Jurisprudenca në shqip ende në “provim” para Komisionit të Venedikut, studentët nuk e pranojnë zgjidhjen e Qeverisë
Komisioni i Venedikut ka filluar punën për propozimin e Qeverisë rreth provimit të Jurisprudencës, ku ditëve të fundit ata ishin në vend dhe u takuan me përfaqësues të institucioneve, partive politike si dhe studentët. Por me propozimin e qeverisë për këtë provim nuk pajtohen këta të fundit, të cilët insistojnë se provimi duhet të jetë 100% në gjuhën shqipe. Derisa pushteti insiston se zgjidhja e propozuar garanton qasje të barabartë për të gjithë kandidatët, opozita shqiptare thotë se kjo nuk është zgjidhja e duhur, raporton Portalb.mk.
Komisioni i Venedikut nga 26 nëntori ka qëndruar në Shkup, ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve për të mbledhur qëndrimet lidhur me modelin e ri të provimit të jurisprudencës e cila parashikon që teoria të jepet në shqip, ndërsa praktika në maqedonisht.
Pas takimit të Komisionit të Venedikut me Ministrinë e Drejtësisë, nga kjo e fundit njoftuan se qëllimi i zgjidhjes së propozuar është sigurimi i qasjes së barabartë në provimin e jurisprudencës për të gjithë kandidatët, pa vënë në pikëpyetje kriteret profesionale.
“Shasivari, potencoi se kërkesa për mendim nga Komisioni i Venecias përbën iniciativë për marrjen e vlerësimit juridik të pavarur, objektiv dhe profesional, me qëllim që të sigurohet një zgjidhje që do të jetë kushtetuese, juridikisht e qëndrueshme dhe e harmonizuar me standardet evropiane”, njoftuan nga Ministria e Drejtësisë.
Studentja Lindihana Uzeiri për Portalb.mk tha se Komisionit të Venedikut i dëshmuan se kërkesa e tyre nuk është thjesht dëshirë, por është e bazuar në argumente juridike dhe në rendin kushtetues të këtij vendi.
“Në Kushtetutën e RMV-së dhe në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve përcaktohen qartë të drejtat gjuhësore dhe detyrimi për zbatimin e tyre. Ne kërkojmë që këto të drejta të zbatohen në tërësi, e jo sipas interpretimeve subjektive apo dëshirës së dikujt. I bëjmë thirrje Komisionit të Venecias që, kur të japë mendimin e tij, të bazohet në rendin kushtetues dhe në argumentet juridike”, tha ajo.
Sa i përket propozimit aktual të Qeverisë, ajo tha se nuk e përmbush kërkesat e tyre.
“Ne nuk kemi kërkuar zgjidhje të pjesshme, as kompromis që vetëm pjesërisht e mundëson përdorimin e gjuhës shqipe. Kërkesa jonë është e qartë dhe e pandryshuar: provimi i jurisprudencës të mbahet 100% në gjuhën shqipe, për kandidatët që zgjedhin ta japin në këtë gjuhë. Kërkojmë të njëjtat kritere profesionale dhe mundësi të barabarta për t’i dëshmuar njohuritë tona juridike. Nëse propozimi dërgohet në Kuvend në këtë formë, ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë përmes të gjithë mekanizmave institucionalë, juridikë dhe demokratikë që kemi në dispozicion”, u shpreh Uzeiri.
Për provimin e jurisprudencës pati përplasje midis opozitës dhe pozitës edhe në seancën e fundit të pyetjeve të deputetëve në Kuvend.
Deputeti i Frontit Evropian, Skender Rexhepi, kërkoi që çështja e provimit të jurisprudencës të zgjidhet përmes një lex specialis, e jo të dërgohet në Komisionin e Venedikut.
Ai e pyeti kryeministrin Hristijan Mickoski nëse do ta tërheqë projektligjin për provimin e jurisprudencës, në mënyrë që kjo çështje të rregullohet njësoj si provimet e tjera profesionale që mund të jepen në gjuhën shqipe.
