RMV, mbështetje për 40 projekte nga fusha e kulturës në kuadër të programit “Qarkullimi i veprave letrare evropiane”

Në kuadër të Konkursit “Qarkullimi i veprave letrare evropiane” pritet mbështetja e rreth 40 projekteve në vlerë të përgjithshme 5 milionë euro, transmeton Portalb.mk.

“Propozim-projektet e paraqitura nga aplikantët individualë janë të kualifikuar si dhe nga një konsorcium që duhet të përbëhet nga të paktën dy organizata partnere që nuk janë subjekte të lidhura. Koordinatori duhet të ekzistojë ligjërisht të paktën 2 vjet para afatit të aplikimit dhe të jetë aktiv në sektorin e botimeve dhe librit”, njoftojnë nga Ministria e Kulturës

Konkursi do të jetë i hapur deri më 16 prill në ora 17:00.

“Kjo mbështetje e nënprogramit- Kultura e Bashkimit Evropian synohet për projekte që përfshijnë përkthimin, botimin, shpërndarjen dhe promovimin e veprave letrare evropiane, autorët e të cilave janë qytetarë ose banorë të vendeve pjesëmarrëse në programin Evropa Kreative ose janë pjesë e trashëgimisë së tyre letrare”, njoftojnë nga Ministria e Kulturës.

Në Konkurs theksohet që propozim-projektet duhet të trajtojnë gjithashtu çështje ndër-sektoriale,  përfshirjen dhe llojllojshmërinë, barazinë gjinore dhe planin e gjelbër. Përkthimi, botimi, promovimi dhe shpërndarja e veprave dhe veprimtarive letrare evropiane janë aktivitetet që pritet të financohen.

“Mbështetja për sektorin letrar ukrainas – nxiten projekte që do të ofrojnë libra në gjuhën ukrainase për refugjatët dhe të ndjekurit ukrainas”, është një nga temat dhe prioritete e thirrjes.

Grantet mbështetëse më së shumti mund të marrin 200 mijë euro për aplikantët individual, ndërsa 300 mijë euro për partneritetin e dy organizatave, ashtu që 40 % e projekteve të mbështetet nga fituesit.