RMV, Kuvendi votoi ndryshimet në Ligjin për ekzekutimin e sanksioneve

Me 78 vota “pro” Kuvendi votoi sot Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për ekzekutimin e sanksioneve. Ministria e Drejtësisë bëri të ditur se Ligji synon zgjidhjen e problemeve të sigurisë në burgje, krijimin e një ambienti më të sigurt, si në burgje, ashtu edhe sigurinë e përgjithshme në vend, transmeto Portalb.mk.

Propozimi parashikon krijimin e një baze ligjore dhe formimin e njësive të inteligjencës së burgjeve dhe njësive të ndërhyrjes, ngritjen e një sistemi të video-mbikëqyrjes dhe përdorimin e kamerave trupore në institucione, uljen e korrupsionit në institucionet penale, zgjidhjen e problemit të mbipopullimit dhe rregullimin dhe avancimin e të drejtave nga marrëdhënia e punës e të gjitha kategorive të të punësuarve në burgje.

“Përveç rritjes së sigurisë së institucioneve, avancimit të të drejtave të personave të dënuar dhe fëmijëve, ky projektligj synon edhe përmirësimin e statusit të punonjësve në sistemin penitenciar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë shton se ndryshimet në Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve janë miratuar për disa arsye, duke përfshirë ndryshimet në një pjesë të madhe të legjislacionit penal në vend, ndryshimet në strukturën e burgjeve dhe shfaqjen e një numri në rritje të të dënuarve të radikalizuar, si dhe për shkak të nevojës nga shtrëngimi i mënyrës se si të dënuarit kishin mundësi të ndërronin adresën e vendbanimit pas dorëzimit të akteve referuese dhe në këtë mënyrë të ashtuquajturën zgjedhje të një institucioni të vuajtjejes së dënimit dhe kushtet në të.

Ndryshimet parashikojnë që burgjet të mbulohen tërësisht me kamera dhe të burgosurit do të jenë nën video-mbikëqyrje. Videot me krim dhe radikalizëm nuk do të fshihen, pjesa tjetër do të fshihet automatikisht në 30 ditë.

Përveç kësaj, zyrtarët e burgut do të duhet të mbajnë kamera në uniformat e tyre për të zbuluar dhe parandaluar korrupsionin e tyre.

Për ndryshimet më të detajuara të këtij ligji, mund të lexoni KËTU.