ASH: Shkojmë vetë në zgjedhje, nuk do të ketë koalicion parazgjedhor me satelitët e BDI-së

Aleanca për Shqiptarët e ka refuzuar ftesën e bllokut opozitar të Lëvizja BESA, Alternativës dhe Lidhjes Demokratike për bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, shkruan Portalb.mk.

Gjatë takimit joformal të gazetarëve me ministrat e ASH-së, Krenar Lloga, Azir Aliu dhe Fatmir Mexhiti, ata konfirmuan se për shkak të përvojës së hidhur me koalicionet, këto zgjedhje parlamentare kanë vendosur që të shkojnë bashkë.

“Është e parëndësishme të bisedohet për kësi oferte kur nuk ka datë për zgjedhje. Deri atëherë agjenda e partive më të vogla nuk na intereson, në zgjedhje shkojmë vet. Nuk mundet të shpresojnë në politika të huaja në fushatën zgjedhore”, komentuan në brifing ministrat duke shtuar se “Në shpinë tonë fitojnë vota dhe pastaj bëhen satelit të BDI-së”, thanë dje në brifing, ministrat”.

Të pyetur, nëse kanë qëndrim për çështjen, nëse zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale duhet të mbahen bashkë ose ndaras, ata thanë se për këtë ende nuk kanë vendosur organet e partisë. Partia, sipas tyre, ende nuk ka vendosur edhe nëse Aleanca për Shqiptarët do të dalë me kandidatin e saj për president ose do të mbështetë ndonjë kandidat tjetër.

Qëndrimi i Aleancës për Shqiptarët vjen pasi në disa palë zgjedhjesh ka pasur bashkëpunime, duke filluar me RDK-në me të cilën udhëhiqte Vesel Memedi dhe Unitetin të cilën e udhëhiqte i larguari nga BDI Gëzim Ostreni. Ky koalicion dështoi dhe përfundoi me akuza të ndërsjella mes palëve, ASH-ja bëri koalicione me Alternativën të cilën e udhëheq Afrim Gashi dhe Lëvizjen Besa që e udhëheqë Bilal Kasami, por asnjëra prej këtyre koalicioneve nuk e solli në pushtet. Krisja e fundit e ASH-së me këto parti, të cilat herë hynin në qeveri dhe herë dilnin, ndodhi pasi ASH-ja hyri në Qeveri dhe me këtë ia mori disa resorë Alternativës, e cila u detyrua ta lëshojë Qeverinë. ASH-ja, nga koalicionet ka përvojë të hidhur edhe në zgjedhjet lokale, kur vendosi bashkë me VMRO-DPMNE-në të bëjnë fushatë zgjedhore për Danella Arsovskën, e cila pasi u zgjodh kryetare i prishi raportet me këto parti, ndërkaq nënkryetarja e Shkupit nga radhët e ASH-së dha dorëheqje nga posti.

Në ndërkohë, janë formuar edhe tre parti të reja në bllokun politik shqiptar, Lëvizja Demokratike e udhëhequr nga Izet Mexhiti, i larguar nga BDI dhe Lëvizja Populli e udhëhequr nga Skender Rexhepi, i larguar nga Alternativa dhe Partia Demokratike Evropiane e udhëhequr nga Arianit Xhaferi, i larguar nga Lëvizja BESA.

Pos, ASH-së, edhe partia pushtetarë BDI me të cilën udhëheqë Ali Ahmeti, deri më tani nuk ka njoftuar se do të bëjë koalicion me ndonjë parti në zgjedhjet e ardhshme.

Ndryshe, Aleanca për Shqiptarët është themeluar në vitin 2015-të, fillimisht si Lëvizja për Reforma në PDSH, pasi Ziadin Sela dhe një grup tjetër i partisë u ndanë nga PDSH-ja që e udhëhiqte Menduh Thaçi.