Dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor të RMV-së dhanë dorëheqje

Gjykatëset Mirjana Radevska-Stefkova nga Gjykata Supreme dhe gjykatësi i Apelit, Zoran Gerasimovski sot kanë dhënë dorëheqje nga funksioni i anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, njofton Portalb.mk.

Sot, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Sashko Georgiev mbajti brifing tematik me gazetarët për testimin psikologjik dhe të integritetit dhe për kompensimet në paga të zyrtarëve gjyqësor, por nuk e përmendi këtë informatë.

Gerasimovski për “Prizma” ka deklaruar se “Këshilli është trup jofunksional dhe se ekziston padurim i madh që nuk mund të tejkalohet”.

Gjykatësit kanë ardhur në pozitë tanimë tetë muaj, ndërkaq mandati i tyre është gjashtëvjeçar.

Gerasimovski dhe RadevskaStefkova kanë votuar kundër vendimit për shkarkimin e Damevës nga funksioni i kryetarit.

Gjatë ditës së djeshme, Këshilli Gjyqësor mbajti seancë për konflikt interesash të ish-kryetares Dameva. Gjatë seancës pati debate dhe akuza të ndërsjella. Për Damevën pati akuza se ka marrë pjesë në procedura për caktim të përgjegjësisë së gjykatësve, ku si palë është paraqitur bashkëshorti i saj.

Pas shkarkimit të Damevës me vetëm shtatë vota pro, Këshilli Gjyqësor pati dy përpjekje të pasuksesshme për të zgjedhur kryetarin e ri.

Këshilli Gjyqësor më 4 maj, në seancën pas orarit të punës, të cilin e njoftoi në ueb-faqen e tij pak para fillimit, me tetë vota për kryetar të ri zgjodhi Sashko Georgiev.

Megjithatë, para kësaj, këshilli mbajti dy seanca të fshehta – në orën 13:30 dhe në orën 14:00. Në të parën votoi tërheqjen e vendimit fillestar për shkarkimin e Damevës. Më pas, i dyti me nëntë vota ka votuar mosbesimin dhe e ka shkarkuar. Vendimet për mbajtjen e seancave të mbyllura nga Këshilli Gjyqësor u arsyetuan me një dispozitë të ligjit që parashikon se publiku mund të përjashtohet për të mbrojtur reputacionin dhe integritetin e gjyqtarit ose kandidatit për gjyqtar. Mirëpo në dy seancat me dyer të mbyllura nuk është diskutuar fare për gjyqtar apo kandidat për gjyqtar.