RMV, Komisioni për sëmundje infektive rekomandoi shpalljen e epidemisë së kollës së madhe në Shkup

Komisioni për sëmundje infektive sot ka mbajtur mbledhje të rregullt në të cilën, siç ka njoftuar Petliçkovski, është diskutuar për gjendjen aktuale me infeksionet virale, akute-respiratore dhe kollën e madhe, transmeton Portalb.mk.

“Shifrat e fundit janë 18 raste të konfirmuara të kollës së madhe. Duke pasur parasysh se ky numër është në rritje, sidomos në territorin e qytetit të Shkupit, ku janë konfirmuar 14 raste, vendosëm të propozojmë shpalljen e epidemisë për qytetin e Shkupit. Kjo tingëllon e frikshme, por në realitet duhet të na e bëjë më të lehtë përballimin e rrezikut që vjen me kollën e madhe. Presim udhëzim për trajtimin e një epidemie nga Instituti i Shëndetit Publik dhe aktivitetet kryesore duhet të synojnë plotësimin e vaksinave të humbura. Niveli i personave të vaksinuar për pertusis nuk është në nivel të kënaqshëm”, tha Aleksandar Petliçkovski, kryetar i Komisionit për sëmundje infektive.

Ai u bëri thirrje të gjithë atyre që nuk kanë bërë vaksinimin me kalendarin e rregullt, të vaksinohen. Ata propozojnë që puna të organizohet në dy turne dhe të pranohen fëmijët për vaksinim edhe të shtunave.

“Ne rekomandojmë ndalimin e pranimit të fëmijëve të pavaksinuar për kollën e madhe në kopshte. Presim që këto masa të nxisin interesin për vaksinim. Fokusi është mbrojtja e më të vegjëlve. Kjo sëmundje është më e vështira për të vegjlit. Vaksinimi sipas kalendarit të rregullt fillon në muajin e dytë. Edhe një dozë mbron dukshëm të vaksinuarin nga një rrjedhë e rëndë e sëmundjes”, shtoi ai.

Sa i përket shkollave, ai theksoi se aktualisht nuk kanë zgjidhje duke pasur parasysh se arsimi është i detyrueshëm.

Ky rekomandim nuk vlen për shkollat, por vetëm për kopshtet, tha Petliçkovski.

Ngjitshmëria e kësaj sëmundje zgjat 5-6 ditë, periudha e inkubacionit mund të variojë nga 7 deri në 21 ditë dhe rastet e konfirmuara duhet të qëndrojnë të izoluara pesë ditë pas fillimit të terapisë me antibiotikë.

“Kemi shumë teste në dispozicion, mjekët amë dhe specialistët do të marrin udhëzime nga OBSH për t’i referuar rastet e dyshuara për analiza”, tha Petliçkovski.

Nga përvoja me epideminë e fruthit, Komisioni vendosi për këto opsione, pasi siç thonë ata, ka pasur efekt.

Këto janë rekomandimet për ministrin e Shëndetësisë dhe Petliçkovski pret që ato të hyjnë në fuqi sa më shpejt.

Kujtojmë se shenjat e para të kollës së mirë janë të ngjashme me ftohjen, si rrjedhje hundësh dhe dhimbje fyti. Rreth një javë më pas, personi mund të ketë sulme të kollës që janë aq të rënda sa që lëshojnë një tingull të lartë midis kollitjeve ndërsa përpiqen të marrin frymë.LEXO: Kolla e madhe merr përmasa të mëdha, mjekët këshillojnë, mos vononi kërkoni ndihmë mjekësore menjëherë