Për mbrojtje nga kolla e keqe nuk ka zgjidhje tjetër përveç vaksinimit

Fëmijët e pavaksinuar nuk duhet të shkojnë në kopsht, nëse nuk duam që të përballemi me epidemi të sëmundjeve të rrezikshme për shëndetin dhe jetën e fëmijëve dhe të rriturve. Ky është qëndrimi i epidemiologëve, të cilët këmbëngulin për vaksinimin e popullatës, pas propozimit të Komisionit të Sëmundjeve Infektive për shpalljen e epidemisë së pertusis në kryeqytet. Meta.mk bisedoi me Prof. d-r. Nikolla Panovskin dhe d-r. Aleksandar Stojanovin, të cilët thonë se njerëzit mbrohen vetëm me vaksinën DiTePer, e cila merret pesë herë gjatë jetës, gjegjësisht gjatë fëmijërisë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Vaksina është e detyrueshme

Fëmijët nuk duhet të shkojnë në kopsht të pavaksinuar. Fëmijë të pavaksinuar ka edhe në shkolla, por besohet se ata do ta kalonin më lehtë sëmundjen dhe për këtë arsye nuk janë aq të rrezikshëm. Por foshnjat duhen mbrojtur, apelon Prof. d-r Nikolla Panovski.

“E dyta, nevojitet një diagnostikim i shpejtë. Nëse mjeku dyshon për pertusis, duhet dhënë antibiotik. Ai shëron ngadalë, por parandalon përhapjen e sëmundjes”, thotë Panovski.

Sipas tij, frika nga vaksinat, si dhe vetë pandemia e Covid-it, ka ngjallur frikë nga vaksinat dhe përhapjen e bindjeve kundër vaksinimit.

“Në Shkup ka një përqindje më të ulët të vaksinimit, dhe atë në komunat urbane Qendër dhe Karposh. Antivakserët e shkaktuan të gjithë këtë telash”, shton ai.

Kolegu i tij, d-r. Aleksandar Stojanov, thotë se kollë të keqe ka, ashtu siç kishin edhe epidemi fruthit dhe shytave.

“Në të kaluarën nuk ka pasur epidemi të kollës së keqe. Por atëherë procesi ishte i mirë, DiTePer jepej pesë herë gjatë jetës, njerëzit ishin të mbrojtur. Ne lejojmë që antivakserët ta zvogëlojnë mbulimin me vaksina. Ai duhet të jetë 98 përqind, që popullata të jetë e mbrojtur. Nëse është nën këtë përqindje sëmundja gjithmonë mund të kthehet”, thotë Stojanov.

Dikur shkonim nëpër fshatra dhe vaksinonim

Stojanov kujton epideminë e fruthit në vitin 2018 kur rasti i parë u regjistrua në një shkollë në Radishan.

“Pasi u vaksinuan të gjithë situata i qetësua. Në lagjen Bair në Manastir shpërthyen shytat, që u përhapën shumë shpejt. Vaksinimi gjithmonë ka qenë problem. Por, dikur kishim një sistem të mirë që funksiononte. Shkonim nëpër fshatra dhe i vaksinonim njerëzit, nuk prisnim që ata të vijnë në ambulantë. Çdo 45 ditë shkonim rregullisht, kishim orar. Tani i presim që të vijnë, por ata nuk vijnë. Edhe pikat e vaksinimit janë reduktuar, është reduktuar edhe numri i ekipeve që vaksinojnë.  Duhet punuar më shumë në terren. Në të kaluarën nuk kishte të pavaksinuar me DiTePer. Në Shkup problemi është se ka antivakserë, ndërsa në fshat njerëzit kanë besim tek mjekët”, thotë Stojanov.

Nuk ka mbulim prej 95 përqind me asnjë vaksinë

Përsa i përket vaksinimit primar, mbulimi i rekomanduar në nivel kombëtar prej mbi 95 përqind nuk është konstatuar për asnjë vaksinë. Mbulimi i regjistruar për vaksinim primar është nën 90 përqind për të gjitha vaksinat, dhe atë kundër hepatitit B, Haemophilus influenzae tip B, DiTePer/IPV dhe vaksinës MRP, si dhe vaksinimi kundër HPV, i cili ka mbulimin më të ulët nga të gjitha vaksinat.

“Mbulimi me vaksinim primar me tre doza të vaksinës kundër HiB, DiTePer dhe IPV për vitin 2022 për të gjithë republikën është 83,9 përqind. Mbulim më i ulët se 90 përqind është regjistruar në territorin e Velesit, Gjevgjelisë, Shtipit, Ohrit, Tetovës, Prilepit, Shkupit, Manastirit dhe Strumicës, ndërsa mbulim më i ulët prej 53.7 përqind është regjistruar në territorin e Kumanovës. Nga fëmijët që është dashur të vaksinohen, nuk janë vaksinuar gjithsej 3.322 fëmijë dhe prej tyre 41 përqind (1.368) janë nga Shkupi dhe 27,4 përqind (910) nga Kumanova”, thuhet në raportin e fundit të Institutit të Shëndetit Publik.

Rivaksinimi i parë me DiTePer, duke filluar nga viti 2015, ka shënuar rënie të vazhdueshme duke arritur mbulimin më të ulët prej 66 përqind në vitin 2020. Në vitin 2022 u regjistrua një rënie e mbulimit (69,3 përqind) krahasuar me vitin 2021 (72,8 përqind). Mbulimi mesatar për periudhën 2017-2021 ka qenë 78,1 përqind dhe është më i lartë se mbulimi i regjistruar në vitin 2022.

Mbulimi i rivaksinimit me DiTePer/IPV tek fëmijët e moshës 7-vjeçare prej 88,5 përqind, shënon një rritje krahasuar me vitin 2020 (87,3 përqind) dhe me vitin 2021 (74,7 përqind). Mbulimi i rivaksinimit DiTe/IPV tek fëmijët e moshës 14 vjeç (89,3 përqind) shënon një rritje krahasuar me vitin 2020 (80,3 përqind) dhe vitin 2021 (85,9 përqind), por kjo përqindje vazhdon të jetë e ulët, pra nën 90 përqind.

Nëse kanë lëshuar një dozë, prindërit duhet t’i vaksinojnë menjëherë fëmijët

D-r. Kristina Stavridis nga Instituti i Shëndetit Publik pak kohë më parë për Meta.mk tha se prindërit duhet t’i kontrollojnë dosjet e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe nëse kanë lëshuar pa e pranuar një dozë të vaksinës ose nuk i kanë vaksinuar fare, duhet të telefonojnë menjëherë qendrën e vaksinimit dhe ta vaksinojnë fëmijën e tyre sipas Kalendarit të vaksinimit.

“Shfaqja e rasteve të kollës së keqe nuk është diçka e pazakontë, veçanërisht tani kur në rajon dhe Evropë po evidentohen epidemi dhe një numër i rritur i rasteve, e sidomos në një situatë ku po përballemi me rënie të mbulimit me vaksinim”, tha ajo.

Dëmtimi i trurit, një nga komplikimet e sëmundjes

Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar informacion lidhur me sëmundjen e kollës së keqe. Në pjesën ku flitet për Komplikimet e kollës së keqe renditen: pneumonia, inflamacioni i veshit të mesëm, humbja e oreksit, dehidratimi, konvulsionet, dëmtimi i trurit, herniet, frakturat në zonën e kraharorit, prolapsi i fundit të zorrëve, episodet e ndalimit të frymëmarrjes.

“Kolla e keqe shkakton komplikime serioze dhe ndonjëherë vdekje tek fëmijët nën një vjeç. Një e treta e fëmijëve nën një vit që sëmuren me kollën e keqe kanë nevojë për trajtim spitalor. Tek ato si komplikime më të shpeshta janë apnea (ndërprerje e rrezikshme e frymëmarrjes), pneumonia (inflamacion i mushkërive), konvulsionet (ngërçe), encefalopatitë (dëmtime të trurit) dhe një në 100 pacientë mund të ketë përfundim fatal. Komplikimet janë më pak serioze tek fëmijët më të rritur dhe të rriturit, sidomos tek ata që janë të vaksinuar kundër pertusis”, thuhet në njoftim.

Mënyra më e mirë për parandalimin e kollës së keqe është vaksinimi. Vaksinimi kundër kollës së keqe kryhet me vaksina të kombinuara: Hexaxim (DTaP-IPV-Hib-HepB), Pentaxim (DTaP-IPV-Hib) dhe Tetraxim (DTaP-IPV).

Seria primare e vaksinimit kryhet me tre doza të vaksinës së kombinuar (Hexaxim ose Pentaxim). Sipas Kalendarit të Imunizimit, doza e parë e vaksinës u jepet fëmijëve kur kanë mbushur dy muaj, doza e dytë në 4 muaj dhe doza e tretë kur ato i kanë mbushur 6 muaj. Rivaksinimi i parë kryhet një vit pas përfundimit të vaksinimit primar, me dhënien e një doze Pentaxim në pasi fëmija të ketë mbushur 18 muaj. Rivaksinimi i dytë bëhet në klasën e dytë, pra në moshën 7 vjeçare, me aplikimin e një doze të vaksinës së kombinuar Tetraxim.

Kujtojmë se me katër raste të reja me “kollë të madhe” apo pertusis, numri i përgjithshëm ka arritur në 26. Për momentin në mjekim spitalor në Klinikën Universitare për Sëmundje Respiratore Kozle ka 5 raste të konfirmuara, për 3 të tjerë priten rezultate.

Pikat vaksinale tanimë punojnë në dy turne, ndërkaq plotësisht kanë punuar edhe sot në orar prej 8 deri në 14. Bëhet fjalë për pikat në Gjorçe Petrov, Bukuresht, Jane Sandanski, Çento, Bit Pazar dhe Çair.