BDI: “Vera e Ohrit” po zhvillohet pa asnjë përfaqësim të kulturës shqiptare në programin zyrtar
Bashkimi Demokratik për integrim përmes një komunikate për media ka alarmuar se këtë vit, manifestimi shtetëror “Vera e Ohrit”, i financuar nga institucionet publike të vendit, po zhvillohet pa asnjë përfaqësim të kulturës shqiptare në programin zyrtar, transmeton Portalb.mk.
“Në një shtet ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të popullsisë dhe të jetës kulturore, përjashtimi i plotë i çdo elementi shqiptar nga një festival kombëtar është i papranueshëm dhe shqetësues. Programi zyrtar i “Verës së Ohrit” përfshin koncerte, shfaqje teatrore dhe mbrëmje të veçanta kushtuar kulturave evropiane, por asnjë ngjarje muzikore, teatrale apo ekspozitë nuk përfaqëson trashëgiminë e pasur kulturore shqiptare. Kjo heshtje kulturore është në vetvete një mesazh përjashtues dhe dëshmi se qasja ndaj kulturës shqiptare në institucionet shtetërore nuk është përfaqësuese, por margjinalizuese”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga BDI insistojnë se kultura shqiptare është dhe duhet të jetë pjesë e natyrshme e çdo ngjarjeje kulturore të nivelit kombëtar.
“Mungesa e saj në një manifestim të tillë nuk është çështje organizative, por tregues i një politike përjashtuese që po zë rrënjë në sistemin institucional të kulturës. Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin e thellë për këtë qasje përjashtuese dhe u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të japin shpjegime për këtë anashkalim të plotë. Qeveria, Ministria e Kulturës dhe drejtuesit e festivalit duhet të mbajnë përgjegjësi për mungesën e përfaqësimit të një prej komuniteteve kryesore të këtij vendi, jo vetëm në gjuhë, por në shpirt, në art dhe në identitet”, thuhet tutje në reagim.
Në hapjen e festivalit “Vera e Ohrit” ishte e pranishme e gjithë udhëheqësia shtetërore, një pjesë e trupit diplomatik, ndërsa si mysafir i veçantë ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanoska Davkova e shpalli të hapur ngjarjen.
“65 vjet Vera e Ohrit është pasqyra jonë e çmuar artistike, një qendër prestigjioze e artit. Prej 65 vitesh arti hyn përmes portave të Ohrit dhe shëtit nëpër qytet. Çdo notë, çdo varg dhe mendim, çdo zë e hap bashkohen në simfoninë verore të Ohrit. Ohri është një, Ohri është Ohri – nuk ka verë artistike si ajo e Ohrit, nuk ka festival si ai i Ohrit. Nga të dy brigjet e liqenit kanë marrë frymëzim romantiku i parë maqedonas Konstantin Miladinov, por edhe modernisti i parë shqiptar, Lasgush Poradeci”, tha Siljanovska –Davkova.