Qytetarët e Maqedonisë së Veriut duhet të parashtrojnë pyetje të rënda deri te kandidatët, këshilloi ambasadorja amerikane

Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler, sot ka rekomanduar qytetarët të kërkojnë përgjegjësi nga kandidatët në garën zgjedhore dhe pastaj të votojnë, transmeton Portalb.mk.

“Qytetarët dhe votuesit në këtë vend duhet të parashtrojnë pyetje të rënda deri te kandidatët, dhe pastaj ata votues duhet të votojnë”, deklaroi ambasadorja Aggeler.

Ajo këshilloi votuesit e Maqedonisë së Veriut që të dalin për të votuar për kandidatin që i pasqyron ëndrrat e tyre për të ardhmen, pasi mosdalja në zgjedhje “nuk sjell asgjë.”

Ndryshe, kandidatët për kreun e shtetit dje kishin ditën e fundit për të promovuar fushatën e tyre për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Sot është heshtje zgjedhore, e cila do të zgjasë deri nesër, më 24 prill deri në orën 19:00, pra deri në mbylljen e qendrave të votimit.

Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 8 maj, atëherë kur do të mbahen edhe zgjedhjet e rregullta parlamentare.