RMV, Georgiev: Shpërbërja e Këshillit Gjyqësor nuk është zgjidhje, intervenimet ligjore do të ishin praktikë e keqe për në të ardhmen

Nëse lejohen intervenime ligjore për Këshillin Gjyqësor, por edhe për trupat e tjerë të cilët paraqesin kategori kushtetuese, ky do të ishte mesazh dhe praktikë e keqe për në të ardhmen, thotë kryetari i Këshillit Gjyqësoр, Sashko Georgiev, i cili erdhi në këtë funksion pas shkarkimit kontrovers të kryetares së deriatëhershme Vesna Dameva, njofton Portalb.

Ai këtë e tha në intervistë për Televizionin Sitel, duke e komentuar paralajmërimin e ministrit të Drejtësisë Krenar Llogar për ndërprerje të mundshme të mandatit të përbërjes së tanishme të Këshillit Gjyqësor me me dispozita ligjore kalimtare.

“E drejtë dhe detyrë e ministrit të Drejtësisë është që të japë propozime lidhe dhe zgjidhje deri te Kuvendi dhe do të mbetem pa koment lidhur me këtë. Por, duhet të potencoj se, në qoftë se lejohet me intervenime ligjore për Këshillin Gjyqësor si trup, dhe për trupa të tjerë që paraqesin kategori kushtetuese, ky do të ishte një mesazh dhe praktikë e keqe për të ardhmen”, deklaroi kryetari i Këshillit Gjyqësor.

Edhe pas të gjithë ndodhive kontroverse në Këshillin Gjyqësor, Georgiev tha se shpërbërja kolektive e këtij trupi, gjegjësisht, ndërprerje të mandatit të anëtarëve aktual – nuk është zgjidhje.

“Paramendoni, nëse në mënyrë kolektive largohen të gjithë anëtarët, do të kemi gjendje kur do të ketë hapësirë të zbrazët kush të veprojë që të vijnë anëtarët e rinj. Në pajtueshmëri të rregullimit ligjore të Këshillit Gjyqësor, gjithë atë procedurë për kolegët e rinj e zbaton Këshilli Gjyqësor”, deklaroi Georgiev.

Duke folur në këtë drejtim, kryetari i këtij trupi shtoi se për një periudhë të shkurtër kohore përfundon mandati i pjesës më të madhe të anëtarëve të kësaj përbërjeje të Këshillit, pas çka në vendin e tyre për kohë të shkurtër do të vijnë të rinj.

Deklarata e Georgievit vjen dy ditë pasi ministri i Drejtësisë Krenar Lloga paralajmëroi se pushteti dhe opozita ditëve në vijim do të bisedojnë që përbërja aktuale e këtij organi të ketë ndërprerje të mandatit me dispozita ligjore kalimtare.

Më shumë informacione, theksoi Lloga, do të ketë në ditët në vijim, pasi të diskutojë këtë çështje edhe me përfaqësues të opozitës në Kuvend.