Në mesnatë do të ketë çmime të reja të derivateve në Maqedoninë e Veriut
Benzinat nga sonte në mesnatë do të lirohen për shtatë denarë për litër, ndërsa çmimi i naftës do të ulet për 5,5 denarë për litër. Kështu vendosi sot Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE). Me këtë vendim, çmimet me pakicë të derivateve të naftës ulen mesatarisht për 7,51 përqind, transmeton Portalb.mk.
Çmimi i ri me pakicë i „Eurosuper BS-95“ do të jetë 86 denarë për litër, „Eurosuper BS-98“ do të shitet për 88 denarë, ndërsa „Eurodizel BS (D-E V)“ për 94,5 denarë për litër.
Me vendimin e KRRE-së, çmimi me pakicë i vajit ekstra të lehtë për amvisëri (EL-1) ulet për 6,5 denarë dhe do të jetë 103,5 denarë për litër, ndërsa çmimi i „mazutit M-1 NS“ ulet për 6,261 denarë për kilogram dhe do të jetë 49,312 denarë.
Nga KRRE-ja theksojnë se çmimet referente të derivateve të naftës në tregun botëror, krahasuar me përllogaritjen e mëparshme, kanë shënuar rënie: te benzinat mesatarisht për 12,340 përqind, te nafta për 6,785 përqind, te vaji ekstra i lehtë për 7,834 përqind dhe te mazuti për 13,816 përqind. Kursi i denarit ndaj dollarit, mbi bazën e të cilit janë përcaktuar çmimet në përllogaritjen e mëparshme, është më i ulët për 0,5247 përqind.
Në vendimin e KRRE-së është zbatuar vendimi i Qeverisë për uljen e normës së TVSH-së për derivatin „Eurodizel (D-E V)“ në 10 përqind. Gjithashtu, është zbatuar ulja e akcizës për dy denarë për litër për benzinat „Eurosuper BS-95“ dhe „Eurosuper BS-98“, si dhe për katër denarë për litër për „Eurodizelin (D-E V)“.
Gjatë javëve të fundit, çmimet e karburanteve në vend kanë shënuar lëvizje të ndryshueshme, nën ndikimin e kuotimeve në bursat botërore dhe kursit të dollarit. Më 20 tetor, benzinat u liruan për 2,5 denarë, ndërsa nafta u shtrenjtua për dy denarë. Një javë më vonë, benzinat u liruan edhe për pesë denarë, ndërsa çmimi i naftës mbeti i pandryshuar. Më 3 nëntor pasoi një shtrenjtim i ri: për dy denarë te benzinat dhe për një denar te nafta. Tani, me vendimin më të fundit të KRRE-së, karburantet shënojnë rënie të konsiderueshme: shtatë denarë për litër për benzinat dhe 5,5 denarë për litër për naftën.