QMK: Pesë zjarre janë aktive në fushë të hapur dhe 19 janë shuar
Në periudhën nga dje deri në mëngjesin e sotëm deri në orën 7 të mëngjesit, pesë zjarre janë aktive në fushë të hapur dhe 19 janë shuar, njoftoi Qendra për Menaxhim të Krizave (QMK), transmeton Portalb.mk.
“Nga zjarret aktive, një është në komunën e Dojranit në fshatin Nikoliç, ku po digjet një pyll me kërcell të ulët, një tjetër në komunën e Çuçer Sandevës, ku po digjet edhe një pyll me kërcell të ulët në fshatin Gornjani. Një zjarr aktiv ka edhe në komunën e Velesit pranë fshatrave Xhidimirci dhe Krushje, ku po digjet një pyll i përzier, në komunën e Makedonski Brod midis fshatrave Creshnevo, Lokvica, Krapa dhe Sllatinë, ku po digjet një pyll lisi, shkurre dhe bimësi e ulët”, thuhet në njoftimin e QMK.
Sipas informacioneve nga QMK, një zjarr ka edhe në komunën e Prilepit në vendbanimin “Tri Bagremi”, i cili ka prekur bimësinë e ulët.
Maqedonia e Veriut, edhe këtë verë po përballet me zjarre masive të pakontrolluara, si dhe sërish ka problem me menaxhimin e tyre për shkak të mungesës së pajisjeve dhe burimeve njerëzore.
Për këtë arsye, ngjashëm si vitin e kaluar, është aktivizuar Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, Armata u angazhua në shuarjen e zjarrit me vendim të presidentes Gordana Siljanovska – Davkova, pas vendimit të Qeverisë së RMV-së për gjendjen e krizës 30 ditore.
Kujtojmë se, në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.