Ish kryetarja Dameva e paditi Këshillin Gjyqësor: Nëse nuk reagon gjyqësori, do t’i tregoj me emër ata që kanë ndikuar politikisht

Vesna Dameva, ish kryetare e Këshillit Gjyqësor e cila është shkarkuar nga detyra në mënyrë kontroverse, të cilën ekspertët e interpretuan si të paligjshme, ka dorëzuar padi deri te Gjykata Administrative dhe padi penale te Prokuroria Themelore Publike për shkarkimin e saj. Në bisedë me gazetarin e Portalb.mk, Dameva thotë se nëse institucionet nuk konfirmojnë përgjegjësi në afat të arsyeshëm, ajo është e gatshme që në opinion t’i tregojë emrat dhe mbiemrat e personave për të cilët ka aluduar se nga aspekti politik, do të jenë të kënaqur nga shkarkimi i saj.

“Kanë filluar procedura dhe gjatë atyre procedurave do të konfirmohet gjithçka. Sigurisht do të dëgjohen edhe të tjerë, ndërkaq dëshmi do të jap edhe unë. Të shohim, të presim, nëse nuk konstatohet atje, unë jam e gatshme të tregoj gjithçka, pasi tek unë nuk ka pasur ndikim. Unë bëj gjithçka që drejtësia të dalë në pah. Edhe përskaj të gjithave, unë besoj në institucionet tona. Kam guxim dhe fytyrë të pastër, ndërkaq nëse nuk konstatohet në tërësi se çfarë fshihet prapa shkarkimit tim, absolutisht do t’i tregojë emrat. Tek unë nuk ka ndikim, por nuk jam e sigurt nëse te të tjerët nuk ka”, thotë Dameva për Portalb.mk.

Dameva nuk dha ndonjë afat konkret se deri kur do të pret që të reagojnë autoritetet gjyqësore ndaj padive të saja.

Në lidhje me deklaratën e Selim Ademit për Portalb.mk, ku tha se “çdo gjë që nuk është e ndaluar me Kushtetutë dhe me ligj nuk është e ndaluar”, Dameva thotë se nuk dëshiron të besojë se ka dëgjuar diçka të tillë.

“Doktrina juridike te ligjet procesuuese nuk njeh diçka të tillë. Patjetër duhet të zbatohet procedura, të respektohet, ka norma. Atë që e dëgjova, sinqerisht nuk dëshiroj të besoj se e kam dëgjuar, pasi nuk korrespondon me dispozitat ligjore”, tha Dameva.

Ajo thotë se duke e pasur parasysh se gjatë shkarkimit të saj nga pozita e kryetares së Këshillit Gjyqësor janë bërë shkelje dhe tejkalim të ligjit i cili bie nën domenin e fushës penale-juridike, deri te Prokuroria Themelore Publike ka dorëzuar padi penale për ekzistimin e dyshimit se është kryer vepër penale e vazhduar “Keqpërdorim i detyrës dhe autorizimit zyrtar” nga neni 353 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 në lidhje me paragrafin 45 të Kodit Penal.

Deri te Gjykata Administrative ajo ka dorëzuar padi penale, me të cilën e konteston ligjshmërinë e vendimit të miratuar për shkarkimin e saj nga funksioni i kryetarit të Këshillit Gjyqësor.

Dameva, nuk i tregoi emrat ndaj të cilëve ka dorëzuar padi penale në Prokurori, ndërkaq për në Gjykatën Administrative tha se paditet tërë Këshilli Gjyqësor.

Pas shkarkimit kontrovers të Damevës me vetëm shtatë vota pro, Këshilli Gjyqësor pati dy përpjekje të pasuksesshme për të zgjedhur kryetarin e ri.

Këshilli Gjyqësor më 4 maj, në seancën pas orarit të punës, të cilin e njoftoi në ueb-faqen e tij pak para fillimit, me tetë vota për kryetar të ri zgjodhi Sashko Georgiev.

Megjithatë, para kësaj, këshilli mbajti dy seanca të fshehta – në orën 13:30 dhe në orën 14:00. Në të parën votoi tërheqjen e vendimit fillestar për shkarkimin e Damevës. Më pas, i dyti me nëntë vota ka votuar mosbesimin dhe e ka shkarkuar. Vendimet për mbajtjen e seancave të mbyllura nga Këshilli Gjyqësor u arsyetuan me një dispozitë të ligjit që parashikon se publiku mund të përjashtohet për të mbrojtur reputacionin dhe integritetin e gjyqtarit ose kandidatit për gjyqtar. Mirëpo në dy seancat e djeshme me dyer të mbyllura nuk është diskutuar fare për gjyqtar apo kandidat për gjyqtar.