RMV, kryetarja e Kushtetueses thotë se “deklarimi i përkatësisë etnike në certifikata” është jokushtetues

Mendoj se Udhëzimi për mbajtjen e evidencës amë është në kundërshtim me Kushtetutën, ka dispozita që shkelin Kushtetutën, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska në brifingun e sotëm me gazetarët, njofton Portalb.mk. Deklarata e saj vjen një ditë pasi gjykatësit kushtetues njëzëri vendosën të formojnë lëndë në të cilën do të udhëhiqet procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij udhëzimi të miratuar nga Ministria e Drejtësisë më 29 maj.

Në lidhje me formimin e lëndës me iniciativë vetanake, në të cilin zhvillohet procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Udhëzimit për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzimit për mënyrën e ruajtjes dhe mbajtjes së librave amë dhe regjistrave, dhënien e certifikatave, transkripteve dhe kopjeve të bazuara në librat amë, kryerja e procedurës dhe krijimi i procesverbalit për fëmijë të gjetur, ripërtëritje të librave të shkatërruar, të dëmtuar ose të zhdukur si dhe format e librave amë, regjistrin e librave amë, certifikatat e lëshuara në bazë të librave amë”, Kacarska informoi se lënda është dërguar në gjykatës.

“Lënda është para gjykatësit dhe është caktuar këshilltar i cili do të punojë në lëndën”, tha Kacarska me shpresë se së shpejti do të vihet në seancë.

Në pyetjen nëse objekt i nismës do të jetë vetëm akti nënligjor apo pjesa e Ligjit për evidencën amë, ajo tha se nuk e di se çfarë vendimi do të merret dhe theksoi se është formuar lëndë vetëm për udhëzime, çka më tej, do të shohim, tha ajo.

“Gjatë procedurës a do t’i referohemi ligjit apo në ndërkohë do të ketë ndonjë iniciativë, apo ndoshta ne do të formojmë lëndë edhe për ligjin, kjo është diçka që mund ta diskutojmë më pas. Në këtë fazë është formuar lëndë për udhëzim, çka më tej do të shohim”, tha ajo.

Dobrilla Kacarska, foto nga Gjykata Kushtetuese në Facebook-un zyrtar
Dobrilla Kacarska, foto nga Gjykata Kushtetuese në Facebook-un zyrtar

Gjykata Kushtetuese ngriti procedurë për udhëzimin që lejon “deklarimin e përkatësisë etnike në certifikata”

Nga Gjykata Kushtetuese njoftuan më 27 qershor se bëhet fjalë për udhëzim të miratuar nga Ministria e Drejtësisë më 29 maj dhe i cili në periudhën e fundit ka shkaktuar interes në opinion.

”Kjo lëndë është formuar në bazë të dispozitave të rregullores të cilat i japin autorizim Gjykatës Kushtetuese edhe vetë të ngritë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit, gjegjësisht kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e dispozitave ose akteve tjera të përgjithshme. Mbledhja është mbajtur me propozim të kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska dhe kanë marrë pjesë të gjithë gjykatësit”, thonë nga Gjykata Kushtetuese.

Vendimin në maj e nënshkroi ministri i Drejtësisë Krenar Lloga

Përndryshe, ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, në fund të majit e nënshkroi udhëzimin me çka vendoset përkatësia etnike në certifikatën lindjes, certifikatën e kurorëzimit dhe certifikatën e vdekjes.

“Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, nënshkroi Udhëzimin për ndryshim dhe plotësim të Udhëzimit për mënyrën e mirëmbajtjes, mbrojtjes dhe ruajtjes së librave amë dhe dokumentacioneve; lëshimin e certifikatave, vërtetimeve dhe kopjeve duke u bazuar në librat amë;  drejtimin e procedurës dhe hartimin e  procesverbalit për fëmijë të gjetur; riparimin e librave amë të shkatërruar, dëmtuar apo të zhdukur, si dhe formateve për librat amë, regjistrit të librave amë, certifikatave dhe vërtetimeve të cilat lëshohen duke u bazuar në librat amë, ku do të ketë një shtyllë për përkatësinë etnike”, informoi Ministria e Drejtësisë.

Ky Udhëzim siç njoftuan nga Ministria e Drejtësisë do të hyjë në fuqi pas skadimit të tetë ditëve nga botimi në Gazetën Zyrtare për certifikatat e lindjes, ndërsa për certifikatat tjera për shkak të implikimeve financiare, Udhëzimi do të fillojë të zbatohet nga 1 janari 2024.

Vendimi i Ministrisë vjen pas informatave në opinion se qytetarë të përkatësive të ndryshme, rrejshëm paraqiten dhe punësohen në vende pune ku kërkohen qytetarë të përkatësive të caktuara. Për shembull, për një vend pune ku kërkohet të punësohet një person me kombësi shqiptare, një qytetar me kombësi maqedonase shkruhet si shqiptar ose anasjelltas.

Në vitin 2020, Lëvizja BESA dhe Aleanca reaguan në lidhje me të zgjedhurit në konkursin për punësim të 23 administratorëve në Agjencinë për Kadastër të Patundshmërive.

“Nuk kemi mekanizëm ligjor që të konstatojnë se dikush është shqiptar apo maqedonas. Kjo është problem dhe duhet që të korrigjohet që të mos vihet deri te këto situata. Nuk ekziston dokument në shtet në të cilën shkruan përkatësia nacionale. Kur aplikohet për konkurs publik, në vetë aplikimin shkruhen të dhënat personale në mesin e të cilave shkruhet edhe përkatësia etnike. Atje çdo kandidat si të dëshirojë e shkruan. Dhe ne ashtu i trajtojmë deri në fund të procedurës, pra ashtu siç janë deklaruar. Ne nuk kemi as mekanizëm e as të drejtë që të kontrollojmë përkatësi etnike. Kjo nuk është e re, kjo ka ndodhur në periudhën e kaluar dhe është problem, megjithatë ne nuk kemi mekanizëm ta parandalojmë”, tha për Portalb.mk, Gligorov në 30 janar të vitit 2020.