Keqpërdorimet në Klinikën e Onkologjisë e rihapën plagën për përzierjen e partive në gjyqësi

Edhe përkundër apeleve nga ana e Prokurorit Publik Ljubomir Joveski që të mos bëhen paradime me dokumente dhe të mos ketë “mburrje të atij që ka informata mbi punën e Klinikës së Onkologjisë”, por të njëjtat të dorëzohen në Prokurori, lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski edhe sot vazhdoi të flasë për aferën, të cilën ai e quan “Mish i egër”, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Ai tani thotë se keqpërdorimet që ndodhin në Klinikën e Onkologjisë, kanë ndodhur edhe në klinika të tjera.

“Kemi indice se ajo që ndodh në Klinikën e Onkologjisë, ndodh edhe në klinika të tjera. Jemi duke bërë hulumtime dhe së shpejti edhe për këtë do të dalim publikisht. Mafias së kancerit duhet ti jepet fund”, tha Mickoski gjatë vizitës së sotme në Prilep.

Ai thotë se institucionet si Klinika Universitare për Onkologji dhe Radioterapi (KUOR) dhe Ministria e Shëndetësisë (MSH), jo vetëm që nuk veprojnë në bazë të konstatimeve të Revizionit Shtetëror, por parregullsitë vetëm po thellohen.

Mickoski theksoi se partia e tij ka dokumentacion voluminoz edhe nga vitet e fundit, e jo siç thotë pushteti, se kjo paska ndodhur deri në vitin 2021.

“Nga analizat e deritanishme nxorëm disa konkluzione. Konkluzioni i parë bazohet në Raportin e mbikëqyrjes të çrregullt të prokurimeve të KUOR-it dhe MSH-së ose të dokumenteve për periudhën prej 01.08.2021 deri më 01.08.2023, si dhe për mbikëqyrjen parciale të periudhës dhjetor 2022 – mars 2023 dhe janë konstatuar parregullsi që në mënyrë plotësuese edhe janë përforcuar. Prandaj kërkojmë që të zgjerohet hetimi dhe puna edhe për këtë periudhë”, tha Mickoski.

Së dyti, Mickoski theksoi se është konstatuar se edhe përkrah stoqeve milionëshe të ilaçeve, nuk i ka ndaluar personat kompetentë në MSH dhe në KURO që të hapin tendera edhe pse ka pasur stoqe. Dhe si konkluzion të tretë ai theksoi se “ka dilemë se si jepet leje që pacientëve tu jepet terapia në ente të tjera shëndetësore sepse transporti është specifik”. “Pastaj është kontestuese dhe duhet përgjigje se a pranon dikush informatë kthyese se a është aplikuar terapia, a është harxhuar krejtësisht apo pjesërisht ajo dhe çka bëhet me atë që mbetet etj. Keni kompani farmaceutike të preferuar që furnizon shuma milionëshe ilaçesh, ndërsa nga ana tjetër ka kushte katastrofale ku aplikohet ajo terapi”, tha ai.

Ndaj kësaj reaguan nga LSDM-ja qeveritare, të cilët pretendojnë se Mickoski “duke shfaqur vazhdimisht të pavërteta e rrënon dhe e cenon hetimin për Onkologjinë”.

“Nëse Mickoski me të vërtetë ka prova ai duhet ti dorëzojë ato deri te institucionet kompetente, para së gjithash deri në Prokurorinë Publike kompetente. Shfaqja publikisht do të thotë cenim direkt i hetimit për Onkologjinë, ndërsa fshehja e provave paraqet vepër penale. Me sa duket Mickoski në mënyrë të vetëdijshme e cenon hetimin për Onkologjinë dhe imponohet pyetja se çfarë qëllimi ka ai, a dëshiron ta pengojë drejtësinë dhe të mbrojë dikë nga të përfshirët në këtë rast”, thonë nga LSDM-ja.

Nuk ndihmuan apelet që partitë të heqin duart nga gjyqësia.

Rasti me dyshimet serioze për keqpërdorimin e terapisë biologjike që është përdorur për pacientët e sëmurë me kancer në Klinikën e Onkologjisë në këtë rast është komplikuar edhe më shumë, duke pasur parasysh se Prokuroria Publike tanimë është në vijim të procedurës parahetimore.

Prokurori Publik Ljubomir Joveski dje ishte i ftuar që të flasë para Komisionit Anketues të Kuvendit, dhe ai me një ton të ashpër i luti që ta lënë Prokurorinë ta kryejë punën.

Mbase do ju zhgënjej, por përgjegjësia penale nuk është në kompetencat tuaja”, tha ai dhe shtoi: “Apelova për të njëjtën gjë në këtë sallë vetëm para disa ditësh: na lini ta bëjmë punën tonë. Lënda e Onkologjisë po ndiqet në mënyrë rrënjësore dhe profesionale dhe do të arrijmë deri te e vërteta, pa marrë parasysh disa përpjekje për obstruksione”, tha ai para të pranishmëve, duke shtuar se “çdo ditë, përfaqësues diplomatikë, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare, organizata joqeveritare, ju bëjnë thirre juve politikanëve, që të mos përziheni në punën e gjyqësisë”. Sipas Joveskit, me përzierjen e politikës në këtë rast në mënyrë direkte cenohet procedura dhe vlefshmëria e provave, ndërsa është i palejueshëm një hetim paralel.

“Me këtë cenohet procesi hetimor dhe i jepet mundësi mbrojtjes që të na i kontestojë provat në gjyq”, tha ai.

Reagime pati edhe nga ana e Klinikës së Onkologjisë, prej ku deklaruan se absolutisht nuk bëhet fjalë për asnjë zbulim të ri apo skandal të publikuar nga ana e kryetarit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski.

“Konstatimet dhe dokumentet që u bënë publike janë pjesë e dokumentacionit i cili prej në fillim të hetimit u është dorëzuar të gjithë organeve të hetuesisë. I njëjti dokumentacion i është dorëzuar në tërësi edhe Komisionit Anketues”, thonë nga klinika.

Ato arsyetojnë se klinika nga ana e furnitorëve bën tërheqje të sasive të ilaçeve zakonisht në bazë mujore. Për shkak të nevojave të rritura dhe pacientëve të rinj, shpesh ndodh harxhim më i shpejtë i sasive të tërhequra dhe të njëjtat harxhohen më herët se sa është planifikuar. Këtë gjë para komisionit tashmë e deklaroi ish-Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, por edhe ish-Drejtori i Klinikës Nino Vasev.

Edhe përkundër kësaj, kryetarja e Komisionit Anketues për punën e Klinikës së Onkologjisë, Rashella Mizrahi, deklaroi se do të kërkojë zgjerim të kompetencave dhe punës së Komisionit Anketues.

“Këto informacione të reja (informatat e Mickoskit) për ndodhitë në Onkologji e imponojnë nevojën që të analizohen të gjitha informata e reja dhe të vazhdohet afati i punës së komisionit dhe të zgjerohet përfshirja e periudhës të cilës ajo i referohet dhe duke përfshirë edhe periudhën rrjedhëse nga prilli i vitit 2023 të cilës i referohet raporti i FSSH-së”, deklaroi Mizrahi.

Ndryshe, më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup. Janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës. Ky aksion erdhi pas publikimit të informacioneve në media se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.

Lënda e formuar në lidhje me keqpërdorimet në Klinikën për Radioterapi dhe Onkologji ka siguruar dokumentet zyrtare nga ky institucionet në lidhje me raportin financiar nga 1 janari i vitit 2015 deri në mars të vitit 2023. Seanca tjetër do të jetë më 4 dhjetor, ku do të merret në pyetje infermierja e cila është e akuzuar për shpërdorim të detyrës me dyshimin se ka vjedhur citostatikë. Ministri i Shëndetësisë, Mexhiti, deklaroi se do të implementohet sistemi KATO për të siguruar që në të ardhmen të mos ketë raste të këtilla.