Prokuroria kërkoi që Mexhiti të mos e përdorë rastin “Onkologjia” për qëllime politike

Prokuroria Publike zhvillon procedurë para hetimore dhe nuk vepron sipas kërkesave të personave të tjerë. Informacioni ndahet vetëm në masën që nuk do të dëmtojë procedurën, reagoi Prokuroria Publike pas deklaratës së ministrit të Shëndetësisë, Fatmit Mexhiti, se është koha që Prokuroria të dalë me emër dhe mbiemër për rasti i Klinikës së Onkologjisë, transmeton Portalb.mk.

Pas deklaratës së ministrit, prokuroria ka dalë me reagim, në të cilën thekson se prokurorët punojnë me themel dhe me përgjegjësi, duke respektuar të gjitha afatet ligjore.

“Prokuroria Publike apelon tek politikanët që të përmbahen nga përdorimi i këtij artikulli delikat për qëllime politike”, thotë Prokuroria.

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, në promovimin e sotëm të pajisjeve të reja mjekësore dhe ambulancave të rinovuara në Klinikën për Neurologji tha se është koha e fundit që Prokuroria të del me emër dhe mbiemër për rastin “Onkologjia”.

“Edhe një herë bëj thirrje, për rastin në Klinikën për Onkologji, është koha e fundit që Prokuroria të del me emër dhe mbiemër të saktë”, deklaroi Fatmir Mexhiti.

Javën e kaluar, kur përfundoi marrja në pyetje e dëshmitarëve në Komisionin Anketues për skandalin në Onkologji, Prokurori Publik, Lubomir Joveksi njoftoi se lënda po zhvillohet në mënyrë profesionale dhe se e vërteta do të del në shesh. Por, sic tha, për shkak të hetimeve, para deputetëve nuk zbuloi detaje.

Ndryshe, më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup. Janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës. Ky aksion erdhi pas publikimit të informacioneve në media se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.

Lënda e formuar në lidhje me keqpërdorimet në Klinikën për Radioterapi dhe Onkologji ka siguruar dokumentet zyrtare nga ky institucionet në lidhje me raportin financiar nga 1 janari i vitit 2015 deri në mars të vitit 2023. Seanca tjetër do të jetë më 4 dhjetor, ku do të merret në pyetje infermierja e cila është e akuzuar për shpërdorim të detyrës me dyshimin se ka vjedhur citostatikë. Ministri i Shëndetësisë, Mexhiti, deklaroi se do të implementohet sistemi KATO për të siguruar që në të ardhmen të mos ketë raste të këtilla.