Është e pavërtetë deklarata e Qeverisë së RMV-së e vitit 2018 se qytetarët nuk do të kenë shpenzime shtesë për dokumente personale

Pritjet për termin për dokumente të reja personale, afati prej vetëm gjashtë muajsh për të marrë të reja dhe pamundësia e qytetarëve për të gjetur termin për letërnjoftim të ri, patentë dhe pasaportë, janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballen qytetarët e Maqedonisë pasi MPB paralajmëroi se të gjitha dokumentet personale me emrin e vjetër “Republika e Maqedonisë” nuk do të jenë të vlefshme pas datës 12 shkurt 2024, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Krahas kësaj, kostoja e qytetarëve për nxjerrjen e dokumenteve personale bie mbi kurriz të tyre.

Kjo bie ndesh me deklaratat e zyrtarëve të qeverisë në vitin 2018, të cilët deklaruan se nuk do të ketë harxhime shtesë për qytetarët dhe se dokumentet e udhëtimit do të ndërrohen pas skadimit të tyre.

“Sa i përket shpenzimeve, ajo që mund të themi për momentin është se jo të gjitha dokumentet e udhëtimit do të ndërrohen brenda një dite, por cili dokument udhëtimi do të ndërrohet pasi i skadon afati. Kjo do të thotë se ato shpenzime në lidhje me dokumentet e udhëtimit do të jenë në drejtim të shpenzimeve të rregullta për sigurimin e dokumenteve të udhëtimit që i kanë qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Për të gjitha kostot e tjera aktualisht po bëhet një analizë, ekziston mundësia që ato të paketohen në mënyra që qytetarët e Maqedonisë nuk do të ndjejë asnjë kosto shtesë”, deklaroi më 14 qershor 2018, zëdhënësi i atëhershëm i qeverisë Mile Boshnjakovski.


Deklarata se qytetarët nuk do të ekspozohen ndaj shpenzimeve për nxjerrjen e dokumenteve të reja në të cilat do të shkruhet emri i ri i shtetit, ka dhënë edhe kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev në nëntor 2018, siç dëshmojnë shkrimet në media.

“Kjo është në përputhje me Marrëveshjen, e cila e lejon dhe garanton qytetarët se nuk do të kenë shpenzime shtesë për dokumente të caktuara dhe të ngjashme, gjegjësisht do të respektohet afati i skadimit të dokumenteve”, tha ai.

Përndryshe, Marrëveshja e Prespës me Greqinë është nënshkruar më 17 qershor 2018. Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën me dokumente për përdorim ndërkombëtar dhe dokumente për përdorim të brendshëm, por që mund të përdoren jashtë vendit. Marrëveshja thekson se vlefshmëria e këtyre dokumenteve dhe materialeve do të rinovohet në përputhje me emrin dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Kjo dispozitë i referohet dokumenteve për përdorim të brendshëm, por që mund të përdoren edhe jashtë vendit dhe dokumente të tilla janë letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi.

Përveç kësaj, edhe pse kushtet e Marrëveshjes filluan me ndryshimin e Kushtetutës në shkurt të vitit 2019, ata nuk filluan me kohë lëshimin e dokumenteve personale me emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut. Lëshimi i dokumenteve personale me emrin e ri të shtetit nuk ka nisur deri në gusht të vitit 2021, pra me vonesë prej më shumë se dy vitesh, çka ka krijuar edhe më tej kaos në pritjen e termineve. Nga ana tjetër, të gjithë qytetarët që kanë ndërruar dokumentet personale në periudhën 2019-2021 për shkak të skadimit të afatit, tani duhet të marrin të reja nga buxheti i tyre.

Për të gjitha sa më sipër, dhe duke pasur parasysh se qytetarët ende paguajnë nga xhepat e tyre për dokumentet personale që janë ende të vlefshme, vlerësojmë se deklaratat e bëra nga Qeveria në vitin 2018 janë të pavërteta.

Përndryshe, në mars të këtij viti, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.