.

E pyetur në qoftë se a ka parë patrulla policore që kontrollojnë vendin ajo tha se vetëm kur ndodh diçka apo janë duke ndjekur dikë.

Një grup studentesh të vitit të dytë thanë se ato kujdesen që të mos mbesin rrugës vetë dhe që të shkojnë bashkë në fakultet për shkak se nuk ndjehen të sigurta. Ata deri tani për shkak se nuk ka pasur ndriçim rrugor, kanë ndriçuar me dritën e telefonit. Ata gjithashtu shtuan se raste të tilla kishte më shumë edhe vitin e kaluar, por që studentët nuk i kanë paraqitur.

Fakultetit i Shkencave Natyrore dhe Matematikës gjendet në Komunën e Gazi Babës në Shkup, gjegjësisht në afërsi të malit të Gazi Babës. Studentët për të arritur në fakultet duhet të ngjisin disa shkallë te të cilat deri para tre ditëve të fundit nuk ka pasur ndriçim rrugor, kamera sigurie dhe që në qershor të këtij viti janë paraqitur tre raste ku studentët janë sulmuar nga hajdutë.

Studentët e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematikës në Shkup, javën e kaluar kanë nënshkruar një peticion me disa kërkesa nga fakulteti që të rritet siguria e studentëve rrugës për në ligjërata. Pas  alarmimit të Portalbit për ankesat e studentëve , Universiteti nëpërmejt rrjeteve sociale i lajmëroi studentët se do të ndërmerren masa.