Indonezi, 24 të vdekur nga zjarri në një fabrikë ëmbëlsirash
Indonezia konfirmoi se 24 persona kanë humbur jetën nga zjarri që gjatë fundjavës përfshiu një fabrikë ëmbëlsirash. Ndërkohë, ekipet e shpëtimit, duke u përballur me rrezikun e shembjes së strukturave të paqëndrueshme të objektit të djegur, po kërkonin rreth 30 persona të zhdukur, raporton Reuters.
Autoritetet ende po hetojnë shkakun e zjarrit, i cili shpërtheu të shtunën në mbrëmje në një nga objektet e fabrikës së ëmbëlsirave në Çikande, në provincën Banten, rreth një orë larg kryeqytetit Xhakarta.
Said Ikbal, këshilltar i presidentit për çështjet e punës, deklaroi për gazetarët se 24 persona kanë humbur jetën. Ai shtoi se po verifikohet zbatimi i protokolleve të sigurisë, ndërsa drejtori ekzekutiv i fabrikës do të thirret në pyetje.
Sipas raportimeve fillestare, zjarri mund të jetë shkaktuar nga një qark i shkurtër në një pajisje të klimatizimit, tha Said.
Kompania pronare e fabrikës punëson gjithsej rreth 5.000 persona dhe është një nga furnizuesit kryesorë të mallrave të konsumit në tregun vendas. Ajo ka edhe katër zyra ndërkombëtare.
Drejtori ekzekutiv i fabrikës, Steven Erwin Wijaya, deklaroi se gjatë ndërrimit të së shtunës në kompleksin e fabrikës ndodheshin rreth 300 persona.
Kërkimet vazhduan edhe të hënën, ndërsa vatrat e mbetura të zjarrit dhe paqëndrueshmëria gjithnjë e më e madhe e konstruksionit të objektit përbënin rrezik për sigurinë e ekipeve të shpëtimit, deklaroi Al Amrad, drejtues i Agjencisë së Kërkim-Shpëtimit në provincën Banten.
Ai u tha gazetarëve se 29 persona janë gjetur të sigurt, pesë prej të cilëve janë shtruar në spital. Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë 24 thasë me mbetje mortore, megjithëse autoritetet në vendngjarje ende nuk kanë mundur ta konfirmojnë zyrtarisht numrin e përgjithshëm të viktimave, shtoi ai.
Për shkak të intensitetit të zjarrit, identifikimi i viktimave përmes kontrollit vizual nuk ishte i mundur. Prandaj, po mblidhen mostra të ADN-së nga familjarët, proces që mund të zgjasë disa javë, deklaroi zyrtarja policore Wahyu Hidayati.