Kaloi një javë, zv.kryeministri Bekim Sali nuk e zgjidhi problemin e dhënies së provimit të jurisprudencës në shqip

Ka kaluar një javë që kur studentët në RMV protestuan kurse zv.kryeministri Bekim Sali premtoi se do ta zgjidhin “për një javë” problemin e provimit të jurisprudencës. Portalb.mk kërkoi përgjigje nga Sali dhe nga Qeveria që e përfaqëson ai se pse sot nuk dhanë zgjidhje, por nga atje na thanë se s’ka zgjidhje. Debati rreth provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka vazhduar sot edhe në Parlament gjatë seancës për pyetje deputetësh, ku u përplasën deputeti i Frontit Evropian, Skender Rexhepi dhe kryeministri Hristijan Mickoski. Kryeministri tha se ligji aktual nuk e përcakton gjuhën në të cilën duhet të mbahet provimi i jurisprudencës, por këtë e zgjidh ministri i Drejtësisë, shkruan Portalb.mk.  

Kujtojmë se një javë më parë zëvendëskryeministri Bekim Sali, më 21 maj 2025, duke folur rreth zgjidhjes së problemit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, deklaroi se Qeveria është në përfundim të konsultimeve me ekspertë dhe shumë shpejt do të dalë me vendimin final. Ai theksoi se zgjidhja ligjore nuk do të kufizohet vetëm te provimi i jurisprudencës, por do të përfshijë edhe problematika të ngjashme të provimeve për profesione të caktuara profesionale.

“Jemi në përfundimin e sipër të fazës së konsultimeve me ekspertë dhe unë besoj që shumë shpejtë, ndoshta edhe një javë mund të zgjasë deri në vendimin final të cilin do ta promovojmë në mënyrën e njëjtë. Zgjidhja nuk do ta përfshijë vetëm provimin e jurisprudencës, por edhe problematika të ngjashme”, tha Sali

Portalb.mk kërkoi përgjigje nga Sali dhe nga Qeveria që e përfaqëson ai se pse sot nuk dhanë zgjidhje. Nga atje na thanë se nuk ka ende zgjidhje.

“Lidhur me pyetjen tuaj, Ju informojmë se Qeveria punon për të siguruar një zgjidhje të përhershme për këtë çështje. Bëhet fjalë për një çështje e cila për një periudhë të gjatë nuk ka qenë e zgjidhur në mënyrë sistemore, ndërsa qëllimi është të sigurohet një zgjidhje në përputhje me procedurat ligjore dhe në interes të qytetarëve. Njëkohësisht, mbetet përkushtimi për respektimin e të drejtës së çdo qytetari që ta përdorë gjuhën e tij amtare, pa politizim të panevojshëm rreth kësaj çështjeje. Në momentin kur do të ketë risi lidhur me këtë çështje, opinioni do të informohet me kohë.” thanë nga Qeveria për Portalb.mk.

Njëkohësisht gjatë seancës plenare për pyetje deputetësh, Skender Rexhepi, duke argumentuar mungesën e flamurit të Maqedonisë së Veriut në protestën studentore, tha se studentët nuk kishin organizuar manifestim, por protestë, si shenjë revolte ndaj shkeljes së të drejtave të tyre nga ana e shtetit. Ai e kritikoi thirrjen e vazhdueshme të kryeministrit në që Komisioni i Venedikut të vendosë për çështjet ndëretnike, duke theksuar se vende si Irlanda, Spanja dhe Belgjika, marrëdhëniet ndëretnike i kanë ndërtuar përmes dialogut, marrëveshjeve të brendshme dhe zgjidhjeve kushtetuese, pa pasur nevojë për ndërhyrje të jashtme. 

“Si pritni që studentët ta manifestojnë pakënaqësinë. Mënyra e komunikimit është shumë më e rregullt në këtë frymë dhe nuk e di si ndryshe duhet të komunikohet, kur flasim për këto raporte. Nuk mund të thirremi çdoherë në Komisionin e Venedikut, për çështje ndëretnike dhe të brendshme. Në rastin tonë çdo herë për t’i ikur përgjegjësisë më lehtë shkohet përmes Komisionit të Venedikut”, tha Rexhepi. 

Nga tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur deputetit Rexhepi, tha se ligji aktual nuk e përcakton gjuhën në të cilën duhet të mbahet provimi i jurisprudencës, por kjo çështje rregullohet nga ministri i Drejtësisë. Ai kritikoi ish-ministrat e Drejtësisë nga opozita, duke i akuzuar për hipokrizi dhe për shfrytëzim të çështjeve etnike.

“Por sa ministra të drejtësisë ishin nga koalicioni që mbështesni, pse nuk e rregulluan? Sepse jeni hipokritë, sepse jeni patriotë nga Ali Express kur jeni në opozitë, dhe në qeveri promovoni eko-agjenda të gjelbra, në opozitë doni të krijoni konflikt etnik aty ku nuk ka”, tha kryeministri Mickoski.

Sa i përket vendimit në duar të ministrit, kujtojmë se ministri i Drejtësisë, Igor Filkov është kategorik se nuk do të ketë provim në gjuhën shqipe.

Në pamundësi të “bindjes” së ministrit, VLEN, pati deklaruar se është formuar një Komision qeveritar për zgjidhjen e kësaj çështje.

Ndërkaq, bashkëkryetari i VLEN-it Izet Mexhiti për Euronews, tha se janë marrë vesh me kryeminsitrin e vendit, Hristijan Mickoski për gjuhën shqipe dhe çështja e provimit të jurisprudencës do të rregullohet për 3 muaj.

“Ashtu siç i kemi zgjidhur këto dikastere, do të vazhdojmë me provimin e jurisprudencës që është kërkesë e studentëve, por jo vetëm te jurisprudenca, ne kemi rënë dakord që ligji i gjuhëve të zbatohet edhe në fusha tjera ku ka të bëjë me provime profesionale apo me licenca që duhet të merren. Nuk kemi kërkuar jemi marrë vesh, jemi dakorduar, është deklaratë e përbashkët e kryeministrit dhe dy partnerëve qeverisës VMRO dhe VLEN. Le të jetë një afat tre mujor sepse ka procedurë duhet të bëhet propozim ndryshim të ligjit, duhet të kaloi në Qeveri duhet të kaloi në Parlament”, u shpreh bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti.

Kujtojmë se në protestën e 18 majit, studentët marshuan për barazi gjuhësore, ndërsa një pjesë e tyre deklaruan se nuk do të ndalen derisa të sigurohet e drejta për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.