Rexhepi argumentoi se neni 9 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve e parasheh përdorimin e dygjuhësisë edhe në gjyqësor dhe prokurori, ndërsa këto dispozita, sipas tij, duhet të reflektohen edhe në ligjet dhe institucionet përkatëse.
“Prandaj, konsideroj se është bërë politikë e panevojshme ditore në këtë drejtim dhe, kryeministër, pyetja ime është nëse do ta tërhiqni këtë projektligj dhe do të lejoni që Ministria e Drejtësisë ta kryejë punën e saj në drejtim të harmonizimit të ligjit përkatës”, tha Rexhepi.
Ndërkohë kryeministri Hristijan Mickoski tha se në Kuvend ende nuk është dorëzuar ligji, që të mund të tërheqet, ndërsa ajo që i është dorëzuar Komisionit të Venedikut është material për të cilin kërkohet mendim dhe pasi ta dorëzojnë atë mendim, do të vendosin se çfarë do të bëjnë më tej.
“Nuk ju dëgjova gjithashtu që në fjalimin tuaj të thoni pse nuk propozuat ju një ligj të tillë, ja, një lex specialis këtu. Ajo që duam të bëjmë është t’u ndihmojmë sa më shumë që mundemi atyre studentëve, të cilët i shohim si studentë dhe jo si përqindje, jo si shifra, por si të rinj që duhet të fillojnë karrierën dhe jetën e tyre. Në sistemin gjyqësor të shtetit, në përputhje me mendimin e po këtij Komisioni të Venedikut, i cili ka dhënë mendim për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, parimi i franka lingua-s, përkatësisht një gjuhë në gjyqësor, është garancia e vetme për sundimin e së drejtës”, tha Mickoski.
Nga ana tjetër, deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, pas takimit me përfaqësuesit e Komisionit të Venedikut, ku së bashku me partnerët e koalicionit nga VMRO-DPMNE dhe ZNAM prezantuan qëndrimet dhe argumentet për ndryshimet e propozuara ligjore, tha se shqiptarët nuk mund të vendosen në të njëjtën peshore me komunitetet e tjera në Maqedoninë e Veriut.
Qoku vlerësoi se është e papranueshme të vihet në pikëpyetje e drejta e studentëve shqiptarë për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën në të cilën janë arsimuar, duke përmendur faktin se në vend funksionojnë universitete shtetërore, të akredituara dhe të financuara nga buxheti, ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, përfshirë fakultetet juridike.
“Një shqiptar mund të edukohet në gjuhën shqipe që nga kopshti, të përfundojë shkollimin fillor dhe të mesëm në shqip, të diplomojë në fakultetin juridik në shqip, madje të përfundojë edhe studimet master dhe doktoraturë në këtë gjuhë, por kur vjen momenti për ta dhënë provimin e jurisprudencës, papritur shqipja vihet në pikëpyetje”, deklaroi Qoku.
Komisioni Venecias seancën e mbledhjes e ka caktuar më 11 dhe 12 dhjetorit, në të cilën pritet të jepet mendimi për modelin e ri të provimit të jurisprudencës.
Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.
- LEXO: Për shkak provimit të jurisprudencës, ministri Shasivari zhvilloi takim me ekipin nga Komisioni i Venedikut
- LEXO: Komisioni i Venedikut vjen në Shkup për provimin e jurisprudencës
- LEXO: Përplasja për provimin e jusprudencës në shqip, Ahmeti dhe Shasivari ia hedhin përgjegjësinë njëri-tjetrit
- LEXO: Kuvendi e pret përgjigjen e Venedikut për jurisprudencën, kryeparlamentari thotë se do të kalojë me shumicë të thjeshtë
- LEXO: Studentët paralajmërojnë: Do të dalim në protesta nëse jurisprudenca nuk do të mundësohet tërësisht në shqip
- LEXO: Mickoski e përjashtoi provimin e jurisprudencës 100% në shqip, Sali vazhdon të premtojë zgjidhje, studentët kërkojnë afate konkrete