ANALIZË: Sektori publik, të punësuarit sipas çelësit etnik dhe sipas arsimit

Në katër ministri, përfaqësimi i maqedonasve etnikë është 70% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve. Në shtatë ministri, përfaqësimi i shqiptarëve etnikë është mbi 30%. Në Raportin e sapopublikuar nga Regjistri i të punësuarve në sektorin publik në vitin 2023, vihet në dukje se vitin e kaluar në në gjithsej 1,371 institucione shtetërore kanë punuar 128,879 persona, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Struktura etnike e të punësuarve në sektorin publik…

Nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin publik vitin e kaluar, sipas “çelësit” etnik, 70,5% ishin maqedonas, gati 22,1% ishin shqiptarë etnikë, 2,6% ishin turq, kurse bashkësie e tjera etnike, gjegjësisht romët, serbët, boshnjakët, vllahët, ishin të përfaqësuar me më pak se 2%.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Edhe në vitin 2023 ka dallime të mëdha në përfaqësimin e bashkësive etnike nëpër ministri. Të dhënat e reja vjetore tregojnë se në katër ministri përfaqësimi i maqedonasve etnik është mbi 70%: në Ministrinë e Bujqësisë gati 73%, në Ministrinë e Mbrojtjes 74,7%, në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve 71,3% dhe në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale përfaqësim ishte 71%.

Nga ana tjetër, në Ministrinë e Sistemit Politik, shqiptarët etnikë përfaqësohen me 84,71%. Pas këtij dikasteri janë Ministria e Ekonomisë me 49,25% dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale me përfaqësim prej 41,51%. Më shumë se 30% përfaqësim të shqiptarëve etnikë ka në Ministrinë e Mjedisit Jetësor 38%, Ministrinë e Arsimit 37,8% dhe Ministrinë e Drejtësisë 38,02%.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Më pak se 20% përfaqësim të shqiptarëve etnikë ka në Ministrinë e Mbrojtjes, të Transportit dhe të Bujqësisë. Në anën tjetër, në Ministrinë e Sistemit Politik, vetëm 4,28% e të punësuarve janë maqedonas etnikë, të cilët me më pak se 50% janë të përfaqësuar në Ministrinë e Ekonomisë dhe në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale.

Komuniteti rom me përqindjen më të madhe prej 3,13% është i përfaqësuar në Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa nuk është fare i përfaqësuar në Ministritë e Ekonomisë, Shëndetësisë, Vetëqeverisjes Lokale dhe Mjedisit Jetësor. Turqit etnikë kanë përfaqësimin më të lartë me 5,22% në Ministrinë e Ekonomisë, ndërsa me mbi 4% janë të përfaqësuar edhe në Ministritë e Shoqërisë Informatike, të Mbrojtjes dhe të Sistemit Politik.

70,6% e të punësuarve me arsim të lartë dhe të mesëm…

Mosha mesatare e të punësuarve në sektorin publik vitin e kaluar ishte 46,2 vjeç. Sipas arsimit, numri më i madh ose 52 881 e të punësuarve janë me arsim të lartë, 38 137 janë me arsim të mesëm, kurse 9 356 me arsim fillor.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në sektorin publik janë regjistruar edhe 1 813 doktorë shkencash dhe 5 102 magjistra. Sipas çelësit etnik dhe nivelit të arsimit, të dhënat e kryqëzuara nga Regjistri tregojnë se nga numri i përgjithshëm i doktorëve të shkencave, 1 490 janë maqedonas, 321 shqiptarë, 29 serbë, 20 turq etnikë, 18 vllahë dhe nga 6 romë dhe boshnjakë.

Nga numri i përgjithshëm i të punësuarve sipas “çelësit” etnik dhe arsimor, 904 shqiptarë janë magjistra, 12 980 janë shqiptarë me arsim të lartë, ndërsa 6 676 janë me arsim të mesëm.