I punësuar në DMSH dyshohet se mori 32.000 denarë ryshfet, Prokuroria propozoi paraburgim
Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një personi për veprën penale “Marrje ryshfeti”, sipas nenit 357, paragrafi 1 të Kodit Penal. I dyshuari, si person zyrtar i punësuar në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), në Njësinë për lëshimin e pëlqimeve urbanistike, ishte i autorizuar të nënshkruante, të jepte mendime dhe të lëshonte pëlqime për planet dhe projektet hapësinore e urbanistike nga aspekti i mbrojtjes dhe shpëtimit, si dhe për elaboratet për mbrojtje nga zjarret, shpërthimet dhe materiet e rrezikshme, transmeton Portalb.mk.
Për të kryer një veprim zyrtar që nuk duhej ta kryente, përkatësisht për të dhënë pëlqim për një elaborat që nuk i plotësonte kushtet e ndërtimit në pjesën e mbrojtjes nga zjarret, shpërthimet dhe materiet e rrezikshme, i dyshuari drejtpërdrejt kishte kërkuar dhe marrë ryshfet prej 32.000 denarësh nga një person.
“Duke pasur parasysh natyrën e veprës penale, e cila sipas Kodit Penal konsiderohet vepër kundër detyrës zyrtare, mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer, si dhe pasojat e saj, prokurori publik ka vlerësuar se ekziston rreziku që i dyshuari të arratiset për t’iu shmangur ndjekjes penale”, thonë nga Prokuroria.
Gjithashtu, duke pasur parasysh pozitën e tij, ekziston dyshimi se ai mund ta përsërisë veprën penale, si dhe frika e arsyeshme se mund të ndikojë te dëshmitarët. Për këto arsye, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit.