Eurothink: Që të ndjehen më të sigurtë, qytetarët e Maqedonisë kërkojnë rikthimin e “policit të lagjes”

Është rritur besimi te policia, por nuk neglizhohen edhe pakënaqësitë e qytetarëve gjatë pajisjes me dokumente personale në Maqedoninë e Veriut. Kështu thotë hulumtimi i organizatës “Eurothink“, “Perceptimet dhe qëndrimet e qytetarëve për punën e policisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”. Më shumë se gjysma e qytetarëve mendojnë se policia nuk është e pranishme sa duhet në rrethin ku jetojnë dhe kërkojnë “policë të lagjes”. Gjithashtu, sipas hulumtimit, Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut është e para në listë në matjen e besueshmërisë, ndërkaq mungon besueshmëria në sistemin gjyqësor, transmeton Portalb.mk.

Prania e forcave të rendit rrit ndjenjën e sigurisë te qytetarët, thotë hulumtimi në fjalë. Sipas të njejtit, gjysma e qytetarëve të vendit mendojnë se policia nuk është e pranishme sa duhet në rrethin ku jetojnë, përkatësisht më pak sesa është e nevojshme. Ata kërkojnë të shtohet numri i policëve duke pasur parasysh shtimin e vjedhjeve të rënda dhe fillimin e sezonit turistik, sepse sipas tyre, patrullat e rregullta mund të parandalojnë krimet dhe eksperiencat e tyre të padëshiruara.

“Më shumë se gjysma e të anketuarve apo 58 përqind mendojnë se mungon prania e policisë në lagjet ku jetojnë. Hulumtimi ynë nxjerr në pah se rreth 56 përqind e qytetarëve kërkojnë rritje të patrullave policore apo rikthimin e “policit të lagjes”. Siguria që ofrojnë ata rrit edhe besueshmërinë tek etnitë tjera, madje 49,3 përqind e të anketuarve shqiptarë dhe 50,3 përqind e etnive tjera vlerësojnë se policia kryen detyrat në mënyrë profesionale, ndaj prania e tyre është e domosdoshme” thuhet në hulumtim.

Sipas përfaqësuesve të “Eurothink”, një nga arsyet e humbjes së besimit të qytetarëve ndaj policisë është procesi kaotik i pajisjes së tyre me dokumente personale, posaçërisht ata të identifikimit dhe udhëtimit.

Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut edhe më tej vlerësojnë se ministria e Punëve të Brendshme dhe ministria e Drejtësisë janë peng e interesave qeveritare ose partiake. Vërehet rritje në pakënaqësitë që hasen gjatë bashkëpunimit të qytetarëve me organet e rendit.

“Gjatë hulumtimit vërejmë se aspekti më pak i vlerësuar është pavarësia në kryerjen e detyrave të policisë, dhe këtë vit besueshmëria e të anketuarve është vetëm 12 përqind. Faktorët që kanë çuar deri te ulja e besimit janë partitë politike dhe interesat e bizneseve. ” thuhet në hulumtim.

Për sa i përket njohurive dhe kontaktit me mekanizmat për kontrollin e punës së policisë, hulumtimi ka treguar se gati 9% e të anketuarve janë ankuar në organet e kontrollit të brendshëm të policisë në vitin 2024 me qëllim shqyrtimin e rastit të tyre, që është një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2022 kur kjo përqindje ishte 2.6%. Prej tyre, 6% kanë shprehur mendimin se kontrolli i brendshëm në polici kontribuon në uljen e korrupsionit dhe joprofesionalizmit në radhët e policisë, që është përqindje më e lartë se ata që nuk kanë pasur një përshtypje të tillë – 2.4%. Kjo tregon progres të dukshëm pozitiv si në shkallën e ndërgjegjësimit dhe përdorimit të mekanizmit të kontrollit të brendshëm te qytetarët, ashtu edhe në kënaqësinë e atyre që e kanë përjetuar procesin.

Ndërgjegjësimi për mekanizmat e kontrollit të jashtëm mbi punën e policisë (Mekanizmi i Kontrollit Civil pranë Avokatit të Popullit dhe Departamentit për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me kompetenca policore dhe nga pjesëtarë të policisë së burgjeve në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsioni) ekziston në 17%, që është një rritje nga viti 2022 kur ishte 13.2%. Shumica e të anketuarve besojnë se kontrolli i jashtëm mbi policinë kontribuon në uljen e korrupsionit dhe joprofesionalizmit në organizatë – 10%, kundrejt 5% që nuk mendojnë kështu, për një diferencë prej 7.2% dhe 4.1% përkatësisht në vitin 2022.

Sipas hulumtimit, sa i përket besueshmërisë në institucionet tjera të vendit, edhe këtë vit qytetarët kanë besim më të lartë tek ushtria, me 44%. Pasojnë institucionet fetare me 35%, pastaj presidenti i Maqedonisë së Veriut, me 24%. Prokuroria dhe drejtësia janë sërish më pak të vlerësuarat, edhe pse këtë vit ka pasur një kthim të lehtë në besimin ndaj tyre. Në vitin 2022, 7% i besonin Prokurorisë dhe në vitin 2024, kjo përqindje ishte 9%, gjashtë përqind kishin besim te gjyqësori dhe tani kjo përqindje është 9%.

Hulumtimi “Perceptimet dhe qëndrimet e qytetarëve për punën e policisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut” u realizua nga “Eurothink” në bashkëpunim me National Endowment for Democracy, ekzaminimi i mendimit publik u realizua nga “Brima” – Shkup në periudhë mes 31 janarit dhe 14 shkurtit.

Kujtojmë se hulumtimi anketues i “EUROMETAR 2023”, i cili u zbatua gjatë shtatorit 2023, tregoi një e treta e popullatës besoj që Maqedonia e Veriut nuk do të anëtarësohet kurrë në Bashkimin Evropian, ndërkaq shqiptarët dhe maqedonasit janë të ndarë për çështjen më të rëndësishme të vendit – eurointegrimin. 90% e shqiptarëve kanë deklaruar se anëtarësimi në BE është punë e mirë, ndërkaq maqedonasit vetëm 39,50%.