RMV, 50 raste të reja me “kollën e keqe” për një javë, pesë fëmijë janë hospitalizuar

Në periudhën prej 1 deri më 7 mars në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 50 raste të reja me “kollën e keqe”. Sipas raportit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, pjesa më e madhe e rasteve janë në Shkup – 43, Tetovë 3, ndërkaq nga një në Koçan, Kavadar, Kumanovë dhe Manastir, njofton Portalb.mk.

Nga rastet e reja, pesë fëmijë janë hospitalizuar. Bëhet fjalë për katër foshnje të moshës nën 1 vjeçare dhe një fëmijë në grupin e fëmijëve të moshës deri në 4 vjeç.

Mosha e të prekurve lëvizë deri në 40 vjeç, ndërkaq shumica e rasteve janë fëmijë nga 10 deri në 14 vjeç.

Deri në fund të 7 marsit, në RMV, janë regjistruar gjithsej 173 raste të “kollës së keqe”. Prej tyre, 102 raste (58%) nuk kanë qenë të vaksinuar tërësisht, pjesërisht ose nuk kanë provë për vaksinim, thuhet në raport.

Nga të sëmurët, 33 persona janë hospitalizuar (19%) edhe atë 28 )84,8%) prej tyre në moshë deri në 4 vjeç.

Sipas rekomandimeve të Komisionit të Sëmundjeve Infektive prej të hënës në çerdhe nuk do të pranohen fëmijë të cilët nuk janë vaksinuar me di-te-per, ndërkaq nga Inspektorati Shëndetësor Sanitar kanë paralajmëruar kontrolle të përforcuara.

Kujtojmë se shenjat e para të kollës së keqe janë të ngjashme me ftohjen, si rrjedhje hundësh dhe dhimbje fyti. Rreth një javë më pas, personi mund të ketë sulme të kollës që janë aq të rënda sa që lëshojnë një tingull të lartë midis kollitjeve ndërsa përpiqen të marrin frymë.