Abdush Demiri është kandidat i opozitës shqiptare për anëtar të KSHZ-së

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti në emisionin e sotëm “Top Tema” në televizionin “Telma” tha se Abdush Demiri është kandidati i bllokut opozitar shqiptar “Lidhja evropiane për ndryshim” për anëtar të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), raporton MIA.

Sipas Mexhitit, kandidati i tyre i përmbush kushtet dhe do të aplikojë në konkurs. Ai vend në KSHZ, thotë Mexhiti, duhet të plotësohet sa më shpejtë që, siç tha, të ndërpriten spekulimet se Qeveria po përgatit zgjedhje jo korrekte.

“Vetë fakti që është kërkuar mendim nga një komision në Kuvend për të përcaktuar se kujt i takon ai vend, do të thotë se po përgatitet një skenar”, tha Mexhiti, duke shtuar se qëllimi është që ata të jenë jashtë fushatës mediatike dhe të mos kenë anëtarë në komisionet zgjedhore.

Pas emërimit të Krenar Llogës si ministër i Drejtësisë u zbraz një vend në KSHZ i cili duhet të plotësohet me përfaqësues nga opozita.

Demiri, i cili është anëtar i Lëvizjes Besa, në vitin 2020 ishte drejtor në Agjencinë për Punësim në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, më 26 tetor ka folur për datat e mundshme për shpalljen e zgjedhjeve, si dhe për afatet. Ai ndau tre data të mundshme për raundin e parë dhe të dytë të zgjedhjeve.

Më 4 tetor kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski i bëri thirrje kryeministrit dhe lider i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski të thërrasë takim të liderëve, në të cilin, siç thotë, do të bisedohet për procesin zgjedhor.

Tre partitë opozitare shqiptare në krye me Afrim Gashin, Bilall Kasamin dhe Izet Mexhitin, tashmë kanë shpalosur edhe emrin që do t’i përfaqësojë bashkërisht, si dhe nën të cilin do të bashkëpunojnë dhe do të garojnë në të ardhmen. Aleanca për Shqiptarët e ka refuzuar ftesën e bllokut opozitar për bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke paralajmëruar që do të garon e vetme në zgjedhje.