RMV, opozita shqiptare formoi grup të përbashkët parlamentar

Lidhja Evropiane për Ndryshim, pas formalizimit të emrit të ri të koalicionit, sot ka vendosur t’i bashkojë edhe deputetët e saj në një grup të përbashkët parlamentar. Në frymë të vendimit të organeve të të tre partive, sot kanë dorëzuar te kryetari i Kuvendit njoftimin se tash e tutje ata do të kenë grup të përbashkët parlamentar, transmeton Portalb.mk.

Koordinatore e këtij grupi, me dakordim trepalësh, është caktuar deputetja Safije Sadiki Shaini, ndërsa zëvendëskoordinatore do të jetë deputetja Merita Koxhaxhiku.

“Në këtë mënyrë, Lidhja Europiane për Ndryshim synon t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet që i lejon Rregullorja e Kuvendit për grupet parlamentare. Dhe, ndonëse mandati parlamentar është kah fundi, konsiderojmë se ka mjaft çështje dhe procese të hapura që kanë të bëjnë me perspektivën europiane të shtetit, për çfarë Lidhja jonë është jashtëzakonisht e interesuar të ndihmojë. Në këtë drejtim, edhe formimi i grupit parlamentar do të jetë një vlerë shtesë në këtë organizim bashkëpunim. Që këtu duam që qytetarëve t’ua japim lajmin e gëzuar se bashkim ynë po rritet dhe fuqia jonë po shtohet”, thuhet në kumtesë.

Ata i bënë thirrje kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, të mos e zvarrisë zgjedhjen e anëtarit të KSHZ-aë që i takon opozitës, sepse kjo e bën bashkëfajtor për mosrespektimin e Kodit Zgjedhor.

“Ne e kuptojmë manipulimin dhe tendencën e tij, por le ta dijë se kjo te ne nuk kalon. Ne jemi të vendosur që ta bëjmë këtë betejë deri në çlirimin e plotë të shqiptarëve nga regjimi i BDI-së dhe çirakëve të tyre. Në këtë rrugë asgjë nuk na dekurajon. Madje, sa më shumë që mendojnë se na godasin dhe na pengojnë, kjo veç na bën më të fortë. Shumica e popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, që deshi të na shohë neve bashkë në këtë Lidhje, e dëshiron ndryshimin dhe këtë ortek të ndryshimit s’ka gjë që e ndalë. Ne jemi këtu vetëm që ta përmbushim këtë detyrim dhe të punojmë me përkushtim për ta siguruar suksesin e së ardhmes sonë të përbashkët”, thuhet në njoftimin e Lidhjes.

Lidhja Evropiane për Ndryshim ka shtatë deputetë, tre nga Alternativa, tre nga grupi i Izet Mexhitit dhe një nga Lëvizja Besa.

Këto tre parti kanë paralajmëruar se do të shkojnë së bashku në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale.

Aleanca për Shqiptarët e ka refuzuar ftesën e bllokut opozitar për bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke paralajmëruar që do të garojë e vetme në zgjedhje.

Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale duhet të mbahen vitin e ardhshëm. Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi ju ka dhënë afat partive politike në Kuvend që deri në Vitin e Ri të vendosin datën e zgjedhjeve. Pas këtij afati, ai theksoi se do të duhet të veprojë sipas obligimeve kushtetuese dhe të shpallë zgjedhjet

Partitë mendojnë ndryshe për kohën dhe organizimin e zgjedhjeve. LSDM dëshiron që zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të organizohen veçmas, ndërsa VMRO-DPMNE kërkon që të dy ciklet zgjedhore të shkrihen në një proces zgjedhor.