Provimi i jurisprudencës kërkohet në disa gjuhë, Shasivari: Në tetor do ta demonstrojmë zgjidhjen, reaguan studentët
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, paralajmëroi takim institucional me përfaqësues të asociacioneve studentore dhe dekanët e fakulteteve juridike, ku do të prezantohet dhe demonstrohet praktikisht zgjidhja e propozuar për provimin e jurisprudencës. Takimi, sipas Shasivarit, pritet të zhvillohet në pjesën e parë të tetorit, pasi të nisë viti i ri akademik. Ai tha se përmes dialogut dhe bashkëpunimit me asociacionet studentore synohet që studentëve t’u shpjegohet konkretisht se si do të funksionojë zgjidhja, transmeton Portalb.mk.
“Qëllimi është që në mënyrë praktike t’ju prezantohet zgjidhja dhe t’ju demonstrohet praktikisht se si do të funksionojë”, tha Shasivari.
Ministri bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë parashtruar pesë kërkesa nga pesë asociacione studentore për zhvillimin e provimit në gjuhë të ndryshme.
Sipas tij, tre asociacione kanë kërkuar që provimi të zhvillohet në gjuhën shqipe, një në gjuhën angleze, ndërsa një tjetër në gjuhën angleze dhe turke. Shasivari sqaroi se kërkesat lidhen me faktin se në këto pesë universitete zhvillohen studime juridike të ciklit të parë dhe të dytë, përkatësisht studime të magjistraturës, në këto gjuhë.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të standardeve ndërkombëtare dhe evropiane gjatë hartimit të zgjidhjes për provimin e jurisprudencës.
“Në këtë periudhë janë paraqitur pesë kërkesa nga pesë asociacione studentore. Tre kërkojnë që provimi të zhvillohet në gjuhën shqipe, një kërkon në gjuhën angleze dhe një kërkon në gjuhën angleze dhe turke. Duke qenë se në këto pesë universitete zhvillohen studime juridike të ciklit të parë dhe të dytë, përkatësisht studime master, në gjuhët që i ceka, që do të thotë, krahas gjuhës maqedonase, edhe në gjuhën shqipe, angleze dhe turke. Në këtë drejtim, rëndësi kanë edhe standardet ndërkombëtare dhe evropiane. Respektimi i tyre është shumë i rëndësishëm sa i përket kësaj qasjeje gjithëpërfshirëse”, tha Shasivari.
I pyetur rreth kësaj, Mevlan Ademi nga Lëvizja Studentore i tha TV21 se nuk janë kundër gjuhëve tjera, por nuk do të lejojnë që gjuha shqipe të mbahet peng për shkak gjuhëve të tjera. Ai gjithashtu tha se presin që i njëjti parim të zbatohet edhe në provimet e tjera shtetërore dhe të mos tentohet që fokusi të përqendrohet vetëm te provimi i jurisprudencës.
“Gjuha shqipe ka bazën e saj kushtetuese dhe ligjore, ndërsa zbatimi i këtyre përcaktimeve është obligim i ministrit. Barazimi i gjuhës shqipe me gjuhët e tjera në këtë kontekst është i padrejtë. Ministri nuk duhet të ngatërrojë obligimin ligjor për zbatimin e gjuhës shqipe, si gjuhë e popullit shtetformues, me gjuhët që ligjërohen në universitete”, tha Mevlan Ademi, Lëvizja Studentore.
Përveç kësaj nga Lëvizja studentore paralajmërojnë aktivitete të tjera. Përndryshe, para disa muajsh studentët protestuan duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe, duke kërkuar të drejtën për ta zhvilluar provimin në gjuhën në të cilën kanë ndjekur studimet.
Zgjidhja për provimin e Jurisprudencës në gjuhën shqipe është shtyrë disa herë. Çështja vazhdon të zvarritet në labirintet institucionale të vendit. Partia në pushtet ka shtyrë vazhdimisht afatet për zgjidhjen e çështjes së provimit të Jurisprudencës.
Së pari, zëvendëskryeministri Bekim Sali, premtoi se çështja do të zgjidhej brenda një jave, më pas afati u shty për në shtator, ku Sali tha se në shtator do ta kemi ligjin e miratuar me ndryshimet e nevojshme, ndërsa sot ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, thotë se në pjesën e parë të tetorit do t’i ftojë studentët për t’ua prezantuar zgjidhjen e provimit të Jurisprudencës.
Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.
- LEXO: Jurisprudenca ende pa zgjidhje, nga shtatori i Salit tani kaloi te tetori i Shasivarit
- LEXO: Nga “brenda një jave” e Salit te “së shpejti” e Gashit, studentët e UT-së kërkojnë provime në shqip
- LEXO: Bllokadë e re politike apo kompromis, çfarë do të sjellë Ligji për përfaqësim të drejtë në vjeshtë?
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë nuk u vendos në votim, opozita vijoi me akuza
- LEXO: Me cilin Badenter (nuk) duhet të miratohet Ligji për përfaqësim të drejtë?
- LEXO: BDI-ja dhe VLEN-i u përplasën për Ligjin për përfaqësim të drejtë