Ministri Lloga i dërgoi në Gjykatën Kushtetuese 10 raste për të dëshmuar se janë pranuar aktet në kundërshtim me nenin 52

Në Gjykatën Kushtetuese në Shkup janë dërguar 10 raste në emër të Ministrisë së Drejtësisë dhe në emër të ministrit Krenar Lloga, duke theksuar që janë dëshmi që Gjykata Kushtetuese ka pranuar raste në kundërshtim me nenin 52, transmeton Portalb.mk.

“Tani radhën e kanë gjyqtarët e respektuar të Gjykatës Kushtetuese, nga të cilët presim që të prononcohen për nismat me të njëjtin efikasitet, shpejtësi dhe përpikshmëri si në Udhëzimin për Librat Amë në seancën e kaluar të hapur”, deklaroi Lloga.

Ai theksoi që këto raste tregojnë se nismat ligjore janë publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” në kundërshtim me nenin 52, që përcakton afatin shtatëditor për publikimin e akteve.

“Nga Gjykata Kushtetuese kërkohet gjithashtu që sipas detyrës zyrtare të shqyrtojë kushtetutshmërinë e akteve për të cilat nuk është respektuar afati kushtetues prej shtatë ditësh për publikimin e tyre”, deklaroi Lloga.

Ndryshe, në fillim të korrikut, u vendos nga Gjykata Kushtetuese që udhëzimi i ministrit të Drejtësisë Krenar Loga, me të cilin ka futur grafën për përkatësinë etnike në certifikata, përkohësisht të mos jetë i vlefshëm.

Më 30 qershor, për shkak të dyshimit për antikushtetutshmëri Gjykata Kushtetuese njoftoi se me vetiniciative ka hapur procedurë.

Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, në fund të majit e nënshkroi udhëzimin me çka vendoset përkatësia etnike në certifikatën lindjes, certifikatën e kurorëzimit dhe certifikatën e vdekjes.

“Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, nënshkroi Udhëzimin për ndryshim dhe plotësim të Udhëzimit për mënyrën e mirëmbajtjes, mbrojtjes dhe ruajtjes së librave amë dhe dokumentacioneve; lëshimin e certifikatave, vërtetimeve dhe kopjeve duke u bazuar në librat amë;  drejtimin e procedurës dhe hartimin e  procesverbalit për fëmijë të gjetur; riparimin e librave amë të shkatërruar, dëmtuar apo të zhdukur, si dhe formateve për librat amë, regjistrit të librave amë, certifikatave dhe vërtetimeve të cilat lëshohen duke u bazuar në librat amë, ku do të ketë një shtyllë për përkatësinë etnike”, informoi Ministria e Drejtësisë.

Ky Udhëzim siç njoftuan nga Ministria e Drejtësisë do të hyjë në fuqi pas skadimit të tetë ditëve nga botimi në Gazetën Zyrtare për certifikatat e lindjes, ndërsa për certifikatat tjera për shkak të implikimeve financiare, Udhëzimi do të fillojë të zbatohet nga 1 janari 2024.

Vendimi i Ministrisë vjen pas informatave në opinion se qytetarë të përkatësive të ndryshme, rrejshëm paraqiten dhe punësohen në vende pune ku kërkohen qytetarë të përkatësive të caktuara. Për shembull, për një vend pune ku kërkohet të punësohet një person me kombësi shqiptare, një qytetar me kombësi maqedonase shkruhet si shqiptar ose anasjelltas.

Në vitin 2020, Lëvizja BESA dhe Aleanca reaguan në lidhje me të zgjedhurit në konkursin për punësim të 23 administratorëve në Agjencinë për Kadastër të Patundshmërive.

Ata i përmendën disa prej të përzgjedhurve në konkurs:

  • Ndihmës udhëheqës sektori për ndryshime është zgjedhur Gordana Saviq – shqiptare;
  • Bashkëpunëtor i ri për ndryshime është zgjedhur – shqiptare;
  • Bashkëpunëtor i ri për digjitalizim është zgjedhur Ratko Avramovski – shqiptar;
  • Referent sporteli është zgjedhur Irena Jovanovska – shqiptare;
  • Referent GIS sistemi është zgjedhur Katerina Filipovska – shqiptare;
  • Referent sporteli është zgjedhur Ljupço Çutrevski – shqiptar;
  • Referent për ndryshime është zgjedhur Simona Markovska edhe kjo si shqiptare.

Nga ana tjetër drejtori i asokohe i Agjencisë së Administratës, Spase Gligorov, asokohe tha se nuk kanë mekanizëm juridik që ta parandalojë këtë situatë.

“Nuk kemi mekanizëm ligjor që të konstatojnë se dikush është shqiptar apo maqedonas. Kjo është problem dhe duhet që të korrigjohet që të mos vihet deri te këto situata. Nuk ekziston dokument në shtet në të cilën shkruan përkatësia nacionale. Kur aplikohet për konkurs publik, në vetë aplikimin shkruhen të dhënat personale në mesin e të cilave shkruhet edhe përkatësia etnike. Atje çdo kandidat si të dëshirojë e shkruan. Dhe ne ashtu i trajtojmë deri në fund të procedurës, pra ashtu siç janë deklaruar. Ne nuk kemi as mekanizëm e as të drejtë që të kontrollojmë përkatësi etnike. Kjo nuk është e re, kjo ka ndodhur në periudhën e kaluar dhe është problem, megjithatë ne nuk kemi mekanizëm ta parandalojmë”, tha për Portalb.mk, Gligorov në 30 janar të vitit 2020.