Gjykata Kushtetuese e RMV-së anuloi udhëzimin për vendosjen e përkatësisë etnike në certifikata

Gjykata Kushtetuese në seancën e sotme ka marrë vendim për anulimin e “Udhëzimit për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzimit për mënyrën e ruajtjes dhe mbajtjes së librave amë dhe regjistrave, dhënien e certifikatave, transkripteve dhe kopjeve të bazuara në librat amë, kryerja e procedurës dhe krijimi i procesverbalit për fëmijë të gjetur, ripërtëritje të librave të shkatërruar, të dëmtuar ose të zhdukur si dhe format e librave amë, regjistrin e librave amë, certifikatat e lëshuara në bazë të librave amë”, akt i miratuar nga Ministria e Drejtësia, transmeton Portalb.mk.

Vendimi është marrë me shumicë votash dhe do të botohet në Gazetën Zyrtare.

Kur Gjykata Kushtetuese merr vendim anulues, do të thotë se vendimi ka efekt prapaveprues, i konsideruar nga momenti i miratimit të aktit që anulohet.

“Udhëzimi është anuluar për shkak se Gjykata ka vlerësuar se ka pasur shkelje të nenit 52 paragrafi 2 i Kushtetutës, përkatësisht nuk është respektuar afati kushtetues në të cilin është dashur të publikohet ky udhëzim. Ai nen parashikon një afat publikimi “jo më vonë se 7 ditë nga dita e adoptimit. Gjykata Kushtetuese tashmë e ka bërë të qartë për opinionin se çështjes së afatit nuk i qaset teknikisht, por thelbësisht dhe duhet respektuar nga të gjithë”, njoftuan nga Gjykata.

Lidhur me pyetjet që nënkupton ky vendim për certifikatat e nxjerra sipas Udhëzimit, Gjykata sqaron se përgjigja e kësaj pyetjeje duhet kërkuar përmes interpretimit të nenit 81 paragrafi 1 i Rregullores së Gjykatës, i cili i jep të drejtë çdo qytetari që mendon se me akt individual ose në rast se nxjerrja e certifikatave cenon një të drejtë, mund të kërkojë anulimin e këtij akti, brenda gjashtë muajve, nga dita e publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Kushtetutës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe i ekzekutueshëm.

Vendimin në maj e nënshkroi ministri i Drejtësisë Krenar Lloga

Përndryshe, ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, në fund të majit e nënshkroi udhëzimin me çka vendoset përkatësia etnike në certifikatën lindjes, certifikatën e kurorëzimit dhe certifikatën e vdekjes.

“Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, nënshkroi Udhëzimin për ndryshim dhe plotësim të Udhëzimit për mënyrën e mirëmbajtjes, mbrojtjes dhe ruajtjes së librave amë dhe dokumentacioneve; lëshimin e certifikatave, vërtetimeve dhe kopjeve duke u bazuar në librat amë;  drejtimin e procedurës dhe hartimin e  procesverbalit për fëmijë të gjetur; riparimin e librave amë të shkatërruar, dëmtuar apo të zhdukur, si dhe formateve për librat amë, regjistrit të librave amë, certifikatave dhe vërtetimeve të cilat lëshohen duke u bazuar në librat amë, ku do të ketë një shtyllë për përkatësinë etnike”, informoi Ministria e Drejtësisë.

Ky Udhëzim siç njoftuan nga Ministria e Drejtësisë do të hyjë në fuqi pas skadimit të tetë ditëve nga botimi në Gazetën Zyrtare për certifikatat e lindjes, ndërsa për certifikatat tjera për shkak të implikimeve financiare, Udhëzimi do të fillojë të zbatohet nga 1 janari 2024.

Vendimi i Ministrisë vjen pas informatave në opinion se qytetarë të përkatësive të ndryshme, rrejshëm paraqiten dhe punësohen në vende pune ku kërkohen qytetarë të përkatësive të caktuara. Për shembull, për një vend pune ku kërkohet të punësohet një person me kombësi shqiptare, një qytetar me kombësi maqedonase shkruhet si shqiptar ose anasjelltas.