“Diçka po zihet”, Mexhiti për anëtarin e opozitës në KSHZ: Nuk ka logjikë që ASh-ja bëhet sikur përfaqëson opozitën

Nuk ka asnjë logjikë që Aleanca për Shqiptarët të bëhet sikur përfaqëson opozitën kur ata janë pjesë e Qeverisë. Të lë përshtypje të keqe se diçka po zihet. Kështu është shprehur kryetari i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në lidhje me vendin e lirë në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve i cili siç tha duhet t’i takojë opozitës. Ai theksoi se pushteti po përgatitet për zgjedhje jodemokratike, transmeton Portalb.mk.

Mexhiti ka theksuar se ka pengesa që ky vend të mos mund të plotësohet nga radhët e opozitës. Për këtë sipas tij problemi ka një emër, Talat Xhaferi, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët.

“Ata duan të bindin diçka për të cilën nuk kanë argumente. Do të theksoj se një anëtar i KSHZ-së më parë ka qenë anëtar i ASH-së, i cili tani është ministër i Drejtësisë. Vetë fakti që është ministër, është pjesë e qeverisë dhe pjesë e shumicës. Nuk ka asnjë logjikë që ata të bëjnë sikur përfaqësojnë opozitën. Të lë përshtypje të keqe se diçka po zihet. Ata nuk janë më rehat, nuk janë të sigurt, sondazhet tregojnë se po fundosen dhe prandaj përdorin masa që na bëjnë të mendojmë se po përgatiten për zgjedhjet më të padrejta demokratike”, tha Mexhiti.

Ai shtoi se në parim KSHZ-ja duhet të ketë përfaqësues si nga blloku shqiptar ashtu edhe nga ai maqedonas, pozitë dhe opozitë, për të pasur balancë.

“Opozita duhet të ketë gjithmonë shumicën në KSHZ. Qëllimi është që të ketë zgjedhje të ndershme dhe demokratike dhe sa më pak ngjarje devijuese. Ne do të përdorim të gjitha mjetet demokratike, raportojmë edhe faktorin ndërkombëtar dhe argumentet janë në anën tonë. Më përgjegjës për situatën është Talat Xhaferi. Shpallja është e hapur, ne kemi ofruar një kandidat. Është Abdush Demiri nga BESA. Shpallja duhet të mbyllet dhe të zgjidhet”, deklaroi Mexhiti.

Ai theksoi me hyrjen e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri ata u bënë patericë e Qeverisë së Artan Grubit dhe për ta shpëtuar atë.

“Më pas shpjegimi i tyre ishte se po futen për shkak të ndryshimeve kushtetuese. Por në fund ndryshimet kushtetuese nuk ndodhën dhe përfunduan duke ndihmuar kthimin e Nikolla Gruevskit, miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal. Ministri i Drejtësisë nuk mund të thotë se nuk është i njoftuar, se i gjithë procesi është udhëhequr nga zëvendësministri, kur dihet se ky ligj i propozuar nuk mund të arkivohet as pa pëlqimin e ministrit kompetent. I njëjti ligj duhet të shkojë në Komisionin për çështjet politike, për çështjet ekonomike në Qeveri ku janë vetë ministri dhe ministrat e tjerë të Aleancës për Shqiptarët. Pra, hynë për ndryshime kushtetuese, përfunduan si ndihmës dhe duhet të paguajnë llogarinë për gjithçka që u bë në 20 vitet e fundit”, tha Mexhiti.

Ai mes tjerash foli edhe për “Lidhjen Evropiane për Ndryshim” të përbërë nga tre partitë opozitare: Lëvizja Besa, Lidhja Demokratike dhe Alternativa të cilat do të garojnë bashkë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të ardhshme.

“Nuk jemi ulur ende në tavolinë, por nuk jemi për numra dhe qëndrime personale, fokusi është që shqiptarëve në vend tu sjellim një epokë të re politike. Do të kemi një kandidat për president. Në logon tonë janë tre yje dhe ne kemi thënë dhe presim që të ketë edhe një yll të katër dhe të pestë. Në këtë koalicion do të bashkohen edhe subjekte të tjera. Është shumë herët të thuhet se kush do të jetë kandidati presidencial. Do të kemi një kandidat shqiptar për president të vendit që do të jetë një vlerë e shtuar”, tha Mexhiti.

Aleanca për Shqiptarët e ka refuzuar ftesën e bllokut opozitar për bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke paralajmëruar që do të garon e vetme në zgjedhje.

Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale duhet të mbahen vitin e ardhshëm. Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi ju ka dhënë afat partive politike në Kuvend që deri në Vitin e Ri të vendosin datën e zgjedhjeve. Pas këtij afati, ai theksoi se do të duhet të veprojë sipas obligimeve kushtetuese dhe të shpallë zgjedhjet

Partitë mendojnë ndryshe për kohën dhe organizimin e zgjedhjeve. LSDM dëshiron që zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të organizohen veçmas, ndërsa VMRO-DPMNE kërkon që të dy ciklet zgjedhore të shkrihen në një proces zgjedhor.