Posta e Maqedonisë e stampoi pullën e parë postare në botë për fëmijët me sëmundjen e rrallë të Fenilketonurisë

Posta e Maqedonisë së Veriut në kuadër të Ditës Botërore të Fenilketonurisë ka përgatitur pullën e pare postare në botë për fëmijët me këtë sëmundje të rrallë me vlerë prej 36 denarësh, e cila do të lëshohet në përdorim më 28 qershor, shkruan Portalb.mk.

Iniciativa është marrë nga shoqata për sëmundje të rralla “Rrallë është të jesh i rrallë” nga Ohri dhe punonjësja e Postës së Maqedonisë së Veriut, Loleska Gordana në bashkëpunim me Shoqatën për sëmundje të rrallë feniketonuria Heronjtë e PKU nga Shtipi.

“Sot do të shtypet pulla postare për fëmijët me sëmundjen e rrallë, Fenilketonurisë dhe si e tillë është e para në botë. Vlera nominale e pullës postare është 36,00 denarë dhe shtypja e parë përfshin 6000 ekzemplarësh. Një pullë postare do të lëshohet në përdorim në Ditën Botërore të Fenilketonurisë, më 28 qershor”, thuhet në njoftimin e Shoqatës për sëmundje të rralla, “Rrallë është të jesh i rrallë”.

Pulla postare do të jetë e qasshme në të gjitha filialet e Postës së Maqedonisë së Veriut dhe anembanë botës.

Posta e Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë edhe këtë pullë postare, deri më tani ka 6 pulla postare të dedikuara për fëmijët me sëmundje të rralla.

Përpos të kësaj pulle postare për këtë sëmundje të rrallë, Qeveria ka marrë vendim për zbatimin e skriningut metabolik për fenilketonuri për çdo të porsalindur në të gjithë territorin. Kjo iniciativë synon të përmirësojë zbulimin dhe ndërhyrjen e hershme te kjo sëmundje.