RMV, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi grafën etnike nga certifikatat e gjendjes civile

Gjykata Kushtetuese ka miratuar vendim me të cilin zyrtarisht shfuqizohet grafa e “nacionalitetit” në Ligjin për Evidencë Amë. Paraprakisht, kah fundi i vitit të kaluar, gjykata me masë të përkohshme e ka shfuqizuar lëshimin e certifikatave me grafë “nacionalitet”. Me vendimin e sotëm, tërësisht shfuqizohet kjo grafë në certifikata, transmeton Portalb.mk.

Gjykata Kushtetuese e ka miratuar këtë vendim në kuadër të lëndës së formuar me iniciativë të dorëzuar nga partia politike Levica, në të cilën kontestohet neni 4 paragrafi 1 pika 2 në pjesën “nacionaliteti”, neni 11 paragrafi 1 pika 1 në pikën “nacionaliteti” dhe nenin 13 paragrafi 1 pika 1 në pjesën “nacionaliteti” nga Ligji për Evidencë Amë.

Gjykata Kushtetuese më 20 dhjetor të vitit 2023 ka ngritur procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave kontestuese nga Ligji për Evidencë Amë, pasi që vendoset në pikëpyetje harmonizimi i tyre me Kushtetutën.

Në arsyetimin e Gjykatës thuhet se deklarimi për përkatësi nacionale nuk është e detyrueshme, por mundësi, me çka qytetarët janë të privuar nga e drejta që të mos deklarohen për përkatësinë e tyre nacionale, që për gjykatën është dyshim se është në kundërshtim me lirinë e shprehjes.

Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, në fund të majit e nënshkroi udhëzimin me çka vendoset përkatësia etnike në certifikatën lindjes, certifikatën e kurorëzimit dhe certifikatën e vdekjes.

Vendimi i Ministrisë erdhi pas informatave në opinion se qytetarë të përkatësive të ndryshme, rrejshëm paraqiten dhe punësohen në vende pune ku kërkohen qytetarë të përkatësive të caktuara. Për shembull, për një vend pune ku kërkohet të punësohet një person me kombësi shqiptare, një qytetar me kombësi maqedonase shkruhet si shqiptar ose anasjelltas.

Udhëzimi duhej të fillojë të zbatohet nga 1 janari 2024, por më 27 shtator të vitit 2023 Gjykata Kushtetuese e anuloi vendimin nën arsyetimin se nuk është respektuar afati kushtetues në të cilin është dashur të publikohet ky udhëzim në Gazetën Zyrtare.

Lexo shkrimet paraprake për temën në fjalë: