Qeveria e RMV-së paralajmëroi mbledhje për nesër, Mickoski tregoi sa do të lirohet dizeli

Kryeministri Hristijan Mickoski pret që çmimet të stabilizohen dhe çmimi i dizelit të ulet për 6.5 denarë. Për nesër paralajmëroi seancë qeveritare onlajn dhe siç tha sot duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, vendi do të mbetet me çmimet më të ulëta të karburanteve, raporton MIA.

“Nesër gjatë ditës do të kemi seancë qeveritare onlajn. Sipas përllogaritjeve tona, bazuar në analizën se si kanë lëvizur çmimet në bursat botërore gjatë dy javëve të fundit, përkatësisht gjysmës së dytë të majit dhe si kanë lëvizur çmimet javën e kaluar, presim që ato të stabilizohen ngadalë por me siguri edhe në vendin tonë, përkatësisht norma preferenciale e mëparshme për benzinën prej 10 për qind do të kthehet në 18 për qind, ndërsa sa i përket akcizave do të mbetet ulja prej dy denarësh për litër për dizelin dhe benzinën pa plumb 95 dhe 98 oktanë, sepse mesatarja në gjysmën e dytë të majit për dizelin dhe benzinën pa plumb sillej midis 1.000 dhe 1.200 dollarë për fuçi. Po negociojmë me “Okta”-n për të parë se si do të jetë. Ndoshta mund të marrim një zbritje shtesë prej andej të paktën për gjysmën e parë të qershorit. Kur i marrim parasysh të gjitha këto masa, atëherë pres që çmimi i benzinës të mbetet i njëjtë ose të ketë një rritje të vogël prej gjysmë denari, ndërsa dizeli të lirohet për rreth 6 denarë e gjysmë, 6 deri në 6.5 denarë. Këto janë përafërsisht numrat që tregojnë përllogaritjet tona dhe do të shohim se si do të bëhet përllogaritja rregullatore”, ka thënë Mickoski.

Sipas tij, periudha tremujore ka qenë dinamike, por Qeveria ruajti stabilitetin e çmimeve.

“Qytetarët nuk ndjenë asnjë kufizim në asnjë moment kur bëhej fjalë për furnizimin me naftë dhe benzinë. Në të njëjtën kohë, presioni mbi stacionet tona të benzinës ishte i madh. Kishte ditë kur ishte rreth 50 për qind më i lartë se zakonisht, duke marrë parasysh ditët normale, të rregullta. Dhe kur të mbarojë e gjithë kjo, ne do të jemi ende një vend me çmimet më të ulëta të karburanteve, pra të dizelit dhe benzinës, sot ose atë që presim të hënën. Nëse kjo përllogaritje e jona është e saktë, benzinat do të mbeten me të njëjtin çmim ose do të bëhej gjysmë denari më shtrenjtë, ndërsa dizeli do të bëhej më i lirë për 6 deri në 6.5 denarë për litër. Pra, ne mbetemi të përkushtuar për përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve”, theksoi kryeministri Mickoski.