Regjisori i ‘Udhës së shkronjave’

Iku në amshim Vladimir Prifti, regjisori dhe njëri nga skenaristët e filmit “Udha e shkronjave” (1978), me subjekt nga tregimi “Buka dhe thika” nga Dhimitër Shuteriqi. Ky film, i paprekur nga dogma e realizmit socialist, bazohet te jeta dhe vepra e Theodhor Haxhifilipit (1730 – 1805), i njohur si Dhaskal Todri.

Theodor Haxhifilipi, i shkolluar në Akademinë e Voskopojës, punoi si mësues dhe përktheu literaturë kishtare nga greqishtja në gjuhën shqipe. Ai e krijoi edhe një alfabet me 53 shkronja, kurse nga Europa solli shkronja tunxhi që të botonte libra në gjuhën shqipe, por gjatë kthimit u vra nga Patrikana. Që të fshiheshin gjurmët e krimit politik, u tha se vrasja ishte bërë për qëllime të ulëta. Më shumë njohuri për alfabetin e tij përfitojmë nga librat e Tomor Osmanit, Udha e shkronjave shqipe (Shkodër, 1999) dhe Xhevat Lloshit, Rreth alfabetit të shqipes (Logos-a, Shkup, 2008).

Filmi “Udha e shkronjave”, që përcjell mesazhin se për shkrimin e gjuhës shqipe u bënë shumë sakrifica e flijime, e sjell atmosferën e asaj periudhe nëpërmjet imazhit, ambientit, kostumografisë, gjithsesi edhe personazheve të Dhaskal Todrit (interpretuar nga Sandër Prosi); Tunxhit, një fshatari besnik dhe të ndershëm (Bujar Lako); priftit Ndrio, vrasës i mësuesit (Ndrekë Luca); hanxhiut tamahqar (Luftar Paja) etj. Pra, nëpërmjet një kaste aktorësh që lanë gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë shqiptare. Sipas profesorit Josif Papagjonit, Dhaskal Todri është sjellësi i dritës, Tunxhi është mbrojtësi i saj, kurse prifti Ndrio është shtrigani i territ. Vrasja, jo rastësisht, ndodh në terr.

Nga filmi, që e paraqet luftën e dritës së kulturës kundër obskurantizmit dhe territ të padijes, kujtohen shumë batuta e thënie të mençura, si: “Tunxh, bir!”. “Këto shkronja janë flori e shkuar floririt. Floriri tretet e humbet, kurse gjuha dhe kënga mbeten”. “E këndoi gjyshi yt, e këndon ti, do ta këndojnë të gjithë kur të kemi shkollat tona, or Tunxh”. “Me këto shkronja do të shkruhet gjuha jonë”. “Shkronjat tona do të ndrisin o të pabesë”. “Pak më parë më pyete për Teodor Voskopojarin, në vdiq apo e helmuan. E helmuan Tunxh, se ato rrëfenjat i thoshte në gjuhën tënë”...

Është e veçantë edhe kolona zanore (nga Kujtim Lara), por edhe kënga me vargjet: “O trima shqipe përmbi male / Bini mbi armiqtë, shkrepni si rrufe! / O trim në gjoks ç’u godite, / Tokën që e deshe, ti me gjak vadite. / O trim re për mëmëdhenë, / Ndrit si yll mbi shkrepat, /  Rron e rron sa jeta!”.

Vladimir Prifti, për koincidencë, iku në amshim në nëntor, në muajin kur ndodhën ngjarje madhore në historinë shqiptare. Në nëntorin e vitit 1908 u mbajt Kongresi i Alfabetit në Manastir, kurse në nëntorin e vitit 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.