RMV, heshtje për presidencialet, fushatë për parlamentaret, sot votojnë te burgosurit, të pafuqishmit dhe diaspora

Kandidatët për kreun e shtetit dje kishin ditën e fundit për të promovuar fushatën e tyre për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Sot është heshtje zgjedhore, e cila do të zgjasë deri nesër, më 24 prill deri në orën 19:00, pra deri në mbylljen e qendrave të votimit, transmeton Portalb.mk.

Gjatë heshtjes, pushon mbulimi mediatik në lajmet dhe emisionet speciale informative të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore si për zgjedhjet presidenciale ashtu edhe për ato parlamentare.

“Sipas Kodit Zgjedhor, transmetimi i: çdo informacioni, fotografie, materiali audio dhe audiovizuale që lidhet ose në të cilin marrin pjesë pjesëmarrësit në zgjedhje, çdo formë e raportimit mediatik që është i hapur ose i fshehtë në funksion të fushatës zgjedhore konsiderohet si shkelja e heshtjes zgjedhore dhe mund të ndikojë në vendimin e votuesve, të dhëna që zbulojnë identitetin e subjekteve politike dhe/ose individëve të përfshirë në incidente apo parregullsi të tjera në ditën e votimit, si dhe deklaratat e kandidatëve në procesin zgjedhor, nga pjesëmarrësit në fushatë zgjedhore, nga përfaqësues të partive politike dhe nga bartës të funksioneve në organet qeveritare”, thuhet në njoftimin e Agjencisë për Shërbime mediatike (AShMAA).

Gjatë kësaj periudhe lejohet transmetimi i prezantimeve politike falas dhe reklamimi politik me pagesë i pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare.

Në të njëjtën kohë, në ditët e heshtjes zgjedhore, lejohet transmetimi i fushatës edukative reklamuese të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për Zgjedhjet e vitit 2024.

Për zgjedhjet presidenciale, në listën zgjedhore janë regjistruar 1.814.317 votues. Në certifikatat nga Lista Zgjedhore për votim në vend janë regjistruar 1.713.758 votues, ndërsa jashtë vendit në përfaqësitë diplomatike-konsullore apo diplomatike do të votojnë 2.569 votues.

Në certifikatën e posaçëm nga Lista zgjedhore për personat që vuajnë dënimin me burg ose ndodhen në paraburgim gjatë zgjedhjeve janë regjistruar 2 147 votues.

Në Listën Zgjedhore për personat që gjatë zgjedhjeve ndodhen në institucionet për përkujdesje jashtëfamiljare janë regjistruar edhe 534 votues, të cilët kanë dorëzuar kërkesë për votim. Dy persona janë renditur si persona të zhvendosur brenda vendit.

Votuesit në zgjedhjet e shtatë presidenciale do të mund të zgjedhin një nga shtatë kandidatët për president – pesë burra dhe dy gra. Kandidatët janë presidenti aktual Stevo Pendarovski i mbështetur nga LSDM dhe koalicioni, Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE, Biljana Vakovska, e mbështetur nga E Majta, Maksim Dimitrievski – Lëvizja ZNAM, Stevço Jakimovska – GROM, Arben Taravari nga koalicioni “VLEN”, Bujar Osmani i përkrahur nga Fronti Evropian.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, i cili pritet të zhvillohet, do të përkojë me zgjedhjet parlamentare të 8 majit dhe kur votuesit të shkojnë në qendrat e votimit para se të marrin fletëvotimin, do të duhet të deklarojnë nëse do të votojnë për të dyja zgjedhjet ose jo. Nëse nuk duan të votojnë në asnjë prej zgjedhjeve, nuk do të mund të ndryshojnë mendje gjatë ditës dhe të kthehen sërish në qendrën e votimit dhe të votojnë.

Sot votojnë diaspora, të burgosurit, të moshuarit dhe të sëmurët dhe të pafuqishmit. Votimi për president ka nisur me anëtarët e këshillave zgjedhorë që kanë udhëtuar për të zhvilluar votimin në diasporë. Në Listën zgjedhore janë shënuar 191 votues, të cilët duhet të votojnë në diasporë.