Heshtje zgjedhore për presidencialet në RMV

Gjatë heshtjes, në datat 23 dhe 24 prill (deri në orën 19:00) pushon mbulimi mediatik në lajmet dhe emisionet speciale informative të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore si për zgjedhjet presidenciale ashtu edhe për ato parlamentare, transmeton Portalb.mk.

“Sipas Kodit Zgjedhor, transmetimi i: çdo informacioni, fotografie, materiali audio dhe audiovizuale që lidhet ose në të cilin marrin pjesë pjesëmarrësit në zgjedhje, çdo formë e raportimit mediatik që është i hapur ose i fshehtë në funksion të fushatës zgjedhore konsiderohet si shkelja e heshtjes zgjedhore dhe mund të ndikojë në vendimin e votuesve, të dhëna që zbulojnë identitetin e subjekteve politike dhe/ose individëve të përfshirë në incidente apo parregullsi të tjera në ditën e votimit, si dhe deklaratat e kandidatëve në procesin zgjedhor, nga pjesëmarrësit në fushatë zgjedhore, nga përfaqësues të partive politike dhe nga bartës të funksioneve në organet qeveritare”, thuhet në njoftimin e Agjencisë për Shërbime mediatike (AShMAA).

Gjatë kësaj periudhe lejohet transmetimi i prezantimeve politike falas dhe reklamimi politik me pagesë i pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare.

Në të njëjtën kohë, në ditët e heshtjes zgjedhore, lejohet transmetimi i fushatës edukative reklamuese të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për Zgjedhjet e vitit 2024.

“Agjencia pret që të gjithë transmetuesit që nga sonte në mesnatë të përshtatin programin e tyre për heshtjen zgjedhore”, thonë nga AShMAA.

Kujtojmë se raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, i cili pritet të zhvillohet, do të përkojë me zgjedhjet parlamentare të 8 majit dhe kur votuesit të shkojnë në qendrat e votimit para se të marrin fletëvotimin, do të duhet të deklarojnë nëse do të votojnë për të dyja zgjedhjet ose jo. Nëse nuk duan të votojnë në asnjë prej zgjedhjeve, nuk do të mund të ndryshojnë mendje gjatë ditës dhe të kthehen sërish në qendrën e votimit dhe të votojnë.

Sot voton diaspora, të burgosurit, të moshuarit dhe të sëmurët dhe të pafuqishmit. Votimi për president ka nisur me anëtarët e këshillave zgjedhorë që kanë udhëtuar për të zhvilluar votimin në diasporë. Në Listën zgjedhore janë shënuar 191 votues, të cilët duhet të votojnë në diasporë.