RMV, u nënshkrua udhëzimi me të cilin përkatësia etnike vendoset në dokumentet e identifikimit, kështu duken (Foto)

Ministria e Drejtësisë njoftoi se sot u nënshkrua udhëzimi me çka vendoset përkatësia etnike në certifikatën lindjes, certifikatën e kurorëzimit dhe certifikatën e vdekjes, transmeton Portalb.mk.

“Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, nënshkroi Udhëzimin për ndryshim dhe plotësim të Udhëzimit për mënyrën e mirëmbajtjes, mbrojtjes dhe ruajtjes së librave amë dhe dokumentacioneve; lëshimin e certifikatave, vërtetimeve dhe kopjeve duke u bazuar në librat amë;  drejtimin e procedurës dhe hartimin e  procesverbalit për fëmijë të gjetur; riparimin e librave amë të shkatërruar, dëmtuar apo të zhdukur, si dhe formateve për librat amë, regjistrit të librave amë, certifikatave dhe vërtetimeve të cilat lëshohen duke u bazuar në librat amë, ku do të ketë një shtyllë për përkatësinë etnike”, informoi Ministria e Drejtësisë.

Ky Udhëzim siç njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë do të hyjë në fuqi pas skadimit të tetë ditëve nga botimi në Gazetën Zyrtare për certifikatat e lindjes, ndërsa për certifikatat tjera për shkak të implikimeve financiare, Udhëzimi do të fillojë të zbatohet nga 1 janari 2024.