Për shkak provimit të jurisprudencës, ministri Shasivari zhvilloi takim me ekipin nga Komisioni i Venedikut

Çështja e provimit të jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut, ishte temë e takimit ndërmjet ministrit të drejtësisë, Jeton Shasivari, dhe raportuesve të Komisionit të Venedikut. Ministri vlerësoi se kjo çështje është drejt zgjidhjes së qëndrueshme juridike dhe në përputhje me standard evropiane, transmeton Portalb.mk.

“Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, potencoi se kërkesa për mendim nga Komisioni i Venecias përbën iniciativë për marrjen e vlerësimit juridik të pavarur, objektiv dhe profesional, me qëllim që të sigurohet një zgjidhje që do të jetë kushtetuese, juridikisht e qëndrueshme dhe e harmonizuar me standardet evropiane”, deklaruan nga Ministria e Drejtësisë.

Në takim morën pjesë edhe kryetari dhe anëtarët e Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës, të cilët demonstruar procedurat për dhënien e provimit, ndërsa ministri u ndal te baza kushtetuese dhe ligjore.

Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.