Tre dënime brenda javës, ish kryeministri i Pakistanit dënohet me 7 vite të tjera burg

Ish-kryeministri pakistanez Imran Khan dhe gruaja e tij, Bushra Khan, u dënuan të dy me shtatë vjet burg në një rast martese të paligjshme që shënon dënimin e tretë me burg të ish-liderit brenda një jave, raporton ABC.

Sipas vendimit të gjykatës, martesa e tyre në vitin 2018 ka shkelur ligjin, pasi Bushra u martua me Khan para se të kishte kaluar mjaftueshëm kohë nga divorci me burrin e saj të parë, një periudhë e quajtur “iddat” në Islam.

Khan, 71 vjeç, një yll në pension i kriketit, i cili ishte kryeministër në vitet 2018-22, tashmë është dënuar me 24 vjet burg. Me disa ditë para zgjedhjeve të 8 shkurtit, Khan dhe partia e tij PTI gëzojnë ende një popullaritet të madh.

Të dy u dënuan me 14 vjet burg më 31 janar për korrupsion, një ditë pasi ai u dënua me 10 vjet për nxjerrje të sekreteve shtetërore në një gjyq të veçantë.