Maqedonia e aktivizoi mekanizmin e BE-së për ndihmë në përballimin e zjarreve, Greqia dërgoi avionë kundërzjarr në afërsi të Dojranit

Shteti i Greqisë ka dërguar avion për shuarjen e zjarrit në afërsi të Dojranit. Kjo ndihmë erdhi pas kërkesës nga Maqedonia e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Maqedonia e Veriut, edhe këtë verë po përballet me zjarre masive të pakontrolluara, si dhe sërish ka problem me menaxhimin e tyre për shkak të mungesës së pajisjeve dhe burimeve njerëzore.  

Për këtë arsye, ngjashëm si vitin e kaluar, është aktivizuar Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Evropian. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një konferencë për shtyp me 9 korrik njoftoi se për shkak të seriozitetit të situatës me zjarret në pyje në të gjithë vendin kanë kërkuar ndihmë nga BE-ja.

“Është aktivizuar edhe mekanizmi për ndihmë evropiane në përballimin e zjarreve dhe të gjitha kapacitetet e shtetit po vihen në funksion në masën maksimale të mundshme”, tha Toshkovski.

Siç theksoi ai, Greqia, në kuadër të këtij mekanizmi, ka siguruar tashmë dy avionë zjarrfikës, të cilët do të vihen në funksion, si dhe dy ekipe këmbësorie që do të ndihmojnë Maqedoninë në shuarjen e zjarreve.

“Zjarret në Dojran, Nikoliç, Palanka, Orman, Volkovë, si dhe zjarri pranë Samokov dhe Vizbegovë, janë vënë nën kontroll”, tha Toshkovski.

Si dhe pas kërkesës së Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), “avionët kanadezë grekë tashmë janë duke ndërhyrë në zjarrin pranë fshatit Nikoliq, afër Dojranit, së bashku me dy ekipe zjarrfikëse greke”, sqaroi Qendra për Menaxhim me Kriza.

Qendra sqaroi qe 157 pjesëtarë të ushtrisë së Maqedonisë së Veriut janë dukë kontribuar në shuarjen e zjarrit në disa lokacione të Maqedonisë së Veriut.

Deri në ora 17:30, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 21 zjarre aktive dhe katër të shuara.

Kujtojmë se për shkak të rritjes së shfaqjes së zjarreve, Qeveria dje miratoi një vendim në një seancë me të cilin shpalli gjendje krize në të gjithë territorin e vendit për një periudhë prej 30 ditësh